FSHF VAZHDON HETIMET PËR NDESHJET E SUPERLIGËS

FSHF VAZHDON HETIMET PËR NDESHJET E SUPERLIGËS

- Situata kaotike që ka përfshirë futbollin shqiptar ka shqetësuar presidentin e FSHF-së, Armand Duka, pasi Java e 31-të dhe e 32-të e Super Ligës përflitet se është trukuar nga disa ekipe, të ashtuquajtura të dala jashtë objektivave të sezonit.

Ndeshja më e përfolur për përlyerje është ajo mes Shkumbinit dhe Bylisit në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”. Para fillimit të ndeshjes u përfol se peqinasit do të toleronin, gjë që u vërtetua edhe me rezultatin 2-0 në favor të modestëve të Bylisit, të cilët në historinë e tyre, një rezultat të tillë në transfertën e Shkumbinit, nuk e kanë arritur ndonjëherë.

Një tjetër fakt publik është edhe dorëheqja e trajnerit Gugash Magani, i cili nuk pranoi në mënyrë kategorike të drejtonte Shkumbinin në një ndeshje teatri. Për më tepër, edhe vetë ish-presidenti i Shkumbinit, Xhavit Ismaili ka deklaruar se “skuadra e tij nuk ishte e motivuar”.

Ndërkohë, presidenti i FSHF-së pohon se kanë nisur hetimet për këtë takim, hetime të cilat pritet të sjellin situata të papritura në Superligën e përlyer shqiptare.             “Për ndeshjen Shkumbini-Bylis, FSHF-ja ka dërguar një komision te posaçëm të përbërë prej 5 vetash, të cilët kanë sjellë materialet e nevojshme për këtë rast", deklaron Duka.      Më tej ai shtoi se "dy ditët e fundit kur ky komision ka thirrur përfaqësues dhe drejtues të Shkumbinit për t’i pyetur rreth kësaj çështjeje, askush prej tyre nuk është paraqitur”.         Sipas Dukës, "persona të këtij komisioni edhe sot kanë shkuar në Peqin dhe nuk e di nëse kanë marrë deklarata të përfaqësuesve të Shkumbinit. FSHF-ja gjithmonë është përpjekur t’i luftojë trukimet ne futboll, por njerëz që hyjnë e dalin nga loja e futbollit, që quajnë veten presidentë, por që në fakt janë pseudopresidentë, kërkojnë t'a ndyjnë futbollin, kurse ne do te mundohemi ta mbajmë pastër”, përfundon presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Vendimi për këto ndeshje do të jepet nga Komisioni i Drejtësisë Sportive, pasi sipas FSHF-së “ky rast nuk është një shkelje e disiplinës sportive por një shkelje e “Fair-Play-t në futboll”.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek