KROACIA KĖRKON QĖ NATO-JA TĖ ZGJEROHET ME BOSNJEN DHE KOSOVĖN

KROACIA KĖRKON QĖ NATO-JA TĖ ZGJEROHET ME BOSNJEN DHE KOSOVĖN

Kryeministri kroat Ivo Sanader u shpreh sot që Bosnja dhe Kosova duhet të hyjnë gjithashtu në NATO gjatë një ceremonie zyrtare të organizuar në Selinë e NATO-s në Bruksel për ngritjen e flamurit të Shqipërisë dhe Kroacisë përkrah flamujve të 26 vendeve të tjera anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. 
"Bosnjë-Hercegovina ka të drejtë gjithashtu për një të ardhme atlantike", deklaroi ai.
Po kështu edhe Kosova që "Kroacia e mbështet plotësisht", shtoi ai.
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, sipas të cilit ceremonia ishte dita "më e rëndësishme historike pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë", i deklaroi AFP-së se "ishte absolutisht dakord me Sanader" lidhur me nevojën e zgjerimit të NATO-s në Ballkan.
"Një zgjerim i NATO-s në Ballkan është themelor dhe shumë i rëndësishëm për stabilitetin e këtij rajoni", vlerësoi ai.
Flamuri i Shqipërisë, me shqiponjën e zezë në sfondin e kuq dhe ai i Kroacisë, me shirita horizontalë të kuq, të bardhë dhe blu dhe me emblemën e Kroacisë me fushën e shahut me kuti të kuqe dhe të bardha në qendër, u ngritën për herë të parë përkrah atyre të 26 anëtarëve të tjerë të NATO-s në selinë e Aleancës Atlantike në Bruksel. Mes tyre, flamuri italian ishte vënë në gjysmështizë për shkak të tërmetit shkatërrimtar, që goditi dje Abruzzo-n.
Sanader theksoi se hyrja e vendit të tij në NATO ishte realizimi "i një objektivi strategjik" të Zagrebit që prej pavarësisë së Kroacisë në vitin 1991.
Ai tha se shpresonte edhe në suksesin e Maqedonisë, anëtarësimi i së cilës duhej të ishte festuar në të njëjtën kohë me atë të Shqipërisë dhe Kroacisë, por që prej një viti është bllokuar nga Greqia për shkak të mosmarrëveshjes lidhur me emrin e saj.
Sipas sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, hyrja e Shqipërisë dhe e Kroacisë, tashmë e zyrtarizuar me pjesëmarrjen e kryetarëve të tyre të shtetit në samitin e NATO-s në Strasburg dhe Kehl të premten dhe të shtunën e kaluar, "tregon qartë se në Evropë, fjalët gjeografi dhe fat nuk janë më sinonime".
"Përballë mizorive dhe akteve të spastrimit etnik, ishte pranuar në përgjithësi se popujt e rajonit nuk mund të jetonin më në harmoni", deklaroi ai, duke iu referuar luftërave të viteve '90 që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë.
Por, "ky rajon i përket me të vërtetë Evropës së bashkuar", theksoi ai, duke shtuar se ky proces kishte "një rëndësi shumë të madhe për Evropën Juglindore".
Shqipëria dhe Kroacia janë bërë anëtarët e 27 dhe 28 të NATO-s, në valën e pestë të zgjerimit të Aleancës Atlantike që prej krijimit të saj në vitin 1949


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek