T’i qëndrojmë larg retorikës nacionaliste! Ky është një kusht paraprak
që, çdo shkrim mbi çështjen e Kanalit të Otrantos (e thënë butë) apo
dhurimit të një copëze Shqipërie (e thënë ashtu vendçe), duhet të
plotësohet, për të mos rënë pre e skemave akuzuese për ata, që në parim
janë kundër paktit Shqipëri-Greqi për kufijtë detarë. Atëherë për të
mos rënë në kurthin e nacionalizmit, i diabolizuar sikur të ishte një
sëmundje e keqe, le të flasim për “kombëtarizëm”. Për këtë kemi të
drejtë, apo jo?! Natyrisht që po. Por le të hyjmë në temë.
Në cilësinë e ministrit të Jashtëm, zv.kryeministri, Ilir Meta,
deklaroi se marrëveshja me fqinjin tonë, teknikisht është e drejtë.
Megjithatë, e rëndësishme është që sot mund të themi me plot gojë, se
një copëz Shqipërie nuk është më e jona! Kartonët e “liderit”, së
bashku me ato të “baballarëve të kombit”, do ta bëjnë këtë, në një datë
ende të pacaktuar. Në emër të kujt?
Në emër të stabilitetit në rajon? Të rolit të “nxënësit të mirë”, që
Shqipëria ka mbajtur dhe po mban më të gjithë (si ata që e respektojnë,
ashtu dhe me ata që e fyejnë), pa një analizë të mirëfilltë
kosto-përfitim?
Në emër të integrimit europian, këtij ylli polar (përcaktim që
Kryeministri Berisha i bëri integrimit pak ditë pas aleancës
paszgjedhore me LSI-në) pa të cilin as frymë nuk marrim dot dhe as jeta
nuk paska më kuptim?
Një parantezë. Ç’do të thotë integrim? Është një koncept paksa flu dhe
shumë i debatuar në literaturë. Specialistët e ministrive përkatëse do
të munden me siguri të na e shtjellojnë. Por para se të na shpjegojnë
këtë, u duhet të falin një copëz
Shqipërie …
Kam njohur dikur një person, për të cilin marrja e letrave në një shtet
të huaj perëndimor u bë një objektiv aq i rëndësishëm, sa gjithçka
sillej rreth saj. Këtë ai e konsideronte si fundin e vuajtjeve të tij.
Aq objektiv i rëndësishëm u bë për të kjo gjë, sa i kushtoi tërë
energjitë e tij… në një pikë të tillë sa luste Zotin të sëmurej, që të
paktën për arsye humanitare, t’ia jepnin ato të shkreta letra. Dhe më
të vërtetë u sëmur, me një sëmundje që i mori jetën. Letrat i mori, po
fatkeqësisht nuk jetoi gjatë për t’i gëzuar ato.
Le t’i kthehemi tani problematikës sonë, marrëveshjes me një titull të
komplikuar me “shelfe dhe delimitacione”. Le të mos kemi frikë nga
termat dhe ta themi hapur. Patëm frikë, u stepëm dhe zgjodhëm rrugën më
të lehtë (për disa) për të përfituar sa më shumë nga monedha
“integrim”, e vetmja sipas qeveritarëve tanë, që lejon blerje pa shumë
problème të mallit “pushtet”.
Specialistët ministrive përkatëse do ta kenë të vështirë të
argumentojnë integrimin europian si një integrim vlerash (përkufizim i
dhënë ky për Komunitetin Europian nga një numër i madh specialistësh e
politikanësh). Sepse në këtë rast, kemi të bëjmë me një integrim
interesash të errëta lokaliste, e në rastin tonë, partiake. “Po çdo e
mirë e ka një të keqe dhe çdo e keqe një të mirë”, thotë populli. Nëse
këtë marrëveshje do ta shikonim si të keqe, e mira të paktën do jetë
që, një copëz Shqipërie do të hyjë në Europë para Shqipërisë sonë, por
… nga një derë greke. Na i kishte thënë dhe Papulias, ky grek që ka
pirë gji shqiptar, se rruga jonë për në Europë kalon nga Athina. Nuk e
di a e besuam atëherë, po pa zhurmë e pa potere si në rastin e
Maqedonisë, po vërtetohet gjithnjë e më shumë se paska qenë e vërtetë!
Pak a shumë, këtë tha edhe ministri ynë i Jashtëm, i cili së fundmi u
emërua dhe si përgjegjës i integrimit tonë. Na tha që pakti me Greqinë,
teknikisht, është sipas normave. Sipas cilave norma? Sepse ato norma të
debatuara në ato konferenca e prononcime që unë kam dëgjuar, vijnë prej
disa “nacionalistësh”, “kombëtaristësh”,
“ksenofobistësh”, e ç’është më e bukura, prej disa “specialistësh”. E
natyrisht, për të yshtur akuzën e nacionalistit, nuk mund të jem i
prirë t’u besoj.
Specialistët e ministrive, që marrin dhe rrogën për këtë punë, nuk i
dëgjuam ndonjëherë të argumentonin. Pamë vetëm zyrtarët, që pohuan pa
argumentuar. E pra, ju jeni
vënë në krye për të na drejtuar, për të na thënë çfarë është e mirë për
ne dhe çfarë jo. Nuk po marr mundimin ta bëj këtë pyetje, se e di që do
të më kthehej një përgjigje standarde dhe shumë cinike (për të mos
thënë frikacake dhe e pështirë), se “më e mira për popullin tonë, si
një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan, do të ishte integrimi në
bashkësinë e vlerave”. Po në cilën kuti bronzi hermetike të fusim
parimet dhe etikën? Atëherë në emër të këtij morali, të kësaj etike dhe
bashkësie vlerash, lërini të tjerët të thonë mendimin e të japin
gjykimin e tyre; lërini t’ju thonë se kjo që bëtë ishte e pandershme
dhe jo transparente; t’ju thonë që ishit të pazotë; lërini t’ju thonë
që integrimi në bashkësinë e vlerave, për ju, nuk është një objektiv,
po një karotë që ia keni lidhur në qafë këtij populli që të vrapojë për
ta kapur deri sa të lodhet; lërini t’ju thonë që, sa më shumë qeveritë
tuaja do t’i referohen yllit polar të integrimit, aq më shumë ky popull
duhet të shqetësohet për aftësinë tuaj të kufizuar në zgjidhjen e
problemeve; lërini t’ju kërkojnë të jini të ndershëm; lërini t’ju thonë
se nuk është as parimore, as morale,
as etike, që 71 veta të kenë të drejtën të shesin pasurinë e 5 milionë
të tjerëve. Sepse ai det është deti i shqiptarëve.
Ndoshta teknikisht kjo marrëveshje mund të jetë dhe e drejtë, por
mënyra se si po menaxhohet, me mungesë transparence dhe arrogancë, të
bën të besosh se intriga ballkanike qenka integruar në Europë para
vlerave, moralit dhe etikës.
* Autori është Ekonomist i specializuar në çështjet e menaxhimit të sigurisë –
Universiteti i Lozanës (Zvicër)
Igli TASHI *