Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz
Ruçi deklaroi se opozita ndodhet në parlament për t'i dhënë shans
mazhorancës për zgjidhjen çështjes së transparencës së plotë të
procesit zgjedhor.
Më poshtë lexoni të plotë fjalën e mbajtur në Kuvend nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare, njëherësh deputet, Gramoz Ruçi:
Zonja dhe zotërinj deputet
Ky
parlament ka një konflikt për të zgjidhur me popullin opozitar dhe
populli opozitar ka një konfikt për të zgjidhur me këtë parlament. Ne
kemi ardhur sot ti japim një shans këtij parlamenti që të zgjidh
pikërisht këtë konflikt me popullin përpara sesa populli të marrë vetë
në dorë zgjidhjen e këtij konfikti. Ky nuk është një konflikt për
pushtet, por një konfikt i pastër interesi mes një pushteti që pengon
transparencën e zgjedhjeve nga ka dalë dhe popullit nga ana tjetër që
kërkon transparencën e votës që ka dhënë. Ne nuk kemi ardhur sot këtu
të marrim pushtetin përmes këtij hetimi të zgjedhjeve, por për tu
kërkuar të mos na mohoni të drejtën kushtetuese që ti hetojmë zgjedhjet
plotësisht dhe hollësisht, padyshim duke hapur kutitë e 28 qershorit.
Ne
nuk kemi ardhur sot këtu në parlament të betohemi dhe të largohemi, po
u betuam për kushtetutën që ky pushtet e ka shkelur rresht 20 herë në
këto 4 vjet, por njëherësh ne nuk kemi ardhur as të rrimë bashkë me ju
në këtë sallë duke i kthyer kurrizin popullit opozitar dhe të mbyllim
sytë para së vërtetës, që sot ky popull kërkon asgjë më shumë sesa të
drejtën sovrane për transparencën e këtyre kutive. Ne jemi këtu në emër
të çdo shqiptari që prej 6 muajsh proteston bashkë me ne për këtë të
drejtë dhe do të qëndrojmë në këtë parlament vetëm nëse ju dëshironi
dhe keni vullnet të mirë politik për ta zgjidhur këtë krizë politike.
Vetëm nëse ju do të çlironi pikërisht nga konflikti interesit, që ju
detyron të shkelni prej 6 muajsh kushtetutën për të mos lejuar hetimin
kushtetues dhe ligjor të këtyre zgjedhjeve. Shqipëria është në një
krizë të thellë të demokracisë, është në një krizë të thellë të shtetit
të së drejtës dhe njëherësh është në krizë ekonomike. Pushteti juaj e
ka të pamundur t’ju ofroj shqiptarëve zgjidhjen për faturën e jetesës
që ju ngrihet lak në fyt çdo familje shqiptare. E keni të pamundur t'ju
jepni shqiptarëve shkollim normal për fëmijët, e kujdes të denjë
shëndetësor për të sëmurët. E keni të pamundur t’ju jepni shqiptarëve
frymëmarrje për biznesin privat që po lëngon apo në punën e shtetit,
nënpunësit e shtetit që janë bërë çerdhe shërbëtorësh të pushtetit. E
keni njëherësh të pamundur t'ju jepni shqiptarëve integrimin e shumë
ëndërruar evropian dhe nuk ju ndihmon në këtë drejtim as propaganda e
turpshme kundër opozitës edhe nga kjo foltore, që pavarësisht mungesës
sonë, keni vazhduar ta përdorni atë si kënd shpifjesh e sharjesh për ne
për të justifikuar betejën e përsëritur ose mbetjen në klasë për
liberalizimin e vizave që është vetëm paaftësia juaj shembullore. Por
edhe mos përmendur edhe më të thjeshtën, transparencën kushtetuese të
zgjedhjeve, sepse pastaj do të jetë e pamundur që të ndalim pushtetin e
punëve tuaj, përpara zemërimit të popullit pa punë dhe pa përfillur
njëherësh edhe këtë të drejtë elementare për transparencën. E vratë dhe
shkatërruat popullin nëpërmjet Gërdecit, me babëzinë tuaj dhe
pangopësinë tuaj dhe të pangopurit i keni ende sot në krye, sepse s'ka
ende drejtësi në këtë vend pasi janë kapur gjykatat. E shembët
investimin e parave të popullit në rrugën e kombit, përsëri me babëzinë
tuaj dhe të pangopurit i keni përsëri në krye, sepse s'ka drejtësi në
Shqipërinë ku ka ikur në drejtim në paditur prokuroria. E mbytët
Shkodrën për herë të dytë, përsëri me babëzinë tuaj dhe të pangopurit i
keni përsëri në krye sepse s'ka drejtësi në vendin tonë, ku ka rënë
shteti i së drejtës dhe ka fituar pushteti i votës së vjedhur.
Një
pushtet që vjedh votat është një pushtet që vjedh pastaj çdo gjë, sepse
nuk ka më nevojë ti bind njerëzit për votën që duan s’duan jua merr me
pahir. Sot ne nuk ju kërkojmë pushtetin që nuk na e ka dhënë populli,
por hapjen e kutive ku populli ka dhënë vendimin e tij për pushtetin,
jo për të ndryshuar këtë herë rezultatin, por për të ndryshuar njëherë
e mirë rregullat e lojës, që ju ka nxjerrë fitues ju pa pëlqimin e
popullit. Nëse ju do ta lini popullin të shoh se çfarë ka në këto kuti,
do ti bëni Shqipërisë dhe demokracisë tonë shërbimin që nuk ja bëtë më
28 qershor duke futur duart babëzisht në kutitë e votimit e futur
vendin në këtë krizë të rëndë, e cila nuk zgjidhet nëpërmjet një
pazari, por vetëm nëpërmjet një parimi. Ose qeverisni duke lejuar
transparencën ose duhet të largoheni për ti ridhënë popullit të drejtën
sovrane të vendimmarrjes së tij.
Z. Berisha më njihni mirë dhe
po kaq mirë ju njoh edhe unë ju. Nuk dyshoj se pavarësisht atyre që ju
thoni për hesapin tuaj ndaj meje, brenda vetes koha ju ka krijuar një
bindje, se unë jam një shqiptar tradicional që gënjeshtrën e përçmoj
dhe shpifjen e neveris. Ju kam dëgjuar si gjithë shqiptarët tërë këto
kohë të vajtoni mandatin që thoni se e keni humbur në qarkun e Fierit,
duke vajtuar apo duke bërë sikur po vajtoni. Pretendoni se gjykata ka
dhënë një vendim të gabuar lidhur me qendrën e votimit në Rruzhdie, por
ju e respektoni prandaj kërkoni edhe nga ne që të respektojmë vendimet
e gjykatës dukë mos kërkuar hapjen e kutive të 28 qershorit.
E
kemi thënë çdo ditë në këto 6 muaj, ne nuk kemi punë me vendimet e
gjykatës, por të drejtën tonë kushtetuese të hetimit parlamentar as e
ndalon gjykata dhe as ne kërkojmë të përdorim atë kundër gjykatave.
Megjithatë z. Berisha unë kam një propozim dhe një sfidë publike për
ju, jo vetëm në emrin tim personal, por edhe në emër të tërë kolegëve
të tjerë të qarkut të Fierit, jo vetëm në emër të atyre por edhe në
emër të gjithë PS dhe të grupit të saj parlamentar, në emër të
kryetarit të PS.
Ne si socialistë na mjafton vetëm transparenca
e kutisë së Ruzhdies, meqë ju pretendoni, për tu tërhequr nga fusha e
kësaj beteje, nëse nga verifikimi i dokumentit zgjedhor i kësaj kutie
nuk del qartë në sytë e popullit mekanizmi i korrupsionit elektoral,
ashtu siç mjafton vullneti i këtij parlamenti sot, që sot që nesër. Ta
sjellim dhe ta hapim këtu në parlamentin shqiptar, në këtë sallë para
syve të popullit, vetëm kutinë e Rruzhdies për të vendosur për më tej.
Nëqoftëse bindja jonë se zgjedhjet janë kërcënuar shumë seriozisht nga
një mekanizëm grabitje, përmes korrupsionit të komisionerëve, nëse nuk
vërtetohet plotësisht përpara syve të gjithë shqiptarëve dhe gjithë
komunitetit ndërkombëtar, unë personalisht jo vetëm që ju kërkoj ndjesë
publike, por jap dorëheqjen nga gjithë skena politike dhe shkoj në
shtëpi së bashku me 8 deputetët e qarkut të Fierit.
Në të
kundërt ju zoti Berisha që do të duhet ti hapni rrugën transparencës së
plotë e të pakushtëzuar duke lejuar shqiptarët dhe botën mbarë që të
shoh provën e krimit elektoral që mbajnë brenda ato kuti. Ne jemi gati
për këtë sfidë dhe të më falë, refuzimit tuaj në këtë rast do ta merrja
si provën më të qartë për vërtetësinë e krimit që fle në ato kuti,
rreth faktit se ju z. Berisha e dini fare mirë se çfarë kanë ato kuti
brenda, prandaj i trembeni si djalli temjanit.
Ku ka shqiptarë
përfshirë edhe ju vetë, që ta besojë se ju zoti Berisha i 20 shkeljeve
kushtetuese, ju zoti Berisha i hetimeve antikushtetuese parlamentare që
nxorët në publik sekrete të mbrojtura nga ligji për të lançuar
prokurorinë e përgjithshme.
Jo z. Berisha, transparencën e
kutive të 28 qershorit, nuk e pengon ndërgjegjja juaj inegzistente
juridike, atë e pengon e vërteta që ju ka njollosur ndërgjegjen e 28
qershorit dhe fakti që ju errëson përditë e më shumë shikimin përpara
një populli të tërë që kërkon një të drejtë të tijën, jo një favor nga
ju.
Nuk besoj se do ti kujtojmë me nostalgji z. Berisha shumë
nga betejat e panevojshme që keni bërë këtu në këtë sallë, prej thuajse
dy dekada, brenda apo jashtë parlamentit, sepse i kemi lodhur
shpeshherë pa arsye shqiptarët, i keni mërzitur atyre vazhdimisht atyre
shpirtin me gërrmërret që kanë qenë larg halleve të vërteta të tyre.
Keni lenë të rritet në Shqipëri një klasë politike me pak fisnikëri dhe
me shumë vese megjithatë shumë gjëra do ti marr koha me vete, të tjerat
vallë se do justifikohen nesër me mungesën e traditës demokratike të
vetë shoqërisë shqiptare. Të tjerat koha mund t'ia falim vetë njëri
tjetrit, duke gjetur justifikime për veten kur të merremi si
pensionistë me gabimet e më të rinjve. Por një gjë nuk doja që brezi
jonë ta linte pa zgjidhur sa jemi ende në jetën aktive të politikës
z.Berisha ju, unë dhe tërë kolegët e brezit tonë, lirinë dhe
ndershmërinë e zgjedhjeve. Nuk do të doja kurrë që brezi ynë të mos e
linte dot as pas 20 vjetësh, të rejave dhe të rinjve që kanë lindur në
vitin e fitores së demokracisë, mundësinë për të zgjidhur dhe për të
zhvilluar zgjedhje si gjithë Europa, pa kuti të mbushura nga një dorë,
pa lista të manipuluara votuesish.
Ja pse jam unë në këtë betejë
dhe nuk do të tërhiqemi kurrë nga fusha e kësaj beteje Partia
Socialiste, grupi i saj parlamentar dhe kryetari i saj Edi Rama dhe jo
vetëm këta, por edhe i gjithë populli jo vetëm i majtë, po tashmë dhe
ai i djathtë që kërkon fundin e kësaj tradite të shëmtuar zgjedhjesh si
askund tjetër në Europë, madje as si në Kosovën tonë motër, ku veç dy
vjet shtet, kutitë hapen dhe rihapen, votimet bëhen dhe ribëhen dhe
askujt nuk i shkon në mendje të pengojë transparencën demokratike për
asnjë palë. S’dua të përmend këtu Afganistanin e largët ku kemi çuar
djemtë tanë për të ruajtur demokracinë e brishtë nga rreziku
fondamentalizmit dhe ku kutitë hapen pavarësisht se nuk do i pari i
vendit.
S’ka ku vete e s'ka ku rri kjo punë, ndaj edhe ne s'do
të ndalemi pa e venë në vend këtë punë. Krizën e lirisë së zgjedhjeve
në Shqipëri, ne nuk e zgjidhim dot këtë krizë duke hequr qafe pasqyrën
e parlamentit gjysmak z. Berisha, por vetëm duke i bashkuar dy gjysmat
për ti dhënë fund kësaj krize me burrëri, për ti dhënë fund kësaj krize
me vullnet, për ti dhënë fund kësaj krize me kurajo, për ta parë me sy
të vërtetën e zgjedhjeve të shkuara që në të ardhmen të mos ketë kurrë
më zgjedhjet si të shkuarat, falë bojkotit tonë dhe protestës
popullore. Kjo është bërë tashmë jo vetëm çështja e çdo shtëpie
shqiptare, por edhe e çdo tryeze ndërkombëtare kur flitet për
Shqipërinë.
Ne kemi ardhur të dorëzojmë çelësin që hap derën e
kthimit tonë përfundimtar në parlament, ju takon tashmë juve shumicës
në këtë sallë të vendosni nëse e doni edhe opozitën në sallë apo e doni
bashkë më popullin në rrugë. Me mandatet e popullit opozitar deputetët
e Partisë Socialiste duan të bëjnë hetimin e plotë dhe të pakushtëzuar
të zgjedhjeve deri në zbardhjen e plotë të këtij krimi elektoral ose
nëse nuk do të dëgjoni zërin e së drejtës, ne do të jemi në krye të
këtyre protestave pa ndalim. Pa çliruar zgjedhjet nga duart e krimit
elektoral oferta jonë për zgjidhjen e kësaj krize dhe qëndrimi i grupit
tonë parlamentar janë ky propozim që ju kemi sjellë sot këtu, amendimet
e ligjit për komisionet hetimore dhe projektvendimi për ngritjen e
menjëhershme të komisionit hetimor. Kjo ofertë vlen për këdo që thotë
sot dhe nesër se do të preken zgjedhjet, sot dhe nesër që ne jemi në
opozitë dhe ju jini në pushtet, ta kini me vete dhe ju kur të jeni
nesër në opozitë. Pra ligjet i bën ky parlament, duke e kthyer me ligj
me konsensus këtë ofertë nuk ka asnjë pengesë as sot dhe as më kurrë.
As për pozitën e sotme dhe as për opozitën e nesërme. Vetëm kështu
zgjedhjet në Shqipëri bëhen transparente përmes kontrollit parlamentar
dhe kurrë më, ata që administrojnë zgjedhjet nga komisioneri fshatit më
të largët e deri tek kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk
mendojnë dot se duke mbushur kutitë apo mbyllur kutitë mund të jetojnë
ta patrazuar nga forca ndëshkuese e ligjit.
Edhe diçka në fund
për ju znj. kryetare parlamentit. Zonjë e nderuar, u informuan nga
Asambleja Parlamentare e OSB-së, se pikërisht sot u keni thënë se ditën
që ne vijmë për ti dhënë një shans këtij parlamenti për zgjidhjen e
krizës, ju trumbetoni se opozita do të vijë vetëm për një formalitet
betimi. Ndoshta ju vetëm këtë meritoni, por ne erdhëm këtu, për
kontribut konkret për zgjidhjen e një krize që nuk e kemi shkaktuar ne.
Do tu lutesha të mos ta shpërdoroni më këtë kontribut, siç shpërdoroni
detyrën dhe ta harroni ju dhe kushdo që mendon si ju se PS mund të
lodhet, mund të dorëzohet apo mund të përçahet nga presionet dhe nga
diversionet tuaja. Përfundimisht topi është në fushën tuaj z. Berisha.
Ne jemi këtu për të pritur reagimin tuaj. Sigurisht në moment edhe në
nuk pretendojmë që mund të jepet një përgjigje enkas, megjithatë koha
duhet të punojë dhe apeli jonë është që kjo kohë duhet të punojë për
zgjidhjen e kësaj krize sa më shpejt.
ShtypiDites