Në 24 orët e fundit, shërbimet e policisë në qarkun e Tiranës arrestuan 6 persona, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim, si autorë të dyshuar në një sërë veprash penale, ndër to, vjedhje, kanosje dhe shpërndarje narkotikësh.
Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, forcat e policisë arrestuan dy të mitur me inicialet M.U dhe O.K, pasi dyshoheshin për vjedhjen e një dyqani në Tiranë. Me të njëjtën akuzë u arrestua një person tjetër, Edison Demiraj, 19 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.
Duke ju referuar njoftimit të policisë, në Kavajë u arrestua shtetasi Albert Bajrami, ndërkohë që u shpallën në kërkim, Dorian Qafa dhe Erald Qafa, kur dyshohen se kanë tentuar të vjedhin një automjet në plazhin e Golemit.
Në pranga ka përfunduar edhe 27 vjeçari Gentian Ruka, i dyshuar për kanosjen e një shtetaseje ndërkohë që shërbimet e antidrogës arrestuan në flagrancë shtetasin Bledar Bilbili, 30-vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me - 52.8 gram bimë narkotike e llojit "Cannabis Sattiva".
Çështjet ndaj këtyre shtetasve i kaluan për hetime të mëtejshme organit të prokurorisë.
ShtypiDites