Gjatë qëndrimit të tij në Vienë, Zv. Kryeministri dhe Ministri i
Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta zhvilloi një takim zyrtar me Sekretarin
e Përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë
(OSBE), z. Perrin de Brichambaut.
Z. Meta dhe Z. Brichambaut vlerësuan me kënaqësi se bashkëpunimi
mes OSBE-së dhe Shqipërisë është shumë i mire në të gjitha nivelet, në
Vienë si dhe në Tiranë. Ky bashkëpunim përbën një themel të fortë për
kërkesën e shprehur nga Shqipëria për të kryesuar OSBE-në në 2014.
Biseda u fokusua në përgatitjet e nevojshme për të siguruar një kryesim
të suksesshëm. Ministri Meta e informoi Sekretarin e Përgjithshëm për
masat e planifikuara nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke
theksuar se Shqipëria është e vetëdijshme për rëndësinë dhe
përgjegjësinë që mbart një ndërmarrje e këtyre përmasave.
Z. Meta vuri në dukje edhe vëmendjen që po i kushtohet përgatitjes
së ekipeve diplomatike në Vienë dhe Tiranë, si dhe mundësive për të
caktuar diplomatë shqiptarë në Misionet në Terren të OSBE-së dhe në
Sekretariatin e OSBE-së.
Z. Brichambaut shprehu mbështetjen e plotë të Sekretariatit të
OSBE-së për këto iniciativa dhe për planet përgatitore të Ministrisë së
Punëve të Jashtme të Shqipërisë, duke e garantuar z. Meta që caktimet e
diplomatëve shqiptarë në Misionet e Terrenit dhe në Sekretariat janë të
mirëpritura. Gjithashtu, ai nënvizoi gatishmërinë e Sekretariatit për
të asistuar Shqipërinë gjatë këtyre fazave përgatitore.
Në vijim, biseda u fokusua në prioritetet aktuale të Organizatës,
kryesisht mbi Procesin e Korfuzit, që synon vendosjen e besimit dhe
konfidencës ndërmjet shteteve pjesëmarrëse, për një OSBE më të mire e
më të sigurt nga Vankuveri deri në Vladivostok.
ShtypiDites