Boiko Borisov, ish-zjarrfikës dhe ish-truprojë,
aktualisht kryetari i Bashkisë së vrullshme të Sofjes, është fituesi
i zgjedhjeve legjislative të së dielës në Bullgari në krye të opozitës
së qendrës së djathtë, por ai duhet të gjejë një partner për të formuar
një mazhorancë parlamentare.
Djali
i një polici dhe një mësueseje, Borisov, 50 vjeç, një muskuloz
trupmadh, me flokë të qethur shkurt dhe fytyrë zeshkane, punoi
fillimisht si zjarrfikës. Praktikues i karatesë së nivelit të lartë, ku
ka fituar brezin e zi, ai ka dhënë mësime karatje në klubin sportiv të
Ministrisë së Brendshme.
Pas rrëzimit
të komunizmit në vitin 1990, Boiko Borisov, themeloi ndërmarrjen e tij,
Ippon, e specializuar fillimisht për tregtimin e tekstileve përpara se
të bëhej truprojë. Ai garantonte sigurinë e ish-diktatorit komunist
Todor Jivkov pas shkarkimit të tij më tej me atë të ish-mbretit Simeon
II të Saxe-Cobourg-Gotha me kthimin në vend në vitin 1996 pas 50 vjetë
mërgimi.
"Kam patur fatin e rrallë të
dëgjoj, në një atmosferë jozyrtare, si numrin një të komunizmit dhe
antipodin e tij, ish-monarkun. Ajo që kam dëgjuar prej tyre më bëri të
kuptoja historinë, mekanizmat e pushtetit në kuadrin e ekonomisë dhe
politikës së jashtme", i deklaroi pesëdhjetëvjeçari AFP-së.
Pasi
ish-mbreti u bë kryeministër i mbështetur nga një valë entuziazmi
popullor në vitin 2001, Boiko Borisov u ngarkua me veprimtarinë
operacionale në Ministrinë e Brendshme dhe u shpall gjeneral.
Gjithmonë i pranishëm në vendin e krimit apo të aksidentit, duke
kritikuar mungesën e efektshmërisë së drejtësisë, ai siguroi një
popullaritet të madh, pasi shumë qytetarë shihnin tek ai "dorën e
fortë" përballë kriminalitetit.
Që prej nëntë vjetësh, ai ndodhet në krye të klasifikimeve të popullaritetit bashkë me presidentin e djathtë Guergui Parvanov.
Pasi
u zgjodh kryetar i bashkisë së Sofjes në vitin 2005, performanca e tij
u bë më pak bindëse, kryeqyteti vazhdoi të përballej me problemin e
trajtimit të plehërave dhe të bllokimeve të rënda të trafikut.
Ai
themeloi në dhjetor të vitit 2006 partinë Qytetarë për një zhvillim
evropian të Bullgarisë (GERB, qendër e djathtë), e mbështetur
gjerësisht nga kryetarët e bashkive të vendit dhe që u bë shpejt partia
kryesore e opozitës. Falë karizmës së tij, Boiko Borisov arrin të hyjë
në arenën politike, por ia beson drejtimin operacionl të GERB-it
ish-"krahut të tij të djathtë" në Ministrinë e Brendshme, Tsvetan
Tsvetanov.
Sipas analistëve, popullariteti i tij
i madh shpjegohet me mënyrën e tij të të folurit lirshëm dhe me
kritikën ndaj apatisë së qeverisë dhe aparatit shtetëror. Duke folur
me një ton të çlirët, ai është i kursyer në fjalë dhe përdor shpesh
nënkuptime. Kështu, ai bëri që të krijohej një situatë ankthi lidhur me
planet e tij pas fitores.
"Për të
bërë reforma, për të kryer ndryshime radikale, nevojitet një shumicë",
theksoi ai për AFP-në përpara zgjedhjes. I matur kur është fjala për
koalicione, ai theksoi se një partner i vogël i mundshëm mund të ishte
një ndihmë e madhe për të.
Shoqja e Boiko
Borisovit, Tsvetelina Borislavova, është bankiere. Në shtëpinë e tyre
luksoze në periferi të Sofjes, ku shihen plot trofe gjahu, ai mban
tre qen gjahu të racës bullgare "berger"
ShtypiDites