- "Financial Times" -
Të goditur nga kriza ekonomike, argumentet
kushtetuese dhe shqetësimet për raportet me Rusinë, do të bënin për
udhëheqësit e Bashkimit Evropian që ndoshta të injoronin aplikimin e
Shqipërisë së vogël për anëtarësim. E lehtë, por e gabuar.
Zgjerimi
i bllokut evropian drejt lindjes është një prej sukseseve të tij më të
mëdha dhe ky proces duhet forcuar duke mbështetur shtetet e brishta në
Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
Turqia dhe Kroacia, dy vendet të cilat tashmë kanë hyrë në bisedimet për anëtarësim, kanë hasur në vështirësi.
Në
rastin e Turqisë, ekziston një mungesë thelbësore e gatishmërisë
politike të Bashkimit Evropian, e cila ka nxitur zhgënjime në Ankara.
Në rastin e Kroacisë, problemi kryesor qëndron tek konflikti kufitar që
ka me Slloveninë, për të cilin Lubjana është duke bllokuar procesin e
Zagrebit.
Katër vendet e tjera të Ballkanit
Perëndimor - Serbia, Bosnja, Maqedonia dhe Kosova - përballen me shumë
sfida para se të mund të hyjnë në bisedime për anëtarësim. Serbia duhet
të arrestojë fillimisht Ratko Mlladiçin, të akuzuarin për gjenocid;
Bosnja duhet të dëshmojë unitet më të madh midis komuniteteve të ndara
etnike; Maqedonia duhet të zgjidhë konfliktin rreth emrit me Greqinë
dhe Kosova duhet të fitojë më shumë njohje ndërkombëtare të pavarësisë
së saj.
Dhe të gjitha këto vende, përfshirë këtu
edhe Shqipërinë, duhet të bëjnë shumë më shumë në luftën kundër krimit
dhe korrupsionit. E gjithë kjo nuk do të jetë e lehtë, por do të ishte
edhe më e rëndë nëse s’do të ishin projektet për anëtarësim në
Bashkimin Evropian.
Dhe, ndërkohë, Bashkimi
Evropian duhet të gjenerojë një mbështetje më të fuqishme për zgjerimin
në Ballkan. Që prej luftërave jugosllave, Ballkani Perëndimor ka qenë
më shumë përgjegjësi e Bashkimit Evropian. Përgatitja e Ballkanit
Perëndimor për anëtarësim është rruga më e arsyeshme për përfundimin e
misionit të sigurimit të paqes dhe zhvillimit të këtij rajoni.
Ndërkohë,
Bashkimi Evropian duhet të rregullojë familjen e tij. Traktati i
Lisbonës duhet të fitojë aprovim në referendumin e përsëritur irlandez
këtë vit. Në rast të kundërt, nuk do të kishte hapësira ligjore për
anëtarë të rinj, përjashtuar Kroacinë. BE-ja duhet të fitojë gjithashtu
një mbështetje më të gjerë publike për zgjerimin me vendet e Ballkanit.
Zgjerimi i mëtejshëm duhet të argumentohet si pjesë e zgjerimit modest
të periudhës 2004-07, duke pranuar shtete pothuajse të rrethuara nga
shtetet anëtare.
Kjo do të ishte e vështirë në një kohë krize ekonomike. Por, nuk duhet të jetë e pamundur.
ShtypiDites