Fillon ardhja e
emigrantëve shqiptarë, që punojnë e jetojnë në Greqi, për festën e
Pashkës Ortodokse (19 prill). Burime të policisë kufitare të
Kapshticës, në rrethin e Devollit, thanë për ATSH se gjatë ditës së
sotme (e dielë ) janë regjistruar në sportelet e këtij vendkalimi të
paktën 4300 shtetas, të ardhur nga vendi fqinjë, Greqia.
Nga ana e policisë kufitare janë marrë masa për të përballuar fluksin
në të dyja anët e kufirit dhe për të menaxhuar situatën në rast të
shtimit të numrit të emigrantëve pranë sporteleve. Komandanti i
policisë kufitare të Kapshticës, Dritan Sheme, theksoi se "me ardhjen e
emigrantëve nga shteti grek po punohet aktualisht me tre sportele në
hyrje dhe dy të tjera në dalje. Por, me rritjen e fluksit të lëvizjeve,
numri i sporteleve do të shkojë në 7 të tilla dhe do të ketë shtim të
personelit për të disiplinuar lëvizjet ndërkufitare".
Gjatë dy ditëve të fundit vetëm nga ky vendkalim kufitar kanë hyrë në
vend 9300 emigrantë, ndërkohë që sipas komandantit Dritan Sheme, në
dalje të vendit në drejtim të shtetit grek janë regjistruar të paktën
2000 shtetas. Policia kufitare është angazhuar me një plan masash për
të lehtësuar kalimin në kufi të emigrantëve që po vijnë në vend për të
festuar Pashkët ortodokse.
ShtypiDites