Dorhiqet nga projekti i BB Jamarbër Malltezi

Dorhiqet nga projekti i BB Jamarbër Malltezi

Koordinatori i projektit të Bankës Botërore për planin e zhvillimit të bregdetit të jugut, Jamarbër Malltezi, deklaron dorëheqjen nga pozicioni i punës. I kontaktuar nga gazeta “Shqip” për të mësuar rreth ecurisë së projektit dhe çfarë pritet të ndodhë pas “paqes” mes qeverisë dhe BB-së, Malltezi deklaron se është shkëputur nga pozicioni i koordinatorit, për arsye personale që lidhen me biznesin e tij. Megjithatë, ai sqaron se, projekti i BB-së do të vijojë, por me ndryshime strukturore. Këtë fakt e pranon edhe Banka Botërore këtu në Tiranë, duke konfirmuar mbështetjen ndaj qeverisë në projektin e “Menaxhimi i integruar dhe pastrimi i zonës bregdetare”, por me ndryshime në disa komponentë, ndikuar nga ngjarjet e Jalit.

Qëndrimet

Malltezi i ka shërbyer projektit madhor të qeverisë për zhvillimin e bregdetit jugor, për rreth tre vjet, me mbështetjen e Bankës Botërore, e cila e kontraktoi për shërbimet që do të jepte. Ajo çka ndodhi në fshatin bregdetar të Jalit, me prishjen e disa shtëpive “në emër të projektit të BB-së”, komprementoi pozicionin e tij, ndikuar edhe nga lidhjet e afërta me Kryeministrin. Në fakt, pas inspektimit që bëri paneli i pavarur i Bankës Botërore pas akuzave për shkelje të rregullores, rezultoi një përgjegjësi e vetë bankës, me mbështetjen e qeverisë. Megjithatë, tashmë palët i kanë të qarta strategjitë që do të ndjekin, ndërsa Jalin e kanë lënë pas krahëve, duke iu lënë si zgjidhje BB-së, e cila tani po vlerëson strukturën e re të projektit. Pas vizitës së zv.presidentit të BB-së dhe pranimit të gabimeve nga vetë banka, duket se qeveria ka ndryshuar mendje, duke rilidhur edhe një herë raportet e ngrira prej katër muajsh. Sa i takon njeriut kyç të projektit, Malltezit, ai thotë: “Jam shkëputur prej dy muajsh për arsye personale që lidhen me planin tim të biznesit. Megjithatë, dua të sqaroj se projekti për zhvillimin e jugut ka vijuar, pavarësisht panelit të inspektimit të Bankës Botërore, pasi në këtë program kanë qenë përfshirë edhe donatorë të tjerë”. Pjesa që i takonte Bankës Botërore kishte një vlerë investimi prej rreth 17 milionë eurosh dhe ishte pikërisht kjo pjesë që kishte “ngrirë”, ndërsa komponentët e tjerë vijuan normalisht zbatimin e projektit, madje disa janë inauguruar.

Projekti “Menaxhimi i integruar dhe pastrimi i zonës bregdetare” financohet përmes një kredie të butë nga Banka Botërore, kontributit i qeverisë shqiptare me mbi 5 milionë dollarë, si dhe granteve nga Bashkimi Europian, qeveritë e Holandës, Austrisë e Japonisë, si edhe Fondi për Mjedisin Global. Ky projekt kompleks ka katër komponentë dhe plani i zhvillimit i zonës bregdetare përbën një nënkomponent të tij.

Çfarë ndodhi me Jalin?

Prishja e disa ndërtimeve shumëvjeçare në fshatin bregdetar të Jalit (2007), u pa në fillim si plan i qeverisë për të liruar zonën në interes të ndërtimit të ndonjë resorti luksoz. Por, më pas, u mësua se prishjen e ndërtimeve e kishte certifikuar zyra e Bankës Botërore në Shqipëri. “Ky hetim u nxit nga shembja e disa shtëpive në bregdetin jugor të Shqipërisë dhe nga një ankesë e njerëzve të prekur, të cilëve u ishte thënë nga zyrtarë shqiptarë se shembjet ishin të lidhura direkt me një projekt të Bankës Botërore. Paneli i inspektimit nuk mund ta imagjinonte kur rekomandoi një hetim të bordit ekzekutiv të drejtorëve, që ky do të bëhej një nga hetimet më të vështira të punës së 14 viteve të fundit”, thuhet në një pjesë të raportit të hetimit të panelit të inspektimit, dërguar nga zyrat e bordit drejtues në Uashington.

 


Gazeta Shqip
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek