Fjala e Kryeministrit Berisha, mbajtur në seancën e sotme parlamentare:
"Zotërinj ministra,
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Dola këtu për të përshëndetur vendimin e opozitës shqiptare, të grupit të saj parlamentar, për të ardhur sot në Kuvend dhe për të marrë të gjitha përgjegjësitë kushtetuese që deputeti ka para atyre që e kanë votuar, i kanë dhënë besimin dhe e kanë sjellë në Parlament.
Gjithashtu, jam këtu për të garantuar opozitën në vendosmërinë time të palëkundur për të bashkëpunuar ngushtë me të, duke respektuar të drejtat e saj, pushtetin dhe autoritetin e saj moral. Për Shqipërinë dhe shqiptarët janë kohëra shumë të veçanta. Këto janë kohërat e një procesi jetik dhe vendimtar për këtë komb, për të kapur të ardhmen e tij. Shqiptarët, më shumë se çdo komb tjetër, edhe sot të ardhmen më të mirë konsiderojnë të ardhmen në Bashkimin Evropian.
Janë reformat e shumta dhe të gjithanshme, të cilat presin kontributin e opozitës, presin kritikën e opozitës, vështrimin e saj kritik, oponencën, por edhe mbështetjen e saj. Me opozitën në mandatin që shkoi, pavarësisht nga lufta normale politike, është proceduar me reformat më të thella. Këto reforma bënë të mundur arritjen më madhore historike të Shqipërisë dhe shqiptarëve pas pavarësisë, anëtarësimin në NATO. Unë kam bindjen se së bashku ne do t’ia dalim që të meritojmë vlerësimet pozitive për të gjithë etapat e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, statusin e kandidatit dhe etapa të tjera të këtij procesi.
Ka një kundërshti, të cilën unë dhe askush nuk mund ta injorojë. Kjo kundërshti ka të bëjë me një perceptim të ndryshëm të një realiteti, por ka të bëjë edhe me një të drejtë të padiskutueshme të opozitës që të kërkojë garancitë më të mëdha për një proces zgjedhor. Duke qenë i vetëdijshëm se kjo është e drejta më legjitime e një opozite, në 4 vitet që shkuan, ata që kanë bashkëpunuar në procesin elektoral e dinë se Sali Berisha nuk ka lënë koncesion pa bërë. Në mënyrë absolute kam bërë çdo koncesion. Nuk kam pranuar të nisem asnjëherë t’i diktoj opozitës. Nuk kam pranuar, sepse kam konsideruar detyrën time me kryesoren t’i jap asaj garanci të plota dhe kemi arritur në një reformë zgjedhore shumë të rëndësishme. Jam këtu sërish për të garantuar opozitën se ajo do të ketë jo vetëm veto, por do të jetë përcaktuese në të gjithë kuadrin elektoral. Në rast se dëshiron edhe sistemin le t’a ndërrojë. Në rast se dëshiron le të përdorin teknologjitë më të larta, ndonëse besoj se me procesin e numërimin ne realizuam diçka të pa realizuar deri më sot. Besoj se është e domosdoshme që për të afruar pozicionet duhet të përpiqemi të afrojmë perceptimin e realitetit, sepse për të arritur në konkluzione të drejta nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa të prekësh realitetin, të përpiqesh të bësh Shën Thomain.
Në rast se zoti Ruçi paraqet këtu rastin e qendrës elektorale të Ruzhdies, të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptarë, cili është rasti i Ruzhdies? Ruzhdia është një qendër elektorale në të cilën tre komisionerë të Partisë Socialiste u larguan që në mëngjes, morën vulën dhe ikën.
Të nderuar zotërinj,
Unë po jua them se simetrizmi i komisioneve është një nga shtyllat më kryesore të sistemit tonë për transparencën. Mbi këtë bazë kemi rënë dakord 50 për qind të Shqipërisë jeni ju mazhoritar dhe 50 për qind të pjesës tjetër jemi ne mazhoritar. Pra, jemi ndarë 50 me 50. Por, në qoftë se tre komisionerë porositen unë, të jeni të sigurt ju që, duke shprehur respektin më të madh për komisionerët, asnjëherë nuk mund të zotohem për integritet. Megjithatë, është Gjykata e Apelit që e ka hedhur poshtë atë qendër. Ajo nuk urdhëroi përsëritje zgjedhjesh, por e hodhi poshtë. Nga Sali Berisha as keni pasur dhe as nuk do të keni asnjë akuzë. Problemi është me Gjykatën, jo me ju.
Së dyti, realitetet duhet të përpiqemi ti perceptojmë siç janë. Në mënyrë të përsëritur ju dëgjoj të citohet një vendim i Gjykatës.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Të dashur qytetare e qytetarë shqiptar,
Tre muaj më parë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i tha legjislativit shqiptar se nuk mund të hetosh qeverinë vendore. Nuk mund t’i hetosh, sepse cënon autonominë e tyre, pavarësisht se ai hetim bazohej mbi fakte dhe dokumente. Këtë vendim të dy palët nuk e kemi vënë në diskutim. Për shqiptarët, për ju, për ne, për të gjithë pa përjashtim, ka një pavarësi tjetër që është shumë herë më e rëndësishme sesa pavarësia e pushtetit vendor dhe kjo është pavarësia e pushtetit gjyqësor. Pushtetet janë tre: pushteti legjislativ, pushteti ekzekutiv dhe pushteti gjyqësor. Pra, Gjykata Kushtetuese ndërhyri edhe brenda degës së pushtetit ekzekutiv. Kështu që besoj se edhe kultura juaj juridike, kultura juaj parlamentare, sepse shumë prej jush keni disa legjislatura në kuvend, janë të mjaftueshme që të na bëjë ne të perceptojmë një lloj realiteti dhe jo në dy mënyra të ndryshme, e pastaj të mbetemi me slogane që nuk shërbejnë asgjë.”
| Tiranë | 16 | °C | |
| Prishtinë | 13 | °C | |
| Ulqin | 16 | °C | |
| Shkup | 13 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.52 | 142.14 |
| USD | 106.95 | 111.35 |
| GPB | 168.71 | 175.65 |
| CHF | 113.60 | 118.27 |