Kosova pret në festë zëvendëspresidentin
amerikan, Joseph Biden në vizitën e sotme të vlerësuar si historike nga
institucionet e vendit dhe populli, ndërkohë që përgatitjet për
mikpritjen shihen kudo në Prishtinë, kryeqytetin e shtetit më të ri në botë.
Dje pasdite
në kryeqytet kishin përfunduar punët në zbulurimin e shesheve dhe
rrugëve me flamuj amerikanë dhe të Kosovës dhe në vendosjen
e fotografive të mëdha të zëvendëspresidentit amerikan Biden.
Në
mbledhjen e djeshme të qeverisë së Kosovës, kryeministri Thaçi tha se
“të gjitha institucionet e vendit kanë bërë të gjitha përgatitjet që
pritja për zëvendëspresidentin amerikan të jetë e nivelit më të lartë
shtetëror”.
Nga mbledhja e qeverisë së Kosovës, në ditën kur zëvendëspresidenti Biden ndodhej për vizitë në Beograd, kryeministri Thaçi drejtoi mesazhin e gatishmërisë së Kosovës për raporte të mira edhe me Serbinë.
“Duam të kemi raporte të mira edhe me Serbinë, si dy shtete të pavarura”, theksoi Thaçi.
Ndërkohë, për ATSH-në Thaçi tha se ''e
vlerësova edhe në mbledhjen e qeverisë se kjo është vizitë historike.
Është edhe një vizitë me mesazh për të ardhmen e thellimit të
bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara
të Amerikës. Mesazh për mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve për paqen,
stabilitetin dhe zhvillimin e demokracisë e përspektivës euroatlantike
për rajonin''.
Pritet që Biden të takojë autoritetet më të larta të vendit dhe të flasë në Kuvendin e Republikës së Kosovë.
Sipas medias, presidenti Fatmir Sejdiu do ta dekorojë zëvendëspresidentin Biden me “Medaljen e Artë të Lirisë”.
Ajo shton se Shkolla
Amerikane në Kosovë ka zgjedhur 50 nxënës që do të përshëndesin në
Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës zëvendëspresidentin Biden.
SHBA është vendi i parë në botë me prani diplomatike në Prishtinë prej mëse 14 vitesh.
Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë më 6 qershor 1996, u bë nga nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum.
Më 6 prill 2008 zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë ambasadë, ndërsa më 18 korrik po të vitit të kaluar Tina Kaidanow u bë ambasadorja e parë amerikane në Republikën e Kosovës
ShtypiDites