Ambasadori i Mbretërisësë së Danimarkës në
Tiranë, Karsten Ankjaer Jensen, konfirmoi sot në qytetin e Vlorës,
angazhimin e BE-së për të mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë si dhe
vlerësoi hapat e bëra në këtë drejtim.
“Shqipëria,
do të jetë jo vetëm anëtare, por edhe një vlerë e shtuar e Bashkimit
Evropian”, u shpreh Ambasadori Jensen gjatë një leksioni, që zhvilloi
me studentët dhe pedagogët e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë.
Sipas
tij: Bashkimi Europian dhe vendet anëtare të tij, janë të angazhuara
për të mbështetur Shqipërinë që të ecë në rrugën e integrimit dhe
anëtarësimit. "Besoj fort tek e ardhmja e Shqipërisë. Jam i sigurt, që
Shqipëria, do të bëhet anëtare e BE-së dhe shqiptarët do të mund të
lëvizin lirisht brenda saj”, nënvizoi ambasadori i Mbretërisë së
Danimarkës në Tiranë.
Jensen u ndal në disa nga
drejtimet kryesore dhe në standardet që duhet të përmbushë Shqipëria në
këtë drejtim, ndërsa vlerësoi luftën e bërë kundër korrupsionit, duke e
ilustruar atë me faktin se gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë
hapa përpara, duke u ngjitur dukshëm në klasifikimin përkatës të
vendeve që kanë rezultate.
Zoti
Jensen, veçoi luftën kundër korrupsionit dhe zbatimin e ligjit, si dy
faktorët kryesorë, që përcaktojnë ecurinë në rrugën e integrimit dhe
përmbushjes së standardeve, ndërsa u shpreh se, pjesë e tyre, është
edhe kapaciteti administrativ.
Sipas
tij, vetëm në kuadrin e procesit të negociimit për anëtarësim në BE,
Shqipërisë, do t’i nevojiten rreth 1000 punonjës civilë e specialistë
që do të angazhohen në të.
Ambasadori
i Mbretërisë së Danimarkës, në Tiranë, Jensen u ndal dhe në punën e
mëtejshme në rrugën e vazhdimit të reformave. Brenda këtij konteksti,
ai citoi se, procesi i integrimit varet nga ajo që duhet të bëjnë vetë
shqiptarët, të cilët, sipas tij, duhet të vendosin nëse duhet të jenë
pjesë e BE-së.
Ky leksion, u
organizua nga Zyra e Kërkimit Shkencor në Universitetin e Vlorës, në
bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), në kuadër të
projektit “Forcimi i Rrjetit të Qendrave të Informacionit të Bashkimit
Europian në Qytetet Universitare të Shqipërisë”, mbështetur nga
Delegacioni i Komisionit Europian në Shqipëri, për të drejtat e
njeriut, nën dritën e aderimit të ardhshëm të Shqipërisë në BE.
Ambasadori
Jensen ka një karrierë të gjatë në shërbimin diplomatik danez. Ai ka
shërbyer si Ministër dhe Zv. Shef i Misionit të Ambasadës Daneze në
Uashington, si Zv. Sekretar i Konventës Kuadër të Këshillit të Europës
për Mbrojtjen e të Drejtave të Minoriteteve Kombëtare, në Kopenhagen
dhe si Sekretar i Parë i Misionit Danez në NATO(Bruksel). Prej muajit
shtator të vitit 2008, ai është Ambasador i Mbretërisë së Danimarkës në
Shqipëri. Aktiviteti i sotëm, në Universitetin e Vlorës, pason atë të
dy javëve më parë, kur, Ambasadorja e Cekisë në Tiranë, znj.Marketa
Fialkova, gjatë një bashkëbisedimi me studentë dhe pedagogë, deklaroi
se, aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në BE, do
të bëhet brenda presidencës çeke.
ShtypiDites