ANALIZË - A PËRBALLET FRANCA ME "RREZIKUN E REVOLUCIONIT"?

ANALIZË - A PËRBALLET FRANCA ME

- Nga James Mackenzie -

Simptomat janë alarmante në vendin që virtualisht ka shpikur revolucionet moderne popullore dhe ku protestat dhe demonstratat në rrugë kanë një traditë të gjatë dhe të suksesshme në detyrimin e autoriteteve për t'u dorëzuar përpara tyre.         
Gjatë javëve të fundit, punëtorët e irrituar francezë kanë marrë peng punëdhënësit e tyre, kanë sulmuar dhe bastisur një zyrë publike dhe kanë rritur mundësitë e trazirave sociale që kanë goditur një seri qeverish të mëparshme.
"Ekziston rreziku i një revolucioni në Francë", është shprehur së fundmi ish-kryeministri Dominique de Villepin, qeveria e të cilit fatalisht u godit nga trazirat e dhunshme urbane në vitin 2005 dhe protestat në rrugë kundër një kontrakte për punësimin e të rinjve vetëm një vit më pas.
Por sa real është kërcënimi që zemërimi popullor për shkak të krizës ekonomike të krijojë çarje serioze sociale në ekonominë e dytë më të madhe të zonës euro?
"Situata sot është më pak e dhunshme se sa ishte jo shumë kohë më parë. Ne ishim dëshmitarë të përleshjeve të punëtorëve të industrisë së çelikut që ishin shumë më të dhunshme se ngjarjet e fundit", u shpreh Guy Groux, specialist i çështjeve sociale dhe të punës në Institutin e Shkencës në Paris.
Kriza ekonomike dhe tregimet e përditshme për babëzinë e korporateve, bankat moskokëçarëse, mbyllja e uzinave, kanë ushqyer dyshimin e fshehtë të francezëve ndaj tregjeve e lira "ultra liberale".
Me kujtimin e gjallë të protestave të së kaluarës dhe trazirat e dhunshme të vitit 2005 në lagjet e varfëra urbane, natyra dramatike e shumë akteve të protestës padyshim që ka pushtuar kryeartikujt e shtypit dhe të medias.

    RRËMBIMI I PUNËDHËNËSVE

Teleshikuesit në Francë ishin dëshmitarë të skenave dramatike këtë javë, kur punëtorët e kompanisë gjermane "Continental", që po mbyll fabrikën e saj në Clairoix, në veri të Francës, thyen dritaret dhe shkatërruan pajisjet e uzinës dhe të zyrave lokale publike në qytezën e afërt Compiegne.
Më shumë se dhjetë drejtues të kompanive në pjesë të ndryshme të vendit janë izoluar në zyrat e tyre për më shumë se 40 orë në një seri rrëmbimesh të punëdhënësve, rezultat i frikës së punëtorëve që përballen me mundësinë e humbjes së vendit të punës për shkak të krizës.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek