GJERMANIA: SHBA-ja NUK KA DHËNË INFORMACION TË MJAFTUESHËM PËR TË BURGOSURIT E GUANTANAMOS

GJERMANIA: SHBA-ja NUK KA DHËNË INFORMACION TË MJAFTUESHËM PËR TË BURGOSURIT E GUANTANAMOS

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë dhënë Gjermanisë informacione të mjaftueshme lidhur me të burgosurit në Guantanamo, që do t'i lejonin Berlinit të merrte një vendim për të pranuar ose jo disa prej tyre, theksoi sot ministri i Brendshëm, Wolfgang Schaeuble për një të përditshme gjermane.
Në një intervistë që pritet të publikohet në numrin e nesërm të gazetës më të shitur gjermane, "Bild", ministri Schaeuble përcaktoi gjithashtu një sërë kriteresh strikte që ai do të marrë parasysh për të vendosur për pranimim ose jo të disa prej të izoluarve të burgut ushtarak amerikan për të dyshuarit për terrorizëm.
Presidenti amerikan Barack Obama është zotuar për mbylljen e qendrës famëkeqe deri në fillim të vitit të ardhshëm dhe u ka kërkuar aleatëve evropianë për të pranuar të burgosurit, të cilët konsiderohen si të parrezikshëm për sigurinë, por që nuk mund të kthehen në vendet e tyre.
Gazeta "Bild" njoftonte se Uashingtoni i kishte paraqitur Berlinit një listë të nëntë myslimanëve kinezë, anëtarë të grupit etnik ujgur, dhe shpresonte në gatishmërinë e Gjermanisë për t'i pranuar ata.
"Informacioni që kemi marrë deri tani nga Uashingtoni është i pamjaftueshëm për të marrë një vendim për të pranuar ose jo secilin prej tyre", tha Schaeuble për gazetën.
Një zëdhënës i qeverisë deklaroi këtë javë se procesi për shqyrtimin e secilit rast sapo kishte filluar dhe se "bisedime intensive" do të zhvillohen lidhur me këtë çështje gjatë javëve të ardhshme.
Disa vende evropiane kanë shprehur sinjale gatishmërie për të pranuar ish-të borgusur të Guantanamos.
Por ndërkohë në Gjermani, konsideratat politike kanë zbehur këtë çështje në prag të zgjedhjeve federale të shtatorit ndërsa brenda "koalicionit të madh" të Merkelit ka qendrime të ndryshme.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek