REZOLUTA E OKI-t DO T'I HAPË RRUGË NJOHJES SË PAVARËSISË SË KOSOVËS

REZOLUTA E OKI-t DO T'I HAPË RRUGË NJOHJES SË PAVARËSISË SË KOSOVËS

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, është shprehur të hënën, gjatë një takimi në Tiranë me Ambasadorët e Organizatës së Konferencës Islamike të akredituar në Shqipëri, se "rezoluta që kjo organizatë miratoi pak ditë më parë për Kosovën do t'i hapë rrugë njohjes së pavarësisë së saj".
Zyra e shtypit e Ministrisë së Punëve të Jashtme bëri të ditur se ministri Basha i falenderoi Ambasadorët e Arabisë Saudite, Egjiptit, Iranit, Libisë, Palestinës dhe Turqisë për mbështetjen që qeveritë e këtyre vendeve dhe të gjithë anëtarët e Organizatës së Konferencës Islamike i dhanë Rezolutës së paraqitur nga Shqipëria për Kosovën në Ministerialin e Damaskut, më 23-25 maj.  
Gjatë bashkëbisedimit me Ambasadorët, ministri Basha, duke ju referuar edhe takimeve në Damask me homologët e tij, shprehu bindjen se "miratimi i kësaj rezolute do t’i hapë rrugë njohjes të pavarësisë së shtetit të ri të Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike".
Ministri Basha e konsideroi këtë Rezolutë një sukses për organizatën, duke theksuar se  ajo "është e një rëndësie të veçantë, pasi, ndër të tjera, Organizata prej 57 shtetesh, njeh se zhvillimet e fundit në Kosovë, pra pavarësia e saj dhe ndërtimi i institucioneve, kanë kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon".
Ministri i Jashtëm Basha vlerësoi gjithashtu gatishmërinë e shprehur nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës për të mbështetur Kosovën dhe ekonominë e saj si dhe thirrjen që Ministeriali i Damaskut i drejtoi nëpërmjet rezolutës gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojë të mbështesë forcimin e Kosovës.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek