Komisioni Evropian miratoi sot drejtimin strategjik të ndihmës financiare të BE-së për Shqipërinë. Dokumenti i Planifikimit Indikativ Shumëvjeçar (MIPD) për periudhën 2009-2010 konfirmon përparësitë e ndihmës financiare për Shqipërinë në tre fusha kryesore: reforma politike dhe ndërtimi i institucioneve demokratike; reforma ekonomike; dhe aftësia për të përballuar përgjegjësitë e anëtarësisë. Një përbërës i veçantë i dokumentit strategjik ka të bëjë me bashkëpunimin ndërkufitar.
Sipas burimeve nga Zyra e Delegacionit të KE në Tiranë, ndihma financiare jepet në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para-anëtarësimit (IPA) në fusha të caktuara ndërhyrjeje dhe synon të mbështesë Shqipërinë për tu përgatitur për anëtarësim në BE. Për periudhën 2009-2011, shuma e përgjithshme indikative e ndihmës së BE-së për Shqipërinë, në formë grantesh nga buxheti I BE-së, është 269.4 milion EUR. Pjesa më e madhe e buxhetit përcaktohet drejt mbështetjes së aktiviteteve të Përbërësit të parë të IPA, i cili është Ndihmë për Tranzicionin dhe Ngritjen e Institucioneve (237.9 milion EUR). Një pjesë më e vogël do t'i shkojë Përbërësit të dytë të IPA, i cili është Bashkëpunimi Ndërkufitar (31.5 milion EUR).
Më specifikisht, fushat kryesore të ndërhyrjes në kuadër të kërkesave politike do të përfshijnë reformën e administratës publike dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve kyçe me qëllim zhvillimin e qeverisjes së mirë. Një tjetër përparësi e IPA është të mbështesë reformën e gjyqësorit dhe të policisë, të mbështesë masa që ndihmojnë luftën kundër korrupsionit dhe që forcojnë sistemin politik. Gjithashtu, janë parashikuar fonde IPA për zhvillimin e medias, inkurajimin e përfshirjes shoqërore dhe ekonomike të pakicave dhe grupeve në nevojë, si edhe dialogun me shoqërinë civile.
| Tiranë | 18 | °C | |
| Prishtinë | 16 | °C | |
| Ulqin | 18 | °C | |
| Shkup | 16 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.52 | 142.14 |
| USD | 106.95 | 111.35 |
| GPB | 168.71 | 175.65 |
| CHF | 113.60 | 118.27 |