Biden paralajmëron Bosnjën

Biden paralajmëron Bosnjën
Zv-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka paralajmëruar Bosnjë-Hercegovinën kundër rrëshqitjes në një kaos tjetër etnik.

Në një fjalim para parlamentit në Sarajevë, ai u bëri thirrje popujve të Bosnjës që të tejkalojnë ndarjet etnike dhe të refuzojnë nacionalizmin si dhe të punojnë bashkë në krijimin e një shteti të vetëm sovran.

Zoti Biden gjithashtu i tha parlamentit të Bosnjës se ai shpresonte që serbët të hiqnin dorë nga kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës dhe të punojnë me bashkësinë ndërkombëtare për të ndihmuar popullin e Kosovës.

Zoti Biden qëndroi në Sarajevë para se të shkojë në Serbi dhe Kosovë.

Ky udhëtim shihet nga shumë në rajon si sinjal i rëndësishëm se Ballkani nuk do të injorohet nga administrata amerikane.

Rajoni nuk ka qenë shumë lart në agjendën e politikës së jashtme që me zgjedhjen e presidentit Obama.

Një zyrtar amerikan tha se vizita e Joe Bidenit do të rikonfirmojë përkrahje për integrim të Ballkanit në BE dhe NATO.

Zv/presidenti pritet të gjejë një mirëseardhje të ngrohtë në Kosovë dhe Bosnjë, por ai nuk është figurë aq popullore në Serbi. Ai fuqishëm përkrah pavarësinë e Kosovës.

Për Beogradin, Kosova mbetet pengesa më e madhe në marrëdhëniet me SHBA-në, por më herët këtë vit, presidenti serb Boris Tadiç tha se donte të hapte një kapitull të ri me Uashingtonin, pasi marrëdhëniet e mira do të sigurojnë stabilitet në rajon.


BBC
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek