Në ditën e tretë të vizitës së
delegacionit të Kosovës në Uashington sot pritet të nënshkruhet edhe
një marrëveshje me Korporatën e Investimeve Private Jashtë Vendit
(OPIC), një agjenci e qeverisë amerikane që ndihmon bizneset e vogla
amerikane duke u ofruar shërbime në investimet e tyre jashtë SHBA-së.
Zyrtarët
e Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, do
të zhvillojnë sot një takim me zëvendësekretarin e Departamentit
amerikan të Financave, Eric Meyer, department që ka premtuar një
donacion prej 150 milion dollarësh për shlyerjen e një pjese të borxhit
që Kosova i detyrohet Bankës Botërore që nga periudha e
ish-Jugosllavisë.
Tërësia e borxhit të Kosovës ndaj Bankës Botërore arrin në një shumë prej 381 milionë dollarësh.
Liderët
kosovarë u takuan mbrëmë me presidentin e Bankës Botërore, Robert
Zoellick si dhe me Drejtorin e FMN-së, Dominique Strauss-Khan.
Presidenti
Sejdiu falënderoi zyrtarët e Bankës Botërore si dhe FMN-në për ndihmën
dhe asistencën teknike që të dy institucionet i kanë dhënë Kosovës pas
luftës.
Kryeministri Thaçi tha se
anëtarësimi në FMN dhe BB është mundësia e investimit në projekte të
përbashkëta publike që financohen nga BB-ja. Ai veçoi nevojën e Kosovës
për investime në energji, në infrastrukturën rrugore, si dhe në fusha
të tjera si arsimi, shëndetësia, mjedisi dhe bujqësia.
Gjatë
këtij takimi, liderët kosovarë nënvizuan se duke u bërë pjesë e
familjes së institucioneve financiare botërore, Kosova po tregon qartë
vullnetin dhe përgjegjësinë drejt integrimeve në BE dhe institucionet
euroatlantike.
"Anëtarësimi në institucione të tilla ofron siguri për investitorët e huaj", u shprehën ata.
ShtypiDites