Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme rrëzimin në Kushtetuese të ligjit të Lustracionit, shoqëruar me reagimin kundër të Partisë Demokratike. Ato paraqesin edhe aludime mbi pagesat e reja me këste të kompensimit të pronave për ish-pronarët. Ndërkaq, një argument tjetër i të përditshmeve sot është edhe ai i arrestimit dje në gjyq për dëshmi të rreme të njërit prej dëshmitarëve të tragjedisë së Gërdecit. Ato tregojnë edhe deklaratat e kryesocialistit Rama për vazhdimësinë dhe zgjidhjen e krizës politike.
E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Denoncoi Selmanllarin, arrestohet”, i cili tregon sesi dëshmitari, ish-brigadieri Vangjeli, u arrestua dje sa doli nga salla e gjyqit të Gërdecit për dëshmi të rreme.
Ndërsa çështja e kundërvënieve brenda Partisë Socialiste mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “Rama: LMN po ndjek rrugën e Berishës”.
Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Ish-pronarët, ligj i veçantë edhe për kompensimin”.
“Gjykata Kushtetuese rrëzon Dosjet, PD e sulmon” është artikulli tjetër në rubrikën e politikës, i cili citon reagimin e djeshëm të selisë blu ndaj rrëzimit të ligjit të Lustracionit.
Gazeta “Panorama” publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Ndryshon pagesa/ Pronarët, ligj i ri për kompensim me këste”, i cili tregon rregullat e reja për kompensimin e ish-pronarëve.
Ndërkaq, lidhur me çështjen e krizës politike në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titull “Meidani: Rama të mos shajë PS-në, por të fusë deputetët në Kuvend”.
Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Ligji i spiunëve, PD sulmon Kushtetuesen pas rrëzimit”.
Artikull tjetër i kësaj gazete në kuadrin e masakrës së Devollit është edhe ai me titullin “Autori i masakrës së tre vëllezërve: Më mbeti peng që nuk i vrava kur i kapa në flagrancë”.
“Gazeta Shqiptare” ka si titull kryesor të saj “Ligji i Dosjeve, KiE reagon: 5 arsyet pse është antikushtetues”, i cili tregon sesi Komisioni i Venecias ka reaguar për ligjin e Dosjeve duke thënë se ai dhunon institucionet, shoqëruar me reagimin kundërshtues të selisë blu ndaj rrëzimit të këtij ligji.
Ndërkaq, paraqitet me artikull të veçantë çështja e vrasjes dy ditë më parë tek zona e Xhamllikut me titullin “Vrasja te xhamllëku, vajza: Mamaja më tha se nuk jam më vajza e saj”.
Ndërsa në një artikull të veçantë në këtë të përditshme do të lexoni intervistën me titull “Paskal Milo: Incidenti te Kanali i Korfuzit, Anglia të na kthejë arin”.
Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “Kriza: Palët shtojnë egërsinë”, i cili tregon sesi mazhoranca thërret tryezën, ndërsa Rama paralajmëron: Blushi në shërbim të Berishës.
Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Gjyqësori, rikthehet “plani” për parlamentin”.
Ndërsa çështja e vizave mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “Vizat, Brukseli bën gati delegacionin për Shqipërinë, kryetar drejtori i Zgjerimit”.
“Vrasësi i tre vëllezërve dorëzohet në vendlindje” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor “Dosjet, Kushtetuesja paditet në Strasburg”, i cili tregon sotme rrëzimin në Kushtetuese të ligjit të Lustracionit, shoqëruar me reagimin kundër të Partisë Demokratike.
Ndërkaq, lidhur me çështjen e bojkotit të PS, paraqiten me artikull të veçantë deklaratat e bëra dje nga kryesocialisti me titullin “Rama: Hapja e kutive, oferta ime për Berishën që kriza të zgjidhet”.
Artikull tjetër i kësaj gazete në kuadrin e problematikës së arsimit është edhe ai me titullin “Risia, teste elektronike për maturantët, për 30 minuta dalin rezultatet”.
Ndërsa në rubrikën “intervista” do të lexoni një artikull të veçantë me titullin “Islami: Jemi më socialistë se Rama”.
Gazeta “Korrieri” hapet me titullin “Prapaskenat e arrestimit në gjykatë të dëshmitarit të Gërdecit”, i cili tregon sesi u arrestua dje në gjyq për dëshmi të rreme njëri prej dëshmitarëve të tragjedisë së Gërdecit.
Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titull “Mandatet e deputetëve, skenari i PS për t’i çuar në Kushtetuese”.
Dhe si në të përditshmet e tjera, edhe këtu gjejmë të pasqyruar çështjen e deklaratave të bëra dje nga kryesocialisti Rama për zgjidhjen e krizës me titullin “Edi Rama: Po humb fuqia e votës, e merr në dorë populli”.
Ndërkaq, lidhur me çështjen e ligjit të Dosjeve në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titull “Dosjet, PD kundër Kushtetueses: Do ta hedhim në referendum”.
| Tiranë | 16 | °C | |
| Prishtinë | 14 | °C | |
| Ulqin | 16 | °C | |
| Shkup | 14 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.52 | 142.14 |
| USD | 106.95 | 111.35 |
| GPB | 168.71 | 175.65 |
| CHF | 113.60 | 118.27 |