Manifestimet sot në festën e 1 Majit, Dita
Ndërkombëtare e Punëtorëve, degjeneruan në akte spontane dhune në
Berlin dhe Hamburg duke shkaktuar plagosjen e dhjetëra policëve, bënë
të ditur burime zyrtare.
Policia berlineze njoftoi
se 29 efektivë të forcave të rendit u lënduan dhe të paktën
12 manifestues u arrestuan, pasi afro 200 protestues me slogane
antikapitaliste sulmuan policinë me shishe, gurë dhe mjete të tjera të
forta pas një feste në rrugë në distriktin lindor Friedrichshain.
Protestuesit u vunë zjarrin disa kazanëve të mbeturinave dhe sulmuan me
mjete të forta tramvajet dhe disa makina të parkuara, njoftoi policia e
Berlinit.
Ndërkohë në Hamburg, autoritetet deklaruan se të paktën tre policë janë lënduar gjatë përleshjeve me demonstruesit.
Policia berlineze po përgatitet për përballimin e situatave më të
dhunshme gjatë marshimeve sot të anëtarëve të partive të ekstremit të
djathtë, të sindikatave të punëtorëve dhe grupe të majta.
Kriza
ekonomike globale pritet të nxisë një pjesëmarrje shumë të madhe në
manifestimet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, që
tradicionalisht përkujtohet me protesta të sindikatave të punëtorëve
në shumë qytete evropiane.
Kështu, tetë grupimet më të mëdha
sindikaliste të Francës kanë bërë thirrje për një protestë masive
mbarëkombëtare kundër masave të presidentit Nicolas Sarkozy për
përballimin e krizës ekonomike dhe ndërkohë një demonstratë shumë e
madhe pritet të zhvillohet gjithashtu në Madrit, Spanjë.
ShtypiDites