Operacioni anti-Dajti mban firmen e Ahmet Prençit

Operacioni anti-Dajti mban firmen e Ahmet Prençit

Policia e Shtetit kishte hartuar një plan operacional për kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave, ky plan mbante firmën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Burimet kane konfrimuar per Gazeta Shqiptare faktin se mbi këtë plan operacional ka firmosur dhe komandanti i skuadrës së Operacioneve Speciale, Fatos Xhani, i cili ishte viktima e parë e të akuzuarit për krime të rënda. “Bëhet fjalë për një plan të detajuar operacional për kapjen e të kërkuarit Dritan Dajti. Është kryer instruktazhi, por ka dështuar gjithçka në përgatitjen në terren”, - tha një burim pranë organit qendror të akuzës. Grupi hetimor sapo ka shtënë në dorë këtë plan operacional, po punon për të zbuluar se cili nga funksionarët e lartë të Policisë së Shtetit dha urdhrin për ndërhyrjen e menjëhershme. 

Burimet theksojnë se një muaj më parë është tentuar të hidhet në veprim për t’i vënë prangat të kërkuarit Dajti, por duke qenë se ishin hasur vështirësi në terren, është vendosur që ndërhyrja të bëhet në një kohë të mëvonshme. 

Pas një periudhe të gjatë që e kanë mbajtur nën vëzhgim vetëm mëngjesin e së premtes, skuadra e Operacioneve Speciale është siguruar se Dritan Dajti ndodhej në Durrës dhe ishte vendosur në një pallat në zonën pranë pistës “Iliria”. Pikërisht personi që urdhëroi nisjen e specialëve drejt qytetit bregdetar, ende nuk është i qartë për grupin hetimor. “Po hetojmë në këtë drejtim”, - tha një zyrtar i prokurorisë.  Për momentin prokuroria ende nuk i ka vënë gishtin ndonjë zyrtari të lartë të Policisë së Shtetit, për të mbajtur përgjegjësi për masakrën e Durrësit, por një gjë e tillë ka gjasa të ndodhë së shpejti. 

 

Në masakrën e Durrësit gjetën vdekjen katër punonjës të skuadrës operacionale; Fatos Xhani, drejtues i grupit, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feska, të cilët tentuan t’i hidhnin prangat njeriut më të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Dritan Dajti jetonte në arrati që prej 17 nëntorit 2003, kur u arratis në mënyrë spektakolare nga Gjykata e Tiranës. Ai është dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqaj në vitin 1999.

Pas ngjarjes makabre, Dajti ka pretenduar se ka nderhyre me arme zjarri pasi kishte fakte se po tentonin ta eliminonin.


BalkanWeb
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek