MESAZHE TË FUQISHME NË FUNDIN E PELEGRINAZHIT TË PAPË BENEDIKTIT XVI NË TOKËN E SHENJTË

MESAZHE TË FUQISHME NË FUNDIN E PELEGRINAZHIT TË PAPË BENEDIKTIT XVI NË TOKËN E SHENJTË

Papë Benedikti XVI dënoi sot personalisht Holokaustin, duke u premtuar izraelitëve se shfarosja brutale e hebrenjve nga regjimi "i pafe" nazist nuk do të harrohet dhe nuk do të mohohet kurrë.
Premtimi i tij duket se është një përgjigje ndaj zhgënjimit që një pjesë e izraelitëve shprehën ndaj komenteve të Atit të Shenjtë në fillimit të turit të tij në Tokën e Shenjtë, lidhur me shfarosjen e gjashtë milionë hebrenjve nga bashkëatdhetarët e tij gjermanë gjatë Luftës II Botërore.         
Në fund të pelegrinazhit të tij në Tokën e Shenjtë, për të cilin kreu 82-vjeçar i Vatikanit u shpreh se i ngjalli "përshtypje të fuqishme" shprese, por edhe trishtimi, ai bëri gjithashtu thirrje për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve, "në mënyrë që secili popull të jetojë i lirë dhe i sigurtë në shtetin e tij, përkrah fqinjëve të mirë dhe të besueshëm".
"Një nga pamjet më të trishtueshme gjatë vizitës sime në këto vende ishte muri", u shpreh ai lidhur me murin e lartë që Izraeli ka ndërtuar mes Jerusalemit dhe Betlehemit, qyteti palestinez, që sipas librave të shejtë është vendlindja e Jezu Krishtit.
"Kalova përgjatë tij dhe u luta për një të ardhme ku popujt e Tokës së Shenjtë të jetojnë në paqe dhe harmoni pa nevojën e instrumentave të tillë të sigurisë dhe ndarjes", deklaroi Papa përpara largimit nga aeroporti i Tel Avivit.
Vizita e kreut të Selisë së Shenjtë është pritur me shumë shpresë në Lindjen e Mesme, ku përpjekjet për paqe aktualisht janë bllokuar. Por në fillim të vitit, vizita e tij ishte në dyshim, pasi marrëdhëniet me Izraelin u përkeqësuan për shkak të vendimit të Papës për të riemëruar një klerik të lartë katolik, i njohur për komentet dhe mohimin e përmasave të Holokaustit, njëra prej një sërë çështjesh që shkaktojnë zemërimin e hebrenjve ndaj Vatikanit.
Duke shpresuar për një ndjesë të Papë Benediktit gjatë kësaj jave, disa politikanë dhe liderë fetarë deklaruan se "Ati i Shenjtë kishte humbur një mundësi të madhe". Ata u zhgënjyen nga ai që ata e cilësuan si "një fjalim jo personal" gjatë vizitës së Papës në memorialin Yad Vashem dhe sipas tyre "dënimi i mohuesve të Holokaustit ishte thjesht mekanik".
Por në fjalimin e sotëm, ndërsa përcillej nga presidenti Shimon Peres dhe kryeministri Benjamin Netanjahu, Papë Benedikti u shpreh se takimi i tij me të mbijetuarit i Holokaustit në mauzoleun Yad Vashem, në Jerusalem, ishte "një nga momentet më solemne të pelegrinazhit njëjavor në Tokën e Shenjtë".
"Ata njerëz që takova më ringjallën kujtimet e vizitës sime tre vjet më parë në kampin e vdekjes në Aushvitz, ku shumë hebrenj, nëna, baballarë, motra, vëllezër, u shfarosën në mënyrën më brutale nga një regjim i pafe", deklaroi ai në aeroportin Ben Gurion.
Ideologjia naziste e urrejtjes dhe antisemitizmit kishte shkruar "një kapitull të tmerrshëm të historisë që kurrë nuk duhet të harrohet apo mohohet", theksoi ai në një gjuhë dhe ton më të fuqishëm se deklaratat e mëparshme, për të cilat një anëtar i parlamentit izraelit ishte shprehur se "kjo nuk ishte ajo që hebrenjtë prisnin të dëgjonin nga një njeri ish-anëtar i Rinisë Hilteriane dhe ushtar gjerman gjatë Luftës II Botërore.   

    NJË SHTET PËR PALESTINEZËT

Përpara largimit për në Romë, Papa ripërsëriti mesazhin e tij politik për paqe dhe dhënien fund të pushtimit izraelit të Bregut Perëndimor dhe krijimi i një shteti palestinez.
Ai e përsëriti disa herë këtë thirrje gjatë turit të tij pesëditor, duke qenë i vetëdijshëm se qeveria e re izraelite ende nuk është shprehur qartë lidhur me zgjidhjen me përpjekjet e Perëndimit për një zgjidhje të paqes me "dy shtete" përkrah njëri-tjetrit.
Marrëdhëniet midis kristianëve dhe myslimanëve kanë qenë të ndera në shumë epoka të historisë, deklaroi Ati i Shenjtë sot, por ata "janë degët e së njëjtës pemë ulliri, të ushqyer nga të njëjta rrënjë dhe të bashkuar nga dashuria vëllazërore".
Ky apel u bë 61 vjet nga dita kur Izraeli u bë shtet, një ditë e njohur si "Nakba", apo dita e katasrofës nga palestinezët, gjysma e të cilëve u larguan apo u dëbuan nga shtëpitë e tyre në vitin 1948.
E drejta e Izraelit për të ekzistuar dhe për të jetuar i sigurtë duhet të njihet në mënyrë universale, deklaroi ai, dhe në të njëjtën kohë duhet të pranohet se "populli palestinez ka të drejtë të jetë për një shtet të tijin sovran".


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek