SHQIPĖRIA NĖ NATO
Vendos në Facebook

SHQIPĖRIA NĖ NATO

Shqipëria merr pjesë sot si anëtare me të drejta të plota në samitin jubilar të 60 vjetorit të NATO-s, në Strasburg/Kehl, një moment historik që politika shqiptare e ka cilësuar si më të rëndësishmin pas shpalljes së pavarësisë së vendit në vitin 1912.
Shqipëria, por dhe Kroacia, vende që një vit më parë morën ftesën në samitin e Bukureshtit janë sot anëtarët më të reja të Aleancës së Atlantikut të Veriut, organizata më e madhe politike ushtarake në botë. Ato “ulen” sot përkrah 26 vendeve më të zhvilluara dhe të industrializuara të botës.  
Shqipëria përfaqësohet në Samitin e 60 të NATO-s, i çelur dje pasdite me një ceremoni festive në Kurhauz të Baden-Badenit (Gjermani), me një delegacion në përbërje të të cilit janë Presidenti i Republikës Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, Ministri i Mbrojtjes  Gazmend Oketa dhe kryetarët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste, përkatësisht Astrit Patozi, dhe Valentina Leskaj.
Pas ceremonisë së organizuar nën kujdesin e Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, Presidenti Topi, njëkohësisht kryetar i delegacionit shqiptar në samit, mori pjesë në darkën e organizuar për Kryetarët e Shteteve.
Në fjalën e tij në këtë darke pune, Presidenti Topi u shpreh se "anëtarësimi në NATO do të ndihmojë zhvillimin e demokracisë së brendshme dhe reformat politike, ushtarake dhe ekonomike në Shqipëri".
"Ky anëtarësim do të nxisë hapat e Shqipërisë në integrimin e mëtejshëm euroatlantik. Prova e parë do të jetë zhvillimi sipas standardeve i zgjedhjeve të ardhshme politike të qershorit 2009", u shpreh Presidenti Topi në fjalën e tij përpara kryetarëve të 27 shteteve anëtare të NATO-s. 
Sipas tij, "angazhimi me të drejta të plota në NATO do të rrisë cilësisht rolin aktiv dhe të moderuar të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit, duke shtrirë brezin e sigurisë rajonale në kufijtë e Kosovës, Malit të Zi dhe të Maqedonisë, duke krijuar një standard të ri të bashkëpunimit ballkanik dhe duke u bashkuar me hapësirën e sigurisë mesdhetare".
 Ne, tha ndër të tjera Kreu i Shtetit shqiptar "do të përqafojmë konceptet e strategjisë së Aleancës për të përballuar së bashku me sukses sfidat e vështira që kemi përpara".

      RRUGA E SHQIPËRISË NË NATO
Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në NATO filloi në vitin 1992, vetëm pak kohë pas vendosjes së pluralizimit në vendin tonë. Atëherë Shqipëria u bashkua me Këshillin e Bashkëpunimit të Traktatit të Atlantikut të Veriut, i quajtur në vitin 1997 Këshilli i Partneritetit Euroatlantik. Shqipëria ishte vendi i parë ish-komunist i Europës Lindore që kërkoi anëtarësimin në NATO dhe ndër vendet e para që në vitin 1994 nënshkroi Programin e Partneritetit për Paqen të NATO-s (PfP).
NATO-ja, ashtu si dhe Bashkimi Europian, pas përmbysjes së diktaturave komuniste ne vendet e Europës Lindore, u ndeshën me kërkesën e këtyre të fundit për t'u anëtarësuar sa më shpejt në strukturat e tyre politike, ushtarake dhe ekonomike.
Por edhe NATO-ja veproi në të njëjtën mënyrë si Bashkimi Europian. Ajo as nuk ua mbylli derën atyre, as e hapi atë fare, por ndoqi një politike pritjeje, studimi dhe parapërgatitore. Për këtë qëllim ajo krijoi dhe një program specifik për vendet e reja kandidate, i ashtuquajturi programi i partneritetit për paqe.
Në 25 korrik të vitit 96, ish- ministri shqiptar i Mbrojtjes, Safet Zhulali, deklaroi se Shqipëria synonte të modernizonte mbrojtjen e saj dhe të intensifikonte marrëdhëniet me NATO-n dhe fqinjët e saj gjatë katër viteve të ardhshme. Ish- ministri Zhulali theksoi atëherë se Shqipëria kishte përmbushur kriterin politik për anëtarësimin në NATO dhe po bënte përpjekje për arritjen e standardeve teknike të kërkuara.
Angazhimi paqësor i ushtrisë konsistonte në bashkëpunimin politik dhe ushtarak aktiv me Aleancën e Atlantikut dhe me vendet e NATO-s dhe për një bashkëpunim rajonal aktiv për forcimin e paqes, sigurimit dhe stabilitetit.
Ky angazhim vazhdoi dhe nga ministrat dhe qeveritë pasardhëse. Në tetor të vitit 1998 qeveria shqiptare vendosi të vinte në dispozicion të NATO-s hapësirat e saj ajrore dhe detare për kryerjen e veprimtarise së tyre për zgjidhjen e krizës në Kosovë. Vendimi i atëhershëm u mor pas shqyrtimit të propozimit të ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, për të lehtësuar operacionet ushtarake të NATO-s nëpërmjet detit dhe ajrit, në rast se kjo e fundit do të vendoste të ndërhynte për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë në zbatim të Rezolutës nr. 1199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.
Shqipëria është një vend besnik ndaj NATO-s. Ajo zë një vend strategjik në Ballkan dhe për shumë arsye NATO e ka ndihmuar atë vazhdimisht në drejtim të reformimit të Forcave të Armatosura dhe të përmirësimit të strukturave te tyre", u shpreh  zv/sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Sergio Balanzino, gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë në 1 dhjetor të vitit 2000.
 Deklarata të tilla ka pasur gjatë gjithë këtyre viteve të përpjekeve të Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Liderët të NATO-s  si ish-sekretarët e përgjithshëm të NATO-s  Javier Solana,  Xhorxh Robertson dhe aktual Jaap de Hoop Scheffer, kanë shprehur gatishmërinë e Aleancës për të forcuar më tej marrëdhëniet me Shqipërinë, marrëdhënie që kishin një qëllim, atë të anëtarësimit të vendit tonë në Aleancë. 
Qëllimi u zyrtarizua një vit më parë, me marrjen e ftesës në Samitin e Bukureshtit. Përgjatë një viti, 26 vendet anëtare miratuan protokollin e anëtarësimit, një vlerësim dhe afirmim i përpjekjeve dhe arritjeve të shqiptarëve në shndërrimin e Shqipërisë nga vendi i monizmit total, izolimit më të thellë, në vendin e pluralizmit politik dhe demokracisë funksionuese, shtetit ligjor. Një vendim i shumëpritur, i realizuar pas 17 vjet përpjekjesh dhe reformash intensive në Shqipëri dhe që sipas politikanëve shqiptarë, do t’i japë fund tranzicionit të gjatë në vend.


Burimi / Autori i lajmit : ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek

Shënim Stafi i faqes ka të drejtë të fshij ēdo koment që nuk përket me temën në fjalë. Ju lutemi që t'i përmbaheni këtyre kërkesave:
  • Komentoni në gjuhën letrare shqipe
  • Mos ofendoni individë apo grupe individësh
  • Komento
    Emri:
    E-mail:
    Komenti: