Një klloun me një hundë të kuqe prej gome mund të jetë shfaqja më e papritur për kampin e ngrysur të të mbijetuarve nga tërmeti në Italinë Qendrore, por Francis Calsolaro deklaron se puna dhe ajo që ai po përpiqet të realizojë për fëmijët e pastrehë të katastrofës natyrore është serioze.
Duke tundur një fshirëse pluhurash ngjyrë rozë dhe duke krijuar situata gazmore gjatë lojrave me fëmijët që qeshnin me veprimet e tij, "Francis kllouni" shprehet se krijimi i situatave për t'u rikthyer buzëqeshjen këtyre fëmijëve ka më tepër efekt pozitiv sesa terapia tradicionale.
"Kjo nuk është një punë qesharake, por tepër serioze", u shpreh Calsolaro, i veshur me një kostum kllouni të gjërë me vija, një xhaketë me ngjyra të ndezura dhe një kapele me lule margarita përreth.
"Njerëzit nuk kanë nevojë për dikë që të dalë në një podium dhe t'u thotë atyre sesi të përballen me trishtimin. Ndërkohë që ajo që kërkoj unë është që fëmijët të mendojnë se jam qullac dhe pak budalla", u shpreh Calsolaro.
Reth 10-50 klloun terapistë të tjerë nga grupi i tij pritet të mbërrijnë në kamp për të bërë sa më normale situatën dhe gjendjen e fëmijëve dhe të pastrehëve, të cilët jetojnë në tenda të mëdha blu në kampet e krijuara pranë Akuilas, shtoi Calsolaro, i cili udhëtoi nga Milano menjëherë pasi dëgjoi për tërmetin.
Tërmeti, më i rëndi në Itali gjatë 30 viteve të fundit, ka shkaktuar deri tani vdekjen e 250 personave dhe ka shkatërruar pjesë të mëdha të 26 qytezave dhe fshatrave në rajonin malor në lindje të Romës.
Një grup tjetër kllounësh të veshur me roba shumëngjyrëshe, pantallona tepër të gjëra dhe xhaketa të ngatërruara nëpër trup, kërcenin me njëri-tjetrin, përdornin flluska sapuni dhe u shpërndanin tollumbace fëmijëve me të cilët zhvillonin lojra dhe argëtoheshin.
"Kur erdhëm këtu, mbretëronte një qetësi e rëndë, fëmijët luanin pa zhurmë", tha Federica Marinacci, e cila quhej kllouni "Kikirik".
"Por kur na panë, u mblodhën rreth nesh dhe nisën të qeshnin", shtoi kllouni "Kikirik".
Nënat e trembura nisën të qeshnin gjithashtu pasi i panë fëmijët e tyre të buzëqeshnin sërish pas atij tmerri që kaluan për shkak të tërmetit, u shpreh Marinacci.
"Ne thjesht po përpiqemi me sa mundemi që fëmijët të kthehen në mënyrën e jetesë që kishin para tragjedisë", deklaroi Marinacci, ndrsa luante me një fëmijë
ShtypiDites