Kyetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një bashkëbisedim me
gazetarët, theksoi se mazhoranca tregoi mungesë respekti në seancën e
një dite më parë duke mos e marrë seriozisht ftesën që i bërë opozita
dhe hyrjen e tyre në Kuvend. Rama u shpreh se nëse kryeministri Berisha
nuk pranon hapjen e kutive opozita do të kthehet në rrugë duke
organizuar protestat më të mëdha që janë bërë në vend.
Më poshtë fjala e plotë e Kryetarit të PS Edi Rama:
Si
çdo të premte, kemi kënaqësinë e këtij takimi pak të ndryshëm nga ditët
e zakonshme. Dua që në qendër të këtij bashkëbisedimi sot të vendos
keqardhjen për reagimin e djeshëm të qeverisë ndaj hapit të hedhur nga
opozita në kërkim të zgjidhjes së krizës. Një reagim i padenjë për
nivelin e përgjegjësisë së drejtpërdrejtë që ka qeveria për zgjidhjen e
krizës, i padenjë për momentin shumë delikat që kalon vendi dhe
pritshmërinë legjitime të qytetarëve të këtij vendi për zgjidhjen e
krizës, por edhe i padenjë në raport me detyrimin e përbashkët ndaj një
komuniteti ndërkombëtar të shqetësuar, por edhe me plotë të drejtë dhe
të angazhuar në kërkim të zgjidhjes së krizës.
Dje për fat të
keq, pushteti u soll si të mos kishte krizë dhe e bëri këtë me vetëdije
të plotë, në një përpjekje për ta trajtuar hyrjen tonë në parlament si
pjesë të argumenteve të turpshëm të një propagande që vazhdon prej
muajsh, për ta eksportuar krizën e thellë të demokracisë, krizën e
thellë të shtetit të së drejtës, të ekonomisë, krizën në tërësi brenda
Partisë Socialiste, përmes instrumenteve të një propagande që
mbështetet nga fuqi mediatike të sponsorizuara drejtpërdrejt nga
pushteti.
Sigurisht që keqardhja nuk mjafton dhe padyshim që ne
jemi edhe më të vendosur për ta çuar përpara betejën tonë drejt
zgjidhjes së një krize, që është një krizë e mirëfilltë demokratike në
vend.
Kjo është arsyeja pse sot unë dua njëkohësisht t’i bëj
apel komunitetit ndërkombëtar, për të mos lejuar që kjo krizë të
rëndohet, për shkak në radhë të parë të refuzimit të qeverisë për ta
njohur krizën. Një refuzim i papranueshëm dhe një shprehje e pa
pranueshme e shpërfilljes në fakt të vetë komunitetit ndërkombëtar, dhe
të qëndrimit të tij të materializuar në një dokument si është Rezoluta
e KiE, ku flitet për krizë.
Së treti, dua të nënvizoj se sot, ne
prisnim një lëvizje për të vënë në lëvizje mekanizmin e debatit lidhur
me ofertën tonë, në instancën e duhur të parlamentit dhe ndërkohë, jo
vetëm që asgjë nuk ka ndodhur në këtë drejtim, që është drejtimi i
duhur, por përkundrazi, vëmë re me keqardhje dhe me shqetësim
përpjekjen për ta trajtuar ofertën tonë si një nga pikat e kalendarit
të rutinës parlamentare. Ky është një gabim infantil, fëminor, i një
pushteti i cili vazhdon të tregojë arsyen e forcës, ndërkohë që ne
vazhdojmë të përpiqemi me forcën e arsyes. S’ka dyshim se cilido që
mendon se ne shkuam në kuvend për të futur në një kanal zvarritës
kauzën tonë, jo vetëm mendon gabim, por në rastin e vetë pushtetit që
kështu mendon, merr një përgjegjësi të madhe për të gjitha pasojat e
kësaj sjellje të papërshtatshme në raport me krizën dhe në raport me
vullnetin e popullit opozitar, për ta zgjidhur këtë krizë nëpërmjet
përfaqësuesve të vet në parlament.
Përgjigjet e pyetjeve
-
Ne nuk kemi depozituar dy projektligje, ne kemi depozituar një dokument
amendamentesh të ligjit ekzistues dhe një projektvendim për të ngritur
komisionin hetimor parlamentar, mbi ligjin ekzistues.
-Prononcimi
im para grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe opinionit publik
dhe para jush, si edhe prononcimi i Kryetarit të Asamblesë Kombëtare në
parlament, janë qartësisht shprehje e vullnetit për ta zgjidhur krizën
në çdo rrugë të mundshme. Njëra nga rrugët e mundshme është rruga e
parlamentit, të cilën nëqoftëse ne do ta gjejmë të mbyllur, pa asnjë
dyshim nuk do të heqim dorë nga përpjekja jonë, por pa humbur kohë, do
ta kthejmë përpjekjen tonë në një protestë të pandalshme derisa të
vihet në vend e drejta jonë. Ne këtë e kemi thënë, nuk është një gjë e
re, sigurisht në këtë periudhë për t’i dhënë shans zgjidhjes përmes
dialogut dhe për ti dhënë shans mirëkuptimit, duke vlerësuar
njëkohësisht edhe angazhimin e komunitetit ndërkombëtar, duke
respektuar edhe gjithçka që kemi bashkëbiseduar me miqtë dhe partnerët
ndërkombëtarë, ne e kemi ulur, apo relativizuar shumë përkohësisht, në
bisedat tona, tonin që ka të bëjë me protestën. Por s’ka pikë dyshimi
se protesta është jo vetëm në axhendën tonë, por është pa diskutim edhe
një mënyrë demokratike që ne do ta përdorim pa asnjë ngurim, dhe e
përsëris pa ndalim, në rast se gjithçka tjetër do të ezaurohet kështu
siç po e ezauron dita ditës ky pushtet, që ende për fat të keq nuk po
do ta shoh të vërtetën në sy dhe ende kërkon t’ju fsheh shqiptarëve
krizën e madhe që ka prodhuar me papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e
vet në të gjitha planet, jo vetëm në planin e demokracisë.
Megjithatë,
unë dua ta ritheksoj, se ne jemi të vendosur që t’i japim çdo shans dhe
çdo mundësi të gjitha palëve për të krijuar kushtet për të zgjidhur një
problem themelor të së ardhmes së vendit, që është problemi i lirisë
dhe ndershmërisë së zgjedhjeve.
-Ne nuk kemi pritur dhe nuk
po presim. Ne jemi në veprim aktiv dhe të vazhdueshëm dhe po përdorim
çdo instrument. Dje Kryetari i Asamblesë Kombëtare të partisë, duke i
folur parlamentit dhe opinionit publik, bëri një sfidë dhe edhe kjo
sfidë është pjesë e përpjekjeve tona për të bashkëpunuar jo vetëm me
palën tjetër, por edhe me ju, me median, me opinionin publik në
kërkimin e rrugës për realizimin e transparencës, gjithmonë nëpërmjet
forcës së arsyes.
Zoti Berisha ka kohë që vajton publikisht, apo
bën sikur vajton humbjen e një mandati në Fier, për shkak të një
vendimi që sipas tij të gabuar të gjykatës, lidhur me votimin në
komunën e Ruzhdies, në një qendër votimi dhe duke thënë këtë, thotë se
megjithatë ai respekton vendimin e gjykatës.
Ne e kemi thënë dhe
e përsëritim pa u lodhur çdo ditë, se kërkesa jonë për transparencë nuk
ka absolutisht asnjë lidhje me vendimet e gjykatave apo me rezultatin e
zgjedhjeve të shkuara.
Për këtë ka një rast për shembull që mund
t’i referohen të gjithë, që është rasti i të njëjtës zgjidhje, për të
njëtën arsye të transparencës, që është dhënë në parlamentin skocez, ku
është bërë transparencë e kutive të votimit. Por, le të qëndrojmë te
sfida e bërë dje nga ana jonë në parlament, nëpërmjet Gramoz Ruçit dhe
tek kutia e bërë e famshme nga vetë z.Berisha, e Ruzhdies. Aty PD dhe
koalicioni i saj ka korrur një fitore spektakolare, që sipas Berishës i
është mohuar nga gjykata. Ndërkohë, që ne jemi të mendimit, që janë të
gjitha kushtet dhe mundësitë që ajo kuti të hapet përpara publikut dhe
në rast se nga vlerësimi i dokumentacionit zgjedhor që gjendet në atë
kuti do të rezultojë ajo që pretendon Berisha, dhe nuk do të rezultojë
ajo që pretendojmë ne, atëherë që palët kanë të gjitha arsyet për të
reflektuar lidhur me bindjet e tyre. Por në rast se do të provohet e
kundërta, sigurisht që janë të gjitha arsyet që palët të përparojnë në
këtë përpjekje për transparencë. Në atë kuti janë të gjitha mundësitë
për të parë se si funksionon mekanizmi i korrupsionit elektoral që ne e
kemi identifikuar edhe pa atë kuti dhe që pa e shkëputur një herë e
mirë nga trupi i zgjedhjeve, jemi të bindur se nuk do t’i arrijmë kurrë
ti shërojmë zgjedhjet. Transparenca na duhet për të shembur sistemin e
korrupsionit elektoral brenda gjithë procesit të administrimit zgjedhor
dhe nuk na duhet për të ndryshuar rezultatin, nuk na duhet për të marrë
pushtetin në tavolinë. Transparenca na duhet për të nxjerrë përpara
publikut mekanizimin e funksionimit të korrupsionit, në funksion të
deformimit të rezultatit, për të nxjerrë para publikut një të vërtetë
të tmerrshme të mënyrës barabare të trajtimit të votës së çdo
shqiptari, të çdonjërit nga ju. Ju siguroj që secili nga ju që jeni në
tryezë, si qytetarë, si votues jeni plotësisht të interesuar të shihni
nëse është e vërtetë ose jo çka ne pretendojmë dhe kur të shihni të
vërtetën, do të jeni shumë më të bindur në drejtësinë e kësaj kauze, që
nuk është kauza e një pale kundër një tjetre, sepse nuk është një mjet
për të marrë pushtetin, por është kauza e demokracisë në Shqipëri, e
cilësisë së procesit të demokracisë në Shqipëri, që gjithsecili me
votën e tij të kontribuojë në marrjen e një vendimi të përbashkët të
një populli të tërë.
E përsëris, zoti Berisha për të mbyllur
këtë krizë, për të zgjidhur këtë problem të madh që vetëm do të
rëndohet, dhe të jeni të sigurt se ne nuk do ta lëmë pa e zgjidhur,
mjafton të ketë vullnet dhe gjithçka futet në rrugën e duhur, duke bërë
hapjen e një kutie të vetme dhe jo të një kutie ku ne pretendojmë se
kemi fituar, por të një kutie, ku zoti Berisha pretendon se ka fituar.
-Së
pari, sfidoj arkivat tuaja të medias, për të nxjerrë një herë të vetme,
në një vend të vetëm deklaratën timen, apo të cilitdo tjetër, që ka
thënë se do të djegim mandatet tona. Gjithmonë kemi thënë që mandatet
tona nuk do të digjen. Sigurisht nuk kemi qenë aspak të detyruar të
bëhemi pjesë e një loje që ka synuar të spostojë vëmendjen nga thelbi
që janë kutitë.
Së dyti, Këshilli i Evropës mund ta pyesë
Komisioni e Venecias, nëse do të sqarojë më mirë këndvështrimin e vet.
Ne nuk kemi nevojë as ta pyesim Komisionin e Venecias dhe as presim nga
Komisioni Venecias të na zgjidhë ne problemin.
Së treti, ne kemi
depozituar në parlament jo amendime të kushtetutës, por amendime të
ligjit, për ta bërë me ligj atë që sot është thjesht një ofertë e palës
tjetër në përgjigje të kërkesës tonë, pra që shumica në komision t’i
takojë opozitës dhe nga ana tjetër për ta ligjëruar transparencën e
zgjedhjeve përmes parlamentit, jo vetëm për këtë herë, por për çdo herë
tjetër, duke i dhënë çdo opozite në të gjitha kohët mundësinë që me
shumicën në komision hetimor të hetojë jo për përmbysjen e rezultatit,
por për të nxjerrë në pah ecurinë e administrimit zgjedhor si një
mundësi që populli ia jep parlamentit përmes kontrollit parlamentar.
Çfarë
bën parlamenti? Parlamenti bën ligje. Çfarë është kontrolli
parlamentar? Kontrolli i parlamentit për zbatimin e ligjeve. Pse janë
komisionet hetimore? Për t’i dhënë mundësi parlamentit për ta ushtruar
këtë kontroll parlamentar duke hetuar për çështje të veçanta me interes
publik në funksion të zbatimit të ligjshmërisë. Çfarë po heton apo
duhet të hetojë parlamenti sipas nesh? Duhet të hetojë mënyrën se si
ligji i tij, ligjet e këtij vendi zbatohet në procesin më të
rëndësishëm të demokracisë, që janë zgjedhjet. Dhe se si administrata
zgjedhore funksionon nga komisioneri në fshatin më të largët deri te
kryetari i KQZ. Këtë askush nuk mund t’ja pengojë parlamentit dhe
askush nuk mund të thotë se parlamenti nuk ka të drejtë ta bëjë. Pjesë
e këtij kontrolli janë edhe kutitë, ku nuk bëhet fjalë për rinumërim
votash për korrigjim rezultati, por bëhet fjalë për hetim, qoftë për
numërimin, pra sa e ka afektuar rezultatin numërimi i keq dhe shumë i
keq në 1/3 e qendrave të numërimit dhe kjo për të nxjerrë konkluzione
nëse ka apo jo subjektivitet, pra vullnet të mbrapshtë për të deformuar
numërimin apo nëse duhet rregulluar procesi i numërimit në të ardhmen
dhe për të hetuar mënyrën se si janë hartuar, se si janë trajtuar
listat e votuesve dhe se si ka funksionuar procesi i identifikimit të
tyre. Të gjitha këto janë pjesë e mënyrës së administrimit të
zgjedhjeve dhe kush mund të thotë që këto nuk mund të hetohen. Pra këto
duhet të jenë të gjitha të mbyllura dhe askush nuk paska të drejtë të
hetojë e për më tepër i hiqet parlamentit e drejta të hetojë për
mënyrën se si zbatohet një ligj në procesin më të rëndësishëm. Kjo
është diçka e paimagjinueshme dhe mos harroni se sot një gjë e tillë as
nuk diskutohet fare në vendet me demokraci të konsoliduar, sepse nuk
diskutohet fare çështja e transparencës së kutive. Është një çështje e
mbyllur prej kohësh. Ju solla një rast konkret, në një parlament të
Evropës, ku kjo gjë është bërë pikërisht për të hetuar procesin. Këtu
jemi në kushtet e një refuzimi, që ka vetëm një arsye, arsyen që
pushteti dhe personalisht zoti Berisha e di që transparenca mund t’i
turpërojë para popullit. Por, kjo nuk mund të jetë një arsye për
popullin për të hequr dorë nga transparenca dhe nuk mund të jetë arsye
as edhe ata vetë, sepse nuk po kërkojmë asgjë më shumë se hetim i
përbashkët në mënyrë që të mos jemi të gjithë bashkë të turpëruar
përpara shqiptarëve dhe gjeneratës së re, që të mos jetë dot në gjendje
të bëjë një votim normal në këtë vend. Të mos jemi të gjithë të
turpëruar përpara faktit që nuk bëjmë dot në këtë vend zgjedhje.
-
Krizat e demokracisë janë shumë më të rënda sesa krizat aritmetike të
Parlamentit. Krizat aritmetike në parlament janë shunë më të lehta për
tu zgjidhur sesa krizat e demokracisë të përkthyera në konfikte mes
popullit dhe pushtetit. Për sa i përket apelit ndaj komunitetit
ndërkombëtar është një apel që unë e bëj pasi ne kemi ndërmarrë një hap
të shumë kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar me të drejtën e një
këndvështrimi, që vjen nga një distancë e caktuar, ku nuk mund të
perceptohen të plota arsyet tona dhe ne e mirëkuptojmë këtë dhe në
kushtet kur ka një moment oportun për të mos u fokusuar mbi bojkotin,
por për tu fokusuar mbi krizën dhe thelbin e krizës. Sot nuk ka bojkot,
por kriza është mes nesh dhe që kriza të zgjidhet nuk mund t’i
adresohemi bojkotit, por ti adresohemi krizës. këtë e kemi thënë me
kohë, sot e themi për komunitetin ndërkombëtar duke besuar që janë të
gjitha mundësitë që komuniteti ndërkombëtar t’i adresohet krizës
drejtpërdrejtë duke kërkuar që kjo krizë të zgjidhet, pa qenë i penguar
nga perceptimi për vetë bojkotin. Thënë kjo, dua nga anën tjetër të
nënvizoj që tanimë kemi një komunitet ndërkombëtar tërësisht të
angazhuar për ta adresuar krizën. Ne jemi këtu në një pozicion dinamik,
jo në një pozicion statik dhe dinamika e ngjarjeve është e pandalshme.
-
Së pari, argumentat e Sali Berishës na mjafton t'i dëgjojmë nga pala
tjetër për tu dhënë përgjigje, s'kemi pse ju japim përgjigje dy herë.
Së
dyti e përsëris, nëse shumëkush ra në grackën e idesë qesharake se ne
do t'ia dorëzonim mandatet Saliut, Ilirit, Fatosit për të kooptuar dhe
emëruar një opozitë tjetër në parlament duke krijuar një telenovelë pa
fund të kujt janë mandatet, e ka kush e ka, ky nuk është faji ynë. Ne
asnjëherë nuk na ka shkuar ndërmend ideja që ti hyjmë kësaj valleje, që
do të ishte tragjikomike për demokracinë dhe për opozitën në rast se
thjesht do ta imagjinonim, por asnjëherë nuk kemi folur për këtë, sepse
s'kemi dashur që vëmendje të spostohet, duke qenë të bindur se ky ka
qenë qëllimi i kësaj ideje dhe padyshim edhe shpresa dhe dëshira e
madhe e të gjithë atyre që mezi e kanë pritur datën 6 mars, aq shumë sa
të gjithë ju harruat 7 marsin, harruat 8 marsin. Ja ku doli që s'do
ketë 6 mars, do ketë 6 mars, por do jetë një datë si gjithë të tjerat.
-
Ne kërkojmë një zgjidhje me bazë të gjerë për transparencën. Përsa i
përket pastaj zgjidhjeve të tjera me bazë të gjerë këto janë mekanizma
që sigurisht unë nuk kam asnjë arsye pse ti paragjykoj apo ti komentoj,
por gjithsesi, nuk zgjidhin këtë problem që ne kemi sot që nuk është
një problem për pushtetin, por është një problem për të ardhmen e
vendit dhe të demokracisë.
- Ne jemi në pritje që ta
zgjidhim çështjen në parlament. S'jemi në kushtet kur duhet të flasim
çdo të ndodhë brenda 6 ditëve, jemi në kushtet kur duhet të flasim se
ç'do të ndodhë brenda 6 ditësh. Dhe nga na tjetër të jeni të bindur që
vala e protestave që do ngrihet në Shqipëri, në rast se kjo lojë për të
zvarritur opozitën do të vazhdojë, do të jetë vala më e madhe që
Shqipëria ka parë për votën e lirë dhe do të jetë një valë protestash
që nuk do të ulet pa garantuar votën e lirë.
- Janë dy gjëra
që s'kanë lidhje, njerëzit që kërkojnë këtë të drejtë janë plotësisht
të vendosur në kërkimin e kësaj të drejte dhe plotësisht të arsyeshëm
për nevojën e të gjithë rrugëve për ta realizuar të drejtën. Ne duam të
realizojmë një objektiv i cili është publik dhe i cili është në interes
të të gjithë publikut dhe për ne është e domosdoshme të eksplorojmë çdo
rrugë, çdo mundësi, çdo shans. Ne nuk e kemi kufizuar asnjëherë veten
dhe nuk do ta kufizojmë. 6 muajt e para na kanë vlejtur jashtëzakonisht
shumë për ta kthyer këtë në një çështje të madhe të interesit publik
përmes rritjes së vëmendjes së publikut dhe njëkohësisht për ta
ndërkombëtarizuar këtë çështje, që sot është në çdo tryezë
ndërkombëtare ku flitet për Shqipërinë. Kemi hyrë në një fazën të dytë
që është faze e konkretizimit të betejës sonë dhe padyshim që ne do të
bëjmë gjithçka për ta konkretizuar këtë betejë jo në të mirën tonë apo
në interesin tonë, por në të mirën dhe në interesin e të gjithëve dhe
në funksion të vendosjes së transparencës në themelin e procesit
zgjedhor në Shqipëri.
- Së pari unë kam dalë këtu për të
folur për ku jemi sot, se ku do jemi nesër, do kemi kohë të flasim
nesër. Së dyti hapja e kutive është një çështje me interes publik nuk
është një çështje e kufizuar në interesin e Sali Berishës, të Edi Ramës
apo të cilitdo mik dhe partner ndërkombëtar përfshirë në këtë debat.
është një çështje me interes publik sepse ka të bëjë me vlerën e votës
suaj. Ju siguroj se në çdo shoqëri demokratike thjesht diskutimi i
kësaj çështje do të ishte një habi dhe stërzgjatja e këtij diskutimi do
të ishte një absurditet.
- Kemi marrë të gjitha masat dhe po
shfrytëzojmë të gjitha rrugët për të çuar përpara kauzën tonë. S'ka
pikë dyshimi se kemi marrë rezultatet më të mira, madje më të mira seç
i prisnim nga përpjekjet e këtyre gjatë muajve me themel bojkotin dhe
do të vazhdojmë të kërkojmë zgjidhjen, pa përjashtuar asnjë rrugë, që
do të thotë se është një pozicion dinamik, nuk është një pozicion
statik dhe në këtë pozicion dinamik unë dhe gjithë lidershipi i PS,
jemi në harmoni të plotë me vullnetin e popullit opozitar dhe me të
gjithë ata që votuan me 93 % sikundër ju e thatë për të rizgjedhjen
time, apo edhe atyre 7% të tjerëve që nuk më votuan për të rizgjedhur
mua, por votuan për të zgjidhur këtë problem.
ShtypiDites