PRISHTINA: REZOLUTA E OKI-t REZULTAT I PROGRESIT TĖ KOSOVĖS

PRISHTINA: REZOLUTA E OKI-t REZULTAT I PROGRESIT TĖ KOSOVĖS

Rezoluta e Organizatës së Konferencës Islamike (OKI) është njohje për progresin dhe realitetin e Kosovës me shumë miq partnerë ndërkombëtarë, vlerësuan sot presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi.
Në një konferencë të përbashkët shtypi ata shprehën vlerësimin dhe falënderimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për rezolutën e djeshme të miratuar në Damask.

“Me këtë rezolutë shprehet mendimi i përbashkët i të gjitha vendeve anëtare të Konferencës Islamike për të vlerësuar proceset pozitive që ka kaluar Kosova, që është drejpërdrejt njohje e realiteteve dhe e zhvillimeve tona pozitive”, theksoi presidenti Sejdiu.

Në këtë drejtim ai përmendi edhe shembujt e drejtpërdrejtë të disa vendeve me influencë në kuadër të Konferencës Islamike që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në mesin e të cilave qëndrimin e Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Duke shprehur mirënjohjen për të gjitha ato shtete që po e përkrahin shtetin e ri, presidenti Sejdiu tha se “institucionet e vendit mbeten të përkushtuara që Republika e Kosovës të jetë shtet demokratik i të gjithë qytetarëve, me një kujdes të veçantë për komunitetet pakicë, me një prioritet të vazhdueshëm në raportet e mira me fqinjët”.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të korrespondentit të ATSH-së, kryeministri Thaçi vlerësoi rezolutën si rezultat i progresit të Kosovës dhe mbështetjes ndërkombëtare.

“Roli i partnerëve dhe miqve ka qenë mjaft i rëndësishëm dhe jemi shumë mirënjohës. Diplomacia kosovare ka miq dhe partnerë shumë të fuqishëm”, theksoi kryeministri Thaçi.
“Edhe pse deri tani vetëm 13 nga 57 shtetet anëtare të Konferencës Islamike e kanë pranuar shtetin e Kosovës, miratimi me unanimitet të plotë i kësaj rezolute është mesazh i qartë dhe shtytje edhe më e madhe që të gjitha këto shtete në të ardhmen e afërt  ta njohin Republikën e Kosovës”, theksoi ai.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek