KROACI - NJË POLIC HUMB JETËN, KATËR TË TJERË PLAGOSEN NË SULMIN NDAJ NJË BANKE

KROACI - NJË POLIC HUMB JETËN, KATËR TË TJERË PLAGOSEN NË SULMIN NDAJ NJË BANKE

Një polic kroat humbi jetën dhe katër të tjerë u plagosën gjatë një plaçkitjeje me armë të një banke të kryeqytetit kroat, Zagreb, mësohet sot nga burime policore.
Disa policë ndërhynë dje në mbrëmje, pas një alarmi për vjedhje në një degë të bankës austriake Raiffeisen, deklaroi për median zëdhënësja e policisë, Aleksandra Ljuba.
Fillimisht, njëri nga agresorët hapi zjarr me armë automatike kundër disa policëve në hyrje të bankës. Një polic, 24 vjeç, mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos, shtoi Ljuba.
Pasi ishte larguar rreth 300 metra nga zyra e bankës, autori i ngjarjes hapi sërish zjarr kundër një patrulle tjetër policore duke plagosur tre policë të tjerë.
Katër policët e plagosur u dërguan në spital, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë, bën të ditur një burim spitalor.
Dy personat që morën pjesë në këtë vjedhje me armë, njëri prej të cilëve qëlloi mbi policët, u arrestuan dje në orët e vona të mbrëmjes.
Sipas televizionit privat Nova TV, dy personat kishin kryer së bashku përpara shtatë viteve një vjedhje të armatosur të ngjashme dhe sapo kishin kryer dënimin me shtatë dhe pesë vjet burg


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek