IRAK - 355 TË VDEKUR NË PRILL - BILANCI MË I RËNDË QË PREJ SHTATË MUAJVE

IRAK - 355 TË VDEKUR NË PRILL - BILANCI MË I RËNDË QË PREJ SHTATË MUAJVE

Aktet e dhunës në Irak kanë shkaktuar vdekjen e 355 civilëve, ushtarakëve dhe policëve irakianë në muajin prill, bilanci më i përgjakshëm që prej shtatë muajve, mësohet nga shifra të siguruara sot nga AFP-ja pranë Ministrive të Mbrojtjes, të Brendshme dhe të Shëndetësisë.
Numri i të vdekurve është në rritje me 40 për qind në krahasim me muajin mars, ku, sipas këtyre burimeve, kanë vdekur 252 persona. Aktet e dhunës nuk kishin arritur një nivel të tillë që prej shtatorit të vitit 2008, kur 440 persona kanë gjetur vdekjen.
Numri i të plagosurve është rritur në 747, shumica civilë.
Po sipas këtyre burimeve, që prej fillimit të vitit, 1 056 persona janë vrarë në Irak.
Në të njëjtën kohë, 24 ushtarakë irakianë kanë humbur jetën dhe 10 të tjerë janë plagosur gjatë këtyre akteve të dhunës.
Edhe policia irakiane ka patur humbje të mëdha me 41 të vdekur dhe 97 të plagosur.
Përveç këtyre, 53 rebelë të dyshuar janë vrarë dhe 831 të tjerë janë arrestuar. Muajin e kaluar 45 rebelë të dyshuar janë vrarë dhe 650 të tjerë janë arrestuar.
Situata duket relativisht e qëndrueshme në vend, edhe pse aktet e dhunës, kryesisht atentate ose vrasje, vazhdojnë të jenë pothuaj të përditshme.
Sipas një bilanci të hartuar nga qendra .icasualties., ushtria amerikane ka humbur gjithashtu 18 ushtarakë në muajin prill kundrejt 9 në mars, gjë që i çon në 4 281 humbjet e amerikanëve në Irak që nga marsi i vitit 2003


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek