Vizita e presidentit amerikan Barack Obama
në Turqi përbën një fitore të madhe diplomatike për Ankaranë zyrtare,
shkruan sot gazeta britanike "The Independent".
''Obama
po përpiqet t'i përforcojë marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Turqisë, në
përpjekje për marrjen e ndihmës turke për tërheqjen graduale të forcave
amerikane nga Iraku dhe orientimin e tyre drejt Afganistanit, por edhe
mbështetje lidhur me Iranin dhe ambiciet e tij bërthamore'', shkruan
gazeta.
Turqia është anëtare e NATO-s dhe
kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, madje presidenti Obama,
gjatë takimit BE-SHBA në Pragë i porositi liderët evropianë ta pranojnë
këtë vend në gjirin e tyre, sepse kjo do të paraqesë "sinjal pozitiv
për botën myslimane".
''Për Uashingtonin, Turqia
është partner dhe aleat i rëndësishëm jo vetëm i SHBA-së, por edhe i
Evropës dhe ajo mund të jetë urë edhe në marrëdhëniet e Izraelit me
palestinezët dhe Sirinë'', thekson ''The Independent".
Sipas
gazetës londineze, një prej çështjeve më të vështira në marrëdhëniet
amerikano-turke është "gjenocidi armen", sepse për këtë ekziston një
rezolutë në Kongresin amerikan, që Obama, në kohën e fushatës
elektorale e ka mbështetur fort.
''Në Ankara kanë
frikë se Barack Obama edhe si president mund ta mbështesë këtë
dokument'', thekson gazeta ''The Independent''
ShtypiDites