SARANDĖ : APARTAMENTET E SARANDĖS TĖRHEQIN BLERĖS TĖ HUAJ

SARANDĖ : APARTAMENTET E SARANDĖS TĖRHEQIN BLERĖS TĖ HUAJ

- Qyteti i Sarandës shfaq një tjetër pamje të profilit  turistik,  pasi një numër jo i pakët shtetasish të huaj  janë bërë blerës të apartamenteve të ndërtuara vitet e fundit. Janë shtetas italianë, gjermanë e norvegjezë, që kanë blerë apartamente në Sarandë.
Edhe pse çmimi për metër katror, ka shkuar në disa godina moderne me pamje nga deti Jon 1000 euro, të huajt nuk kanë nguruar të blejnë këto apartamente. 
Maro dhe Juliano, dy prej italianëve nga qyteti i Torinos, janë blerësit e një apartamenti në një prej këtyre pallateve të banimit.  Ata thonë se vijnë disa herë në vit dhe ndjehen si në shtëpinë e tyre."Disa vite më parë kam hezituar të blej një apartament në qytetin e bukur të Sarandës, por me kalimin e kohës u binda se të bëhesh pronar i një apartamenti jashtë Italisë, nuk është shumë e vështirë, pasi Shqipëria i ka të gjitha mundësit juridike për të kryer një procedurë të tillë", shprehet Juliano, 45 vjeç, babai i dy fëmijëve të rritur.
Ata thonë se edhe 1000 euro që ka kushtuar metri katror, janë pak krahasuar me koston e shtëpive në destinacione të tjera mesdhetare. Veç kësaj, ata ndjehen të fituar edhe në një llogari tjetër që bëjnë. Deri në Korfuz vijnë me avion, ku zbresin në aeroportin ndërkombëtar të ishullit helen. Kështu largësia mes Italisë dhe Sarandës shkurtohet mjaft, kundrejt një kostoje të ulët të udhëtimit. Ata janë përfitues nga çmimet e lira të fluturimeve ajrore drejt Korfuzit, që po të fluturonin drejt Tiranës, do t’u kushtonte 2-3 herë më shtrenjtë.
Disa zyra noteriale në Sarandë konfirmojnë për ATSH-në, se numri i blerjes së apartamenteve nga të huajt jep sinjale rigjallërimi dhe vijnë në rritje në këta muaj vere.
Genc Nikolla, një noter me përvojë në qytetin e Sarandës, shprehet se gjatë këtij viti, kanë dokumentuar pasuri të patundshme rreth 10 shtetas të huaj, kryesisht perëndimorë, të cilët pasi kanë ardhur si turistë një ditor, tashmë janë bërë banorë vendas. "Shumë prej tyre shprehin habi për vlerën e aparatamentit, pasi këto çmime nuk i gjen në asnjë shtet tjetër të mesdheut",-shprehet Nikolla.
Sipas tij, të gjithë shtetasit e huaj nuk "vrapojnë" për të blerë banesë një apo dy katëshe, por dëshira e tyre është të kenë një apartament dhe të jetojnë me vendasit.
Qyteti i Sarandës shtrihet përgjatë gjirit të detit Jon, i cili kufizohet midis Kepit të Dentes, aty ku derdhet Lumi i Bistricës në det, dhe në veriperëndim me Kepin e Paledhese, me një gjatësi prej rreth 7.5 kilometra dhe gjerësi maksimale një kilometër. 
Saranda ka një klimë tipike mesdhetare. Dimri është i butë dhe me lagështi, ndërsa vera e thatë dhe e nxehtë. Temperatura mesatare vjetore është 16-18 grade. Temperaturat më të larta shënohen në verë dhe arrijnë në 25-26 dhe nganjëherë deri në 36 gradë.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek