SPORT-FUTBOLL/ FSHF GATI PĖR TĖ ZBARDHUR KALENDARIN E SEZONIT TĖ RI FUTBOLLISTIK

 SPORT-FUTBOLL/ FSHF GATI PĖR TĖ ZBARDHUR KALENDARIN E SEZONIT TĖ RI FUTBOLLISTIK

Sektori i Garave, pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ka vendosur që shorti për sezonin e ri futbollistik 2009-2010 të hidhet paraditen e së mërkurës në hotel Rogner EuroPapark në Tiranë. 
Lajmi është bërë i ditur nga shefi i zyrës së shtypit pranë FSHF-së, Tritan Kokona, i cili ka theksuar se shorti do të hidhet konkretisht për Kampionatin e 71-të Kombëtar, Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë.
 “Gjithçka është plotësisht në rregull dhe Federata Shqiptare e Futbollit është duke bërë përgatitjet e fundit për të përcaktuar kalendarin e përballjeve midis ekipeve shqiptare për kampionatin e këtij sezoni”,- deklaroi shefi i marrëdhënieve me publikun në FSHF, Tritan Kokona. 
Sipas Kokonës, të gjitha klubet pjesëmarrëse, duke përfshirë këtu edhe ato të kryeqytetit, kanë dorëzuar tashmë pranë Sektorit të Garave në FSHF të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, së bashku me kontratat me stadiumet në të cilat këto ekipe do t’i zhvillojnë takimet e tyre gjatë këtij sezoni. Ky ishte dhe një nga shkaqet kryesore të vonesës së hedhjes së shortit për edicionin e ri të kampionatit dhe të Kupës së Shqipërisë. 
Kjo sepse duhen shmangur përplasjet e mundshme, sidomos midis ekipeve të kryeqytetit, duke patur parasysh se janë tre ekipe që do të luajnë në dy stadiume. Kështu, kur kanë mbetur edhe jo më shumë se njëzet ditë nga fillimi i javës së parë të Superligës, më në fund, ekipet e elitës së futbollit shqiptar, por edhe ato të Kategorisë së Parë dhe të Dytë, do të kenë mundësi të njohin kalendarin, i cili do t’i vërë përballë njëra-tjetrës në garën për të fituar trofetë e këtij sezoni.
Organizimi i hedhjes së shortit për këtë sezon futbollistik është marrë përsipër nga kompania UFA, e cila pretendon të blejë edhe të drejtën televizive, që pritet të shitet si paketë e plotë. Kjo është një risi për sa i përket fushës së transmetimneve të ndeshjeve dhe menaxhimit të reklamave të ekipeve shqiptare, gjë e cila pritet gjithashtu të ndihmojë klubet në aspektin financiar në këtë periudhë të vështirë për to. 
Ndërkohë, ashtu siç është vendosur në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv më 22 korrik, java e parë e Superligës do të luhet më 23 gusht. Kurse Kategoria e parë do të fillojë një javë më pas, pra më 29 gusht dhe Kategoria e Dytë më 20 shtator. Për sa i përket kampionateve të të rinjve (U-17 dhe U-19), është vendosur që ato të fillojnë më 13 shtator. Po kështu, më 16 gusht konfirmohet zhvillimi i Superkupës së Shqipërisë, Tirana-Flamurtari.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek