Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve i komunës Ballagat, të rrethit të Lushnjes, ku dje u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme lokale për kreun e komunës, shpalli fitues kandidatin e PD-së, Sherbet Sharka, i cili mori 1065 vota, kundrejt 394 vota që kishte kandidati socialist, Neshat Sharka.
Gara elektorale për kreun e komunës Ballagat u zhvillua e qetë dhe pa probleme në tetë qendrat e votimit, ndërsa në votime morën pjesë rreth 1460 zgjedhës nga 2600 votues të regjistruar në listat zgjedhore.
“Votuam ndryshimin dhe Kryeministrin Berisha, që di të bëjë realitet premtimet dhe të mbajë kontratën me qytetarët. Kemi tre mandate që ja japim votën PS-së dhe shpërblimi ka qënë braktisja dhe harresa. Nuk ka pasur asnjë investim, por vetëm shpërdorime dhe përvetësime të të ardhurave tona nga të zgjedhurit dhe premtime të pambajtura të politikës", u shpreh për ATSH-në, një banor i zonës.
Zgjedhjet e pjesshme lokale në komunën Ballgat u zhvilluan pas shkarkimit për abuzime me detyrën të ish-kryekomunarit Fatos Sharka.
Komuna Ballagat është një nga komunat më të mëdha të rrethit të Lushnjes, me rreth 3600 banorë të shpërndarë në 8 fshatra. Qendra e komunës ndodhet 10 km në juglindje të qytetit të Lushnjes. Ajo ka nën administrim një territor me sipërfaqe rreth 1800 ha , ku dominojnë toka arë dhe blloqe me frutikulturë. Komuna është e pasur me rezervuare natyrore./m.m//a.gj/
ShtypiDites