Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste,
Ben Blushi, njëkohësisht deputet i Qarkut të Korçës deklaroi dje në
mbrëmje, se "Partia Socialiste duhet të reformohet, pasi ka nevojë për
më shumë demokraci të brendshme".
I
ftuar në një emision televiziv, z. Blushi komentoi edhe njëherë humbjen
e PS-së në zgjedhjet parlamentare, si dhe kërkoi përballjen me
realitetin dhe gjetjen e shkaqeve dhe gabimeve në Partinë Socialiste.
"Arsyeja
e humbjes nuk duhet kërkuar te kundërshtarët apo te vjedhja e votave",
tha z. Blushi, duke shtuar se "kjo formë arsyetimi është vetëm një
alibi personale e Edi Ramës për të mbajtur postin e kryetarit të PS-së
dhe nuk është një zgjedhje për PS-në".
Sipas tij,
"Edi Rama nuk duhet të mbajë postin e kryetarit të PS-së dhe për më
tepër nuk duhet të rikandidojë në Kongresin e Jashtëzakonshëm të 29
gushtit. Ai tenton të rikandidojë edhe pse statusi i PS-së nuk ia lejon
këtë".
Duke kritikuar kreun e PS-së për mënyrën
se si drejtoi fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit, z.
Blushi theksoi se "ai nuk pati guximin të vendosej në garë si kandidat
dhe nuk doli në debat me Berishën".
"Teoria
e Edi Ramës përtej të majtës dhe të djathtës nuk i dha atij votat që
priteshin. Nuk kishte cilësi të mjaftueshme për të bërë diferencën",
vijoi Blushi.
Përballë panelit të gazetarëve,
Blushi deklaroi fillimin e punës për një projekt që mund të ndryshonte
PS-në, do ta afronte atë më shumë me elektoratin e majtë, por edhe do
të bashkonte në tërësi të majtën". "E majta shqiptare ka nevojë të
riformatohet dhe elektorati shqiptar ka nevojë për një të majtë të re",
tha më tej ai.
Për sa i përket koalicionit
paszgjedhor PD-LSI, Blushi theksoi se "Edi Rama duhet t'i kishte bërë
Metës një ofertë konkrete për bashkëpunim pas zgjedhjeve".
ShtypiDites