Gjykata
e Shkallës së Parë në Vlorë e ka shpallur fajtor Kryetarin e Bashkisë
së Himarës për veprën penale të shpërdormit të detyrës.
I akuzuar
se hoqi tabelat shqip në rrugën Qeparo-Llogara, gjyqtari Shkëlzen
Selimi lexoi vendimin në të cilin veprimi i Bollanos konsiderohet i
rëndë. Gjykata e dënoi Bollanon me 6 muaj burg, 5 milionë lekë te
vjetra gjobë si dhe i hoqi për 3 vjet të drejtën e funksioneve publike.
Sipas vendimit të Gjykatës për 3 vjet, Bollano nuk mund të ushtrojë
asnjë funksion administrativ që deri më tani ja ka lejuar funksioni i
tij si Kryebashkiak i Himarës. Sic ka munguar gjate gjithe seancave,
edhe ne seancen perfundimtare Bollano nuk ishte i pranishem. Ne seancen
vendimtare mungoi edhe avokati i tij, Petraq Suri.
Shkak për hetimin
dhe më pas gjykimin në Gjykatën e rrethit të Vlorës është bërë një
urdhër, që është lëshuar prej kryetarit të Bashkisë, Vasil Bollano në
muajin tetor të vitit 2007 për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe në
aksin rrugor Qeparo-Llogara, gjë që, sipas Prokurorisë, ka sjellë një
dëm prej rreth 2.1 milionë lekësh.
Këto tabela ishin vendosur në
kuadrin e një projekti për zhvillimin e turizmit i shtrirë përgjatë
gjithë bregdetit nga Vlora në Sarandë, i financuar nga Ministria e
Transportit, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e
Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve.
Përmes këtyre tabelave
evidentoheshin objektet me vlerë historike, arkeologjike e turistike të
zonës, mes të cilave plazhi i Dhërmiut, kalaja e Himarës, kalaja e
Porto Palermos etj.
Gjatë fazës së hetimit, Bollano ka pranuar se ka dhënë një urdhër për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe.
ShtypiDites