RISTANI: AKUZAT NDAJ KOLEGJIT ZGJEDHOR, JO PROFESIONALE DHE POLITIKE

RISTANI: AKUZAT NDAJ KOLEGJIT ZGJEDHOR, JO PROFESIONALE DHE POLITIKE

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani i ka konsideruar politike dhe jo profesionale pretendimet se Kolegji Zgjedhor u politizua në vendimet e tij gjatë shqyrtimit të ankimimeve për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Gjatë një prononcimi për mediat, z. Ristani tha se "Kolegji Zgjedhor i vuri vulën përfundimisht këtij procesi duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së, ndërsa komentet e bëra në këtë drejtim janë në funksion të interesave të caktuara politike".
"Në rast se nuk konstatojmë asnjë parregullsi nuk mundet që subjekti përkatës zgjedhor të vijë dhe të ankojë në KQZ dhe të thotë që nuk është bërë detyra në qarqe të tëra dhe procesi i numërimit paska qenë i gabuar", tha z. Ristani. Sipas tij duhet të ketë një provë paraprake dhe pastaj anëtarët e KQZ-së, për ta verifikuar këtë pretendim që është paraprakisht i bazuar në prova, mund të kërkojnë rinumërim dhe rivlerësim të votave të caktuara. "Në konsideratën time, kërkesa për rinumërim të qarqeve të tëra, Berat, Shkodër, Tiranë, Durrës, do të thotë abuzim me këtë të drejtë", vijoi Ristani.
Duke vlerësuar punën e KQZ-së, z. Ristani u shpreh se "vendimet e këtij institucioni nuk kanë qenë të politizuara. "Shumica në KQZ ka marrë vendime në kundërshtim me interesat e partisë që na ka propozuar. Në të kundërt, pakica në KQZ nuk ka asnjë rast që të ketë marrë një vendim në kundërshtim me interesat e partisë e cila i ka propozuar në KQZ", përfundoi ai. 
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani reagoi dje ndaj deklaratave të bëra më parë nga nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, sipas së cilës "Kolegji Zgjedhor ka shkelur ligjin, duke mos gjetur të drejtën në rastet e ankimimeve,  që është misioni parësor i këtij Kolegji".
Kolegji Zgjedhor ashtu si dhe KQZ rrëzoi pesë kërkesat e dy anëtarëve të majtë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërim total të votave në 5 qarqe. Sipas Kreut të KQZ-së "këto kërkesa përveç se të pabazuara në asnjë provë, ishin tërësisht politike"


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek