Kundërshtarëve politikë ja numërojnë të gjitha; fëmijërinë dhe rininë e tyre, gratë ja marrin nëpër gojë, nënat, etj". Kjo gjuhë e komunikimit e maxhorancës ndaj opozitës (e tashmë e përdorur nga të dyja palët), duket se e ka vështirësuar më shumë situatën politike, sipas shkrimtarit Dritëro Agolli. Në pjesën e dytë të intervistës për "Gazetën Shqiptare", shkrimtari i madh tregon se politikanët shqiptarë kanë humbur kulturën e demokracisë. Gjuha që përdoret sot në foltoren e parlamentit e më tej, në debatet televizive, po i acaron më tepër marrëdhëniet mes dy kaheve politikë. Pa u qetësuar kjo gjendje, Agolli mendon se nuk do të kemi opozitë në parlament. E nga ana tjetër, Agolli komenton se i duket tashmë i zgjatur bojkoti i opozitës.
Zoti Agolli, përveç debateve mes kundërshtarëve politikë, kohët e fundit kemi dëgjuar një gjuhë jo vetëm të ashpër, por shumë shpesh edhe fyese mes politikanëve. Cili është komenti juaj?
Kjo është një e metë e madhe e demokracisë sonë, dhe tregon që ende nuk e kemi të plotë kulturën e demokracisë. Sharjet, të cilat janë përhapur mjaft tani, nuk tregojnë aspak demokraci. Në fakt, kjo ka një dekadë apo më shumë që ndodh. Kundërshtarëve politikë ja numërojnë të gjitha; fëmijërinë dhe rininë e tyre, gratë ja marrin nëpër gojë, nënat, etj. Të gjithë i kemi dëgjuar kur thonë: "gruaja jote ka qenë e këtillë", "ti ke qenë kështu", "ne të shpëtuam gruan tënde, se ajo ka bërë plot marrëzira", "ne e transformuam në njeri tjetër", e të tilla si këto, duke e vënë tjetrin në një siklet të madh. Përdorin si mjetin më të fortë, shantazhin. E thotë hapur, që po më kundërshtove herë tjetër, unë do ta them të plotë se ç'ka qenë gruaja jote. Ku është parë që i thonë: "ti ke vajtur me kunatën tënde". Dhe, këtë e thonë në mes të parlamentit. Kjo ka ndodhur para dhjetë vjetësh, unë nuk dua ta përmend emrin e personit që e ka thënë këtë gjë, duke qenë se edhe nuk jeton më. Po të tilla gjëra e shumë të tjera si këto kanë ndodhur edhe në mes të fushatës së fundit zgjedhore, ku ka fëmijë, gra, del tjetri në podium dhe i thotë: "dëgjo, se unë e di që ti je i tredhur!"
Kush e ka thënë këtë?
Nuk e tha në Lezhë këtë i madhi i vendit?! Nuk dua që të përmend emra, se do të thonë pastaj qenkam bërë si thashethemexhinjtë, pavarësisht se këtë e kanë dëgjuar të gjithë. Është turp të thuash në mes të fëmijëve, "ti je i tredhur", për të mos vazhduar më tej me të tjera fyerje. E të mos mjaftojnë meshkujt, ka edhe gra që thonë të tilla fyerje, gra të cilat janë me përgjegjësi të mëdha, thonë: "filani i opozitës e do nga para edhe nga prapa". Ne të gjithë e dimë se cila e tha këtë. Si mund ta thotë një grua këtë gjë!? S'është dëgjuar në asnjë vend të botës kjo. E të mos mjaftojnë këto lloj fyerjesh, ka edhe raste kur ndërrojnë emrat dhe mbiemrat, në vend t'i thonë Ilir i thonë Xhelil, në vend t'i thonë Ditmir i thonë Sulejman, ose Ditzi. Po edhe nga ana tjetër i përgjigjen në këtë mënyrë, në vend t'ia thonë mbiemrin tamam i thonë Sali-Topalli. Këto lloj sharjesh e ofendimesh janë tashmë nga të dyja anët, por të parët e kanë bërë të djathtët këtë. Dhe, kjo është gjëja më e poshtër. Këto janë nofka që ja vinin njëri-tjetrit në mëhallë kalamajtë dikur (madje, disa prej këtyre nofkave janë kthyer në mbiemra më vonë. Kryesisht ishin të lidhura me zanatin që bënin, Llustraxhiu, Samarxhiu, Teneqexhiu, Çalamani, kur çalonte ndonjëri), por këtu bëhet fjalë për një kohë të shkuar, ndërsa ne sot pretendohet se jetojmë në një shoqëri moderne. Po si mund t'i thotë sot një goxha burrë, tjetrit Ditzi, kur ai e ka emrin Ditmir? Si ja bën goja t'ia thotë këtë nipit të vet, për nga mosha flas? E gjitha kjo sjell një acarim të situatës, në një kohë kur duan që opozita të shkojë në parlament. Pse përdorin kundrejt tyre fyerje të tilla, si punisto-mafioz, bir komunisti, etj. Atëherë, të miratojnë një ligj ku të shprehin hapur se fëmijët e komunistëve nuk duhet të përfshihen sot në politikë. Kjo është një luftë e plotë klasore, morale dhe politike. Nëse dikur ka qenë vetëm luftë klasore, sot është kthyer në luftë klasore-morale-politike, është rënduar situata. Domethënë, në vend ta zhduknim edhe luftën klasore, na i vënë edhe dy të tjera, kanë shtuar edhe luftën morale, (që përshkruhet në sharjet si "motrën" apo t'i thuash që nëna jote ka qenë kurvë). Shqiptari nderin e ka shumë të shenjtë, dhe ai edhe mund ta vrasë për të. Po të jetë ndonjë i çakërdisur, e bën. Kështu vriten njerëzit. Pse vriten tek ne shumë njerëz nëpër kafene?! Kanë dëgjuar që shahen në parlament dhe thonë; pse të mos shahemi edhe ne kështu, edhe bram-bram vriten. Bile, edhe unë që kam bërë 100 libra, po të mbërrijë një njeri të më shajë nënën, unë do të gjej një kobure dhe do jem gati, do shkoj deri atje po nuk do ta bëj, gjithsesi mendja do më shkojë. Kjo është një prishje e plotë e moralit. Atëherë pasi ke sharë, ti mos iu lut deputetëve të të vijnë në parlament. Pastaj, përse i do këta ti kur janë mafiozo-punistë, kriminelë?! Si do të mbushësh parlamentin me njerëz të tillë, bij të komunistëve, mos i kërko fare! Thuaj, dua vetëm nja dy prej tyre që s'janë të këtillë. Për çfarë i thërret ti në parlament, për t'i demaskuar, për t'i sharë; hajdeni në parlament që t'ju shajë, t'ju bëj këtë e t'ju bëj atë. Edhe ata nga inati nuk venë.
Brenda PS-së ka një grup që ka dalë kundër bojkotit, ju si e komentoni situatën sot në PS dhe a duhet të vazhdojë bojkotin opozita?
Kjo është punë e vështirë. Mendoj se duhet të krijohet një frymë më pozitive prej maxhorancës në mënyrë që ata të shkojnë në parlament. Së pari, duhet të zbutet kjo gjuhë. Duhet të thuhet, që ne përveç të tjerave, kemi edhe gabimin që ju kemi ofenduar kaq shumë juve. Po si mund të dilet nga kjo? Po ka pasur zëra të ndryshëm, nuk është se i gjithë parlamenti po i shan. Kjo e sharjeve është psikologji e hershme (mendohet një çast)... Megjithëse edhe psikologji e vjetër s'është kjo, se të vriste ai (Enver Hoxha) të thoshe kështu. Para 50 vitesh, të ofendoje në këtë mënyrë të vrisnin. Deputetët brenda maxhorancës mund ta justifikojnë këtë gjë në mënyrë që të zbutet klima, dhe pastaj të hyjë opozita në parlament. Pastaj, edhe mua kjo zgjatje kaq e gjatë e bojkotit nuk më duket aq normale. Por, prapë kjo justifikohet nga këto që thashë më sipër.
Domethënë, nëse zbutet gjuha e ashpër e maxhorancës opozita duhet të shkojë në parlament?
Për mua është shumë e rëndësishme zbutja e situatës. Duhet, sepse i madhi gjithnjë më të voglin e toleron, e këshillon, ndërsa këtu tek ne bëhet e kundërta, i madhi merr rolin e të voglit dhe i vogli rolin e të madhit. Këtë gjë duhet ta heqin, nuk duhet të jenë në një egërsi kaq të madhe. Si do ta akuzosh ti opozitën se është kundër Shkodrës?! Si del atje përpara parlamentit dhe thua se opozita është kundra, se ai të kritikon, të thotë që mund të evitohej një pjesë e këtij dëmi po të menaxhohej më mirë Drini. Ti i thua që jeni kundër Shkodrës! Atëherë, edhe ai inatoset dhe thotë; ç'më bën ky, më thërret në parlament për të thënë që ja, këta ishin kundër Shkodrës dhe na flasin tani për këtë, edhe kështu opozita nuk shkon. S'shkojnë, se thonë që ne do shkojmë për t'u demaskuar, jo për të bashkëpunuar, por për të na pasur aty të na vënë në shenjë si ato që bëjnë qitje. Prandaj, po nuk u shua kjo gjë ata nuk shkojnë në parlament... Maxhoranca duhet të ulë këtë ton të foluri dhe të komunikuari.
Zoti Agolli, një muaj më parë u liberalizuan vizat në disa prej vendeve tona fqinje. Si mendoni ju, përse është vonuar ky proces në Shqipëri?
Në fakt, siç e dimë janë liberalizuar vizat për vende që janë barazim, njësoj me ne, ose ndoshta edhe më të dobët se ne. Megjithatë, them se është një problem i ngatërruar këtu. Fjala vjen, Turqia është vend shumë më i përparuar se Bullgaria apo Rumania, është një nga vendet që Ataturku e ka bërë nga më modernet, por nuk ka përfituar nga liberalizimi i vizave. Pra, ka edhe paragjykime të tjera që nuk thuhen. Një shembull tjetër; përse në Bosnjë nuk u liberalizuan vizat dhe në Serbi u liberalizuan?! A nuk kanë qenë të dyja pjesë të ish-Jugosllavisë, e cila ka qenë republika e tyre. Pra, ka disa paragjykime në këtë mes dhe çështje të ngatërruara. Kështu, në NATO është edhe Turqia, edhe Greqia, edhe Shqipëria. Por, NATO në këtë rast nuk ka paragjykime të tilla, sepse ajo është një organizatë ushtarake, e nga një anë ne jemi pranuar se mbase NATO i ka qejf shqiptarët, se janë edhe trima. Për sa i përket liberalizimit të vizave, duhet pasur parasysh se mbase vendet e Bashkimit Europian na kanë frikë që nuk na pranojnë. Them kështu, sepse ne jemi një vend që kemi shumë emigrantë, jemi ende një vend i varfër, dhe ndoshta e kanë të vështirë të na pranojnë. Pastaj, edhe disa kushte duhen plotësuar. Atë Pyetësorin që na kanë sjellë, duhet ta plotësojmë. Megjithatë, unë mendoj që ne mund të hynim edhe para dy-tre viteve në liberalizimin e vizave, por edhe të mëdhenjtë e Evropës kanë gabime. Ka gabime edhe Zoti, edhe dielli ka njolla të errëta po ta shohësh me mjetet e duhura. Na kanë edhe pak ata jo me qejf, pasi ne kemi qenë të pushtuar nga Turqia, na kanë quajtur edhe aleatë të Turqisë, osmanlinjve, më saktë jo Turqisë.
Marrë nga "Gazeta Shqiptare"
| Tiranë | 16 | °C | |
| Prishtinë | 14 | °C | |
| Ulqin | 16 | °C | |
| Shkup | 14 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.52 | 142.14 |
| USD | 106.95 | 111.35 |
| GPB | 168.71 | 175.65 |
| CHF | 113.60 | 118.27 |