Sot u mbajt seanca e dytë gjyqësore e EULEX-it kundër Albin
Kurtit. Por
kjo seancë e procesit të montuar gjyqësor kundër Albin Kurtit, u kthye
në seancë policore. Seanca filloi në orën 10:00 në Gjykatën e Qarkut në
Prishtinë. Në fillim u paraqit Paneli Gjykues në përbërjen e Ferdinando
Buatier de Mongeot (kryesues), Vladimir Kanev dhe Fllanza Kadiu
(anëtarë). Avokati mbrojtës, Ramiz Krasniqi, i cili në seancën e kaluar
më 15 shkurt, dha dorëheqje nga rasti, sot lëshoi një deklaratë në të
cilën ia kujtoi trupit gjykues të EULEX-it vendimin e tij. Në këtë
deklaratë ai tha se jep dorëheqje nga ky gjykim i padrejtë dhe me
motive politike, duke theksuar se “EULEX-i nuk është palë neutrale në
rastin e Z. Kurti, por është i interesuar ta heshtë atë, siç është
dëshmuar nga fakti se EULEX-i ka zgjedhur ta rifillojë rastin me të
njëjtë akuzë politike me të cilën e kishte nisur atë UNMIK-u”. Ramiz
Krasniqi e përmbyll letrën e tij kështu: “Unë jam bërë pjesë e nismës
për mbylljen e rastit ndaj Albin Kurtit, duke nënshkruar peticionin,
dhe nuk do të marr pjesë në procesin politik kundër z. Kurti”.
Ashtu siç kishte treguar në këtë deklaratë të lëshuar, Ramiz Krasniqi
nuk u paraqit në seancë. Pasi konfirmoi mungesën e avokatit mbrojtës,
kryesuesi i Panelit, Mongeot, i bëri thirrje trupit gjykues për një
tërheqje për të marrë vendim, gjë që zgjati gjysëm ore. Në të vërtet,
më pas u kuptua se takimi i ndarë i trupit gjykues nuk ishte tjetër
veçse urdhër për sjelljen me trysni të Ramiz Krasniqit në seancë. Ramiz
Krasniqi u soll në gjykatë, siç tha vetë Mongeot, “përkundër vullnetit
të tij”. Ndërkohë që EULEX-i ka ndërruar edhe vetë prokurorin e rastit,
Lulzim Sylejmanin. Tash prokuror i çështjes është Ali Rexha.
Pasi siguruan pjesëmarrjen e Ramiz Krasniqit në seancë, Paneli Gjykues
mori urdhër për sjelljen e Albin Kurtit në gjykatë nëpërmjet arrestimit
nga Policia e Kosovës. Mongeot e kumtoi këtë urdhër në orën 11:00, duke
kërkuar nga policia për arrestimin e Albinit deri në orën 12:30 për kur
u caktua pjesa e dytë e seancës së sotme. Policia e Kosovës pak minuta
pas marrjes së këtij urdhri nga EULEX-i filloi fushatën për ndjekjen e
Albin Kurtit. Ata shkuan te banesa e Albin Kurtit si dhe në zyret e
Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Në pjesën e dytë të seancës në orën 12:30, Paneli Gjykues rikonfirmoi
mungesën e Albin Kurtit në seancë, gjë të cilën Albini e ka
paralajmëruar që prej fillimit. Në fund të seancës nga Paneli Gjykues u
tërhoq e vetmja anëtare shqiptare, Fllanza Kadiu. Sipas kryesuesit të
Panelit, Mongeot, znj. Kadiu ishte tërhequr për shkak të “disa
shqetësimeve”. Paneli e shtyu seancën për nesër në orën 10:00.
Sjellja policore e Panelit Gjykues me Ramiz Kelmendin si dhe vendimi
për arrestimin e Albin Kurtit, tregon për natyrën e vërtetë të këtij
procesi të padrejtë. Po ashtu kjo tregon se nën komandën e kujt mbetet
ende Policia e Kosovës, e cila tash është në kontrollin e plotë të
EULEX-it, ashtu sikurse që dikur si SHPK ishte nën tutelën e UNMIK-ut.
Për çfarë pavarësie dhe sovraniteti po flasin politikanët e Kosovës,
kur EULEX-i na i kontrollon gjykatat dhe policinë? Këtu po ashtu nuk ka
nevojë për ndërrimin e prokurorit, por për anulimin e rastit. Jo
kërcënim për avokatët, por hedhje poshtë e akuzave të pambështetura dhe
absurde kundër Albin Kurtit. Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje Ramiz
Kelmendit t’i bëjë ballë trysnive të EULEX-it, si dhe thërret të gjithë
avokatët e Kosovës të mos bëhen vegël e EULEX-it në procesin e montuar
gjyqësor kundër Albin Kurtit. Po ashtu përshëndesim tërheqjen e Fllanza
Kadiut. Nëse arsyet e mosdëgjimit dhe bojkotimit ndaj Panelit të
EULEX-it, janë shëndetësore, ne u bëjmë thirrje të emëruarve të
ardhshëm që të sëmuren. Populli i Kosovës nëpërmjet peticionit po e
kërkon mbylljen e përndjekjes tashmë edhe policore të Albin Kurtit. Por
ai tashmë është i gatshëm që me gatishmëri edhe më të madhe të ngrihet
kundër kësaj padrejtësie, por edhe kundër të gjitha padrejtësive që po
na ndodhin kolektivisht.
ShtypiDites