Vendet anëtare të NATO-s dhe të BE-së i përgjigjen pozitivisht kërkesës
së Shqipërisë për të përballuar situatën emergjente të krijuar nga
përmbytjet. Kërkesës së bërë nga ana e Komisionit Ndër-ministror,
drejtuar Qendrës së Emergjencës të NATO-s dhe Qendrës së Emergjencave
Evropiane, është pasuar me ndihma konkrete nga shtetet fqinje, si dhe
nga anëtarët e NATO-s. Deri më tani, gjashtë shtete kanë ofruar ndihmën
e tyre me anë të mjeteve të ndryshme për përballimin e situatës. Italia
ka sjellë një helikopter me kapacitet transporti për 37 persona. Sipas
burimeve, mësohet se ky helikopter do të instalohet në zonën e Gjadrit,
ku do të bëjë edhe uljet e ngritjet nga kjo pistë. Gjithashtu po nga
Italia kanë mbërritur 12 Autobote, pompa si dhe materiale të tjera:
varka, tenda, gjeneratorë. Njëkohësisht janë dërguar dhe ushqime,
medikamente dhe veshje. Sllovenia ka ofruar 13 gjeneratorë, Austria 13
gjeneratorë, Franca 12 pompa dhe 8 gjeneratorë. Nga Greqia kanë
mbërritur dje 2 ekipe zjarrfikësish me një personel prej 29 vetë, 4
makina, së bashku me pajisjet, 2 varka me motor, 7 pompa të fuqishme.
Trupa speciale të Republikës së Greqisë nga sektori i zjarrfikëses, të
pajisura me mjete logjistike nga më të përparuarat, katër autobotë, po
kaq varka shpëtimi, nëntë pompa për nxjerrjen e ujit, kanë hyrë dje në
territorin shqiptar përmes Kakavijës, me destinacion veriun e vendit ku
situata paraqitet ende dramatike, si pasojë e përmbytjeve. Këtyre
pajisjeve i janë bashkuar edhe 5 gjeneratorë, si dhe mjete të tjera
logjistike, që shërbejnë për evakuimin e personave në nevojë në raste
fatkeqësish natyrore. Ardhja e kontingjentit të specialistëve grekë në
nyjën kufitare më të madhe në jug të vendit ka bllokuar përkohësisht
punën e qarkullimit të personave dhe mjeteve, si masë që lidhet me
kalimin normal të autokolonës me automjete me ndihma të disa vendeve
anëtare të NATO-s, si Italia, Franca, Sllovenia, Austria. Burime nga
Kakavija kanë konfirmuar zyrtarisht se brenda një ore situata është
normalizuar dhe radhët e gjata të automjeteve të stacionuara, janë
ezauruar në orën 12:00. Kontingjenti i specialistëve grekë, është
pritur dje në Kakavijë nga Prefektja e Qarkut të Gjirokastrës, Mimoza
Çomo. Ajo ka falënderuar, në emër të qeverisë shqiptare, 28 trupat
speciale greke të cilat iu përgjigjën Qendrës së Emergjencave të NATO-s
(EADRÇ) dhe Qendrës së Emergjencave Evropiane (MIC-ut). Dje mbërritën
nga Italia me dy helikopterët ndihma në medikamente mjekësore.
ndihmat
- Italia – Helikopter tip ACH 47 me kapacitet transporti 37 trupa.
- Sllovenia – 13 Gjeneratorë (GNR)
- Austria – 8 Gjeneratorë (GNR)
- Greqia
– 2 ekipe zjarrfikësish me një personel prej 29 vetë, 4 makina, së
bashku me pajisjet, 2 varka me motor, 7 pompa të fuqishme.
- Itali – 12 Autobote, pompa, Varka, Tenda, Gjeneratorë, Ushqime, medikamente dhe veshje.
- Franca – 12 pompa dhe 8 Gjeneratorë.
- Moldavia ka dhuruar ndihma në ushqime dhe medikamente mjekësore.
PIRRO NASE