Imami: Nuk ka Ballkan tė sigurt, pa njė Kosovė tė sigurt

Imami: Nuk ka Ballkan tė sigurt, pa njė Kosovė tė sigurt

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë u prit dje në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga Ministri Fehmi Mujota. Kjo ishte vizita e parë e një ministri të Mbrojtjes të Shqipërisë në Kosovën e pavarur, vizitë e cila u zhvillua vetëm një ditë para festimit të dy vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Në fillim të dy ministrat patën një takim kokë me kokë, pastaj u mbajt takimi në formacion të gjerë i dy delegacioneve. Nga MFSK-ja ishte i pranishëm komandanti i FSK-së gjeneral Sylejman Selimi, si dhe  zyrtarë të lartë të  MFSK-së.
Ministri Mujota informoi Ministrin Imami mbi procesin  e ngritjes së strukturës së FSK-së, me përpjekje të vazhdueshme për të arritur kapacitetet e plota operacionale. Për fushatën aktuale të rekrutimit, me mundësi që të përfshihen edhe komunitetet pakicë, bashkëpunimin e mirë me KFOR-in dhe NATO-n, nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me disa vende mike, anëtare të  NATO-s, me angazhimin për të zgjeruar sa më shumë bashkëpunimin ndërkombëtarë, si dhe pjesëmarrjen në nismat rajonale të sigurisë.
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami deklaroi se Kosova trajtohet edhe nga NATO si një histori suksesi, pasi progresi i shënuar në këtë vend është i dukshëm. Ai theksoi faktin se stabiliteti dhe siguria në Kosovë janë premisa për një Ballkan të sigurt. Në këtë kuadër, Ministri Imami dënoi sponsorizimin nga Beogradi të strukturave paralele në veri të Kosovës, ndërkohë që vlerësoi strategjinë e re të përpiluar nga qeveria e Kosovës –për të integruar vendin. 
Ministri Arben Imami falenderoi Qeverinë e Kosovës, Ministrinë dhe FSK-në për ndihmën e ofruar gjatë përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës, duke vlerësuar lartë angazhimin, përkushtimin, profesionalizmin dhe disiplinën e treguar nga njësia e FSK-së. 
Ai ritheksoi gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë për të ndihmuar në mënyrë të pakursyer FSK-në në  të gjitha ato drejtime ku ekzistojnë mundësitë. 
Më pas të dy ministrat nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë. Marrëveshja e Bashkëpunimit përqendrohet në shumë fusha me interes të përbashkët si: në fushën e politikave dhe doktrinës së sigurisë, stërvitjeve dhe seminareve të përbashkëta, arsimimit dhe trajnimit, shkëmbimit të informacioneve, dokumentacionit dhe fushën e legjislacionit, aktiviteteve të përbashkëta kulturore dhe sportive, marrëdhënie me publikun, si dhe fusha të tjera me interes të dyanshëm.
Ministri Arben Imami akordoi edhe medaljen “Për Shërbime të Shquara” për kontributin e Njësisë së Kërkim-Shpëtimit gjatë misionit humanitar në Shkodër. Po ashtu Ministri Imami i dha medaljen “Për Shërbime të Shquara” komandantit të Njësisë së Kërkim-Shpëtimit, kapiten Ejup Maqedoncit, i cili drejtoi njësinë në operacionin humanitar në Shkodër. 
Në fund të dy ministrat dhanë konferencë për media. Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, Ministri Imami me delegacionin nga Shqipëria i shoqëruar edhe nga Ministri i FSK-së Fehmi Mujota dhe komandanti i KFT gjeneralmajor Rrahman Rama, vizituan Qendrën e Komandës, Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) në Ferizaj. Ministri Arben Imami, vlerësoi progresin e bërë nga FSK dhe shprehu bindjen se kjo Forcë, me ritmet me të cilat po zhvillohet, do të jetë një prej më të kualifikuarave në rajon. 
Ministri i Mbrojtjes Arben Imami ishte në një vizitë zyrtare dy ditore (15 dhe 16 Shkurt) në Kosovë, ku më parë u takua me Presidentin Fatmir Sejdiu, Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, Kryeministrin Hashim Thaçi dhe Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Bentler. Gjatë vizitës, Ministri Imami zhvilloi homazhe dhe vendosi buqeta me lule në varrin e ish-Presidentit Ibrahim Rugova dhe heroit Adem Jashari. 


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek