DERRI I VETËM AFGAN VENDOSET NË KARANTINË PËR SHKAK TË... GRIPIT!

DERRI I VETËM AFGAN VENDOSET NË KARANTINË PËR SHKAK TË... GRIPIT!

Frika nga gripi i derrave ka shtyrë drejtorin e kopshtit zoologjik në Kabul të izolojë derrin e vetëm që ekziston në Afganistan, i cili nuk mund të endet më në bar dhe në ëmbëlsinë e pranverës me mikeshën e tij më të mirë, një dhi. 
Derri, së bashku me disa kafshë të tjera iu dhuruan Afganistanit në vitin 2002 nga Kina, që kërkonte të investonte në rindërtimin e kopshtit zoologjik kryesor në vend. 
"Ne e kemi vendosur përkohësisht në karantinë derrin, për shkak frikës së gripit të derrave'', deklaroi drejtori i kopshtit zoologjik, Aziz Gul Saqib.
"Pjesa më e madhe e njerëzve nuk kanë shumë informacion përsa i përket gripit të derrave dhe duke parë derrin, ata mund të tremben duke menduar se janë të kontaminuar. Për të qetësuar vizitorët tanë, ne e kemi vendosur  që prej dy ditësh në karantinë, larg syve të tyre'', shtoi ai. 
Prodhimet e derrit hyjnë ilegalisht në Afganistan pasi konsumimi i mishit të derrit është i ndaluar nga islami. Asnjë fermë nuk rrit derra dhe është e pamundur të shikosh derra të gjallë. 
"Derri është bërë miku i një dhie dhe ndihet i lumtur që kalon kohën me të në parkun e mbyllur, ku shëtisin edhe dhi dhe drerë të tjerë'', theksoi drejtori i kopshtit zoologjik. 
Kopshti zoologjik i Kabulit ndodhet në kushte shumë të këqija dhe ka shumë pak kafshë,  që jetojnë në kushte të mjerueshme. 
Gjatë luftës civile, ku si pasojë humbën jetën rreth 80 000 civilë nga viti 1992 deri në vitin 1996 u shkatërrua pothuajse gjysma e kryeqytetit afgan. 
Për momentin, në Afganistan  nuk është konfirmuar asnjë rast me virusin e gripit të derrave.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek