Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, në të cilën merrte pjesë edhe Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, zoti Philippe Le Houérou, i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë.
Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha e cilësoi këtë mbledhje historike në partneritetin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer 20 vjeçar që Shqipëria ka pasur dhe ka me BB.
Duke shprehur vlerësimin më të madh për projektet e rëndësishme që Banka Botërore udhëheq në Shqipëri, Kryeministri Berisha u ndal në veçanti në të gjitha fushat, ku Banka Botërore ka kontribuar me ndihmën e saj.
Kryeministri vuri në dukje se Banka Botërore ka dhënë një kontribut të madh me financimet e saj, në mobilizimin e fondeve nga donatorët në disa projekte madhore që po ndryshojnë vendin, ndër të cilat segmenti Milot-Rrëshen të autostradës Durrës-Prishtinë, si dhe projekti i rrugëve dytësore Duke u ndalur në fushën e bujqësisë, Kryeministri bëri me dije se projekti i qeverisë shqiptare për mbjelljen e 20 milion rrënjëve ullinj në 4 vjet zgjoi interesin e Zv/ presidentit të Bankës Botërore, për të shqyrtuar mundësinë e kontributit të saj, në aspekte të veçanta të këtij projekti.
Si një çështje shumë të rëndësishme, Kryeministri veçoi reformën në shëndetësi. Në këtë kuadër, Kryeministri bëri të ditur se Zv/presidenti i BB-së garantoi se ndihma në fushën e shëndetësisë do të jetë e pakursyer dhe se e konsideron reformën, si kusht të të gjitha kushteve për zhvillimin e mëtejshëm të një sistemi shëndetësor, në përputhje me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve shqiptarë.
Duke cilësuar arsimin si përparësinë më madhore të qeverisë shqiptare, Kryeministri vlerësoi se ndihma e Bankës Botërore në këtë drejtim është shumë e dobishme.
Për sa i përket projekteve për zhvillimin e zonës bregdetare, Kryeministri tha se janë qartësuar të gjitha problemet në rrafshin bilateral dhe nuk mbetet as edhe një çështje lidhur me këtë projekt, për të cilin qeveria ka zbatuar me luajalitet marrëveshjen me Bankën Botërore. Në këtë drejtim, u shpreh Kryeministri, Zv/presidenti Philippe Le Houérou siguroi qeverinë shqiptare se është plotësisht i bindur në rëndësinë e këtij projekti dhe në korrektesën e qeverisë shqiptare.
Zv/presidenti i BB-së u shpreh se tani që Shqipëria e ka fituar statusin e një vendi me një nivel mesatar të ardhurash, Banka Botërore tashmë ka kënaqësinë ta kalojë Shqipërinë në grupin e vendeve që përfitojnë financime nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, duke ndihmuar kështu aksesin tashmë në rritje të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitaleve.
“Përmes strategjisë sonë të re të partneritetit për Shqipërinë, ambicia jonë është të vazhdojmë të jemi një partner i besueshëm dhe efektiv i popullit shqiptar. Jemi të vendosur për të mbështetur përpjekjet tuaja për të ndërtuar një Shqipëri gjithëpërfshirëse nga pikëpamja sociale, të menaxhuar mirë financiarisht, me një mjedis të qëndrueshëm e që do të bëhet një anëtare me të drejta të plota në BE”, nënvizoi Zv/presidenti i BB-së.
Duke u ndalur në zhvillimet e vitit të kaluar, në lidhje me projektin e menaxhimit të integruar të zonës bregdetare, Zv/presidenti i BB-së sqaroi se Bankës Botërore i vjen keq që, në një inspektim që kishte për qëllim të shikonte nëse banka u ishte përmbajtur apo jo politikave të saj, dolën deklarata të pabazuara kundër veprimeve të qeverisë me këtë projekt. “Unë dua të jem shumë i qartë. Procesi i panelit të inspektimit nuk heton në asnjë mënyrë veprimet e klientëve tanë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të interpretohet si i tillë. Për më tepër, nuk pati asnjë provë për korrupsion, në mënyrë që Departamenti për Integritetin Institucional të Bankës, të kryente hetime të mëtejshme. Pra, përfundimisht, duhet të pranojmë që Banka ka bërë gabime në këtë projekt. Po punojmë që të sigurohemi që kjo nuk do të ndodhë më në të ardhmen, qoftë këtu apo në ndonjë vend tjetër”, tha z. Philippe Le Houérou.
| Tiranë | 16 | °C | |
| Prishtinë | 14 | °C | |
| Ulqin | 16 | °C | |
| Shkup | 14 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.52 | 142.14 |
| USD | 106.95 | 111.35 |
| GPB | 168.71 | 175.65 |
| CHF | 113.60 | 118.27 |