Berisha: Mėsuesit do vazhdojnė tė jenė nė qendėr tė reformės nė arsim
Vendos në Facebook
|
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të shkollës 9 - vjeçare “Qamil Guranjaku”, në qytetin e Elbasanit, një investim me vlerë 61 milionë lekë, ndërsa pajisjet e saj kanë kushtuar rreth 20 milionë lekë. Pas ceremonisë së inaugurimit, Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e kësaj shkolle duke u ndalur fillimisht në kabinetin e informatikës. Duke përgëzuar stafin pedagogjik, Kryeministri kërkoi që programi i informatikës të shtrihet edhe në klasat më të ulëta, në klasat e I-ra, klasat e II- ta dhe klasat e III-ta, duke i pajisur edhe kabinetet me kompjuterë të përshtatshëm për këto mosha. “Këto katër vite kemi përparësi absolute moshën dixhitale”, u shpreh Kryeministri Berisha. Më pas, Kryeministri Berisha u takua me stafin pedagogjik të kësaj shkolle, të cilët i garantoi se edhe gjatë këtyre katër viteve arsimtarët do të jenë në epiqendër të reformës së arsimit. “Ne e marrim arsimin si çështjen më serioze, sepse për një komb nuk ka asgjë më serioze se arsimi. Mendoj që në disa drejtime është lëvizur mirë. Është lëvizur në drejtim të rritjes së numrit të studentëve në universitete. Sot ne kemi 135 mijë studentë në universitete, prej të cilëve 120 mijë në universitetet publike dhe 15 mijë studentë në universitetet private, por duhet të shkojmë tek 150 mijë studentë”, u shpreh Kryeministri Berisha. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se duhet të rendet edhe pas cilësisë në arsim. “Duhet të rendim pas cilësisë në përgatitjet e mësuesve, në kualifikimin e vazhdueshëm të tyre dhe për cilësinë në kërkimin shkencor në universitete. Në universitete mbetet problem serioz numri i pedagogeve për studentë. Duhet të rritet numri i pedagogëve dhe duhet t’a sjellim atë në nivelin e grupit të vendeve të zhvilluara. Gjithashtu, është ulur dhe do të vazhdojë të ulet edhe numri i nxënësve për mësues”, u shpreh Kryeministri Berisha. |
Burimi / Autori i lajmit : ShtypiDites






