Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Josip Kuzhe u shpreh në konferencën e sotme për shtyp, një ditë përpara miqësores me Qipron, se Kombëtarja Shqiptare ka mundësi për të rritur nivelin e paraqitjeve të saj në të ardhmen.
“Për momentin më e rëndësishme është që të shohim gjendjen e lojtarëve, si dhe të provojmë elementë të rinj. Gjithashtu duhet të bëjmë që përfaqësuesja shqiptare të ngjisë sa më shumë shkallë në rendtjen e FIFA-s. Njëkohësisht duam që të krijojmë një atmosferë sa më të mirë rreth kombëtares dhe kjo arrihet falë rezultateve. Atmosfera pozitive ndihmon mjaft skuadrën dhe lojtarët për të arritur rezultatet.”, u shpreh tekniku kroat.
Megjithëse ka theksuar se formacionin do ta bëjë të ditur vetëm pas stërvitjes së fundit (sot në orën 18:00), Kuzhe ka dhënë 11 lojtarët që ka në mendje për momentin. “Hidi në portë. Në mbrojtje do luajnë Vangjeli Cana, Dallku dhe Curri. Në mesfushë Skela, Bulku, Agolli dhe Duro. Ndërsa në sulm do luajë dyshja Salihi dhe Bogdani”, tha Kuzhe.
Skuadra shqiptare ka 11 takime pa fituar dhe Kuzhe kërkon që kjo seri negative të përfundojë. “Na ka munguar rezultati në dy ndeshjet e fundit pasi loja ka qenë e mirë, por tani kemi ndërtuar një plan që do të na mundësojë arritjen e rezultateve”, u shpreh Kuzhe.
Përsa i përket fazës sulmuese të ekipit Kombëtar dhe shënimin e pakët të gola, Kuzhe u përgjigj se, “ Ka tre mënyra për të sulmuar. Me anë të sulmuesve të shpejtë, me anë të sulmuesve të përgatitur fizikisht ose me kombinime. Përfaqësuesja shqiptare duhet të përpiqet të arrijë të shënojë me anë të mënyrës së tretë, por që të arrihet kjo duhet pak kohë”.
Kuzhe ka folur edhe përsa i përket mosgrumbullimit të sulmuesit Besart Berisha dhe deklaratave të tij për një largim të mundshëm nga kombëtarja.
“Kam kontaktuar me Berishën dhe i thashë se ai është pjesë e përfaqësueses, po ashtu si edhe Kapllani, por për këtë miqësore kam menduar të provoj disa lojtarë të rinj” sqaroi Kuzhe.
Gjithsesi në fund të konferencës Kuzhe u shpreh optimist për arritjen e një rezultati pozitiv ndaj Qipros, megjithëse ka theksuar se qipriotët janë një përfaqësuese e mirë dhe duhen vlerësuar maksimalisht
ShtypiDites