Berisha shpall fillimin e turit elektoral

Berisha shpall fillimin e turit elektoral

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e radhës e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha:

 “Të nderuar zotërinj deputetë,

Së pari, më lejoni të përshëndes shumë përzemërsisht deputetet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, por edhe të gjitha deputetet e Parlamentit shqiptar. Dëshiroj t’ju falënderoj me shumë mirënjohje ju Zonja të nderuara që me përkushtimin, me aftësitë dhe kompetencën tuaj keni realizuar një përfaqësim të lakmueshëm dhe dinjitoz të qytetarëve që ju kanë votuar jo vetëm në Parlamentin shqiptar, por në të gjitha institucionet parlamentare evropiane dhe botërore. Përkushtimi juaj, kompetenca dhe pjesëmarrja juaj aktive në debatet parlamentare është dimensioni i ri dhe më i mirë i këtij Parlamenti. Ndaj, shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj me shumë mirënjohje për ndihmësen dhe kontributin tuaj; t’ju uroj gëzuar këtë ditë e cila nisi me shenjën e triumfit të gruas.

Kathryn Bigelow u bë gruaja e parë që të fitojë dhe të meritojë gjashtë çmimet Oscar të këtij viti me filmin e saj “The Hurt Locker”, por duhet të jemi të sinqertë se nga të gjitha ato çmime që u dhanë aty, më e merituara ishte Sandra Bullock. Pra, nuk është se nuk u vlerësuan edhe artistë të mëdhenj, mirëpo shkëlqimi i zonjave ishte aq i madh saqë të tjerët, pavarësisht nga çmimet që morën, ishin si në hije. Rajmonda, gjëja më mahnitëse ishte se Sanda Bullock një ditë më parë mori çmimin si artistja më e keqe e vitit dhe një ditë më pas u nderua me çmimin Oscar si artistja më e mirë. Radhë ndodh që i njëjti person të pushtojë të gjithë spektrin siç ndodhi me këtë artiste të madhe, për të cilën më thonë se ka gjyshe me origjinë shqiptare.

Sot dua të sjell në vëmendjen tuaj një problem madhor, atë të komunikimit intensiv me zgjedhësit.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Duke filluar nga kjo javë do të nis një seri takimesh në mbarë Shqipërinë, të cilat nuk do të kenë të sosur. Këto takime dhe ky dialog me qytetarët shqiptarë kanë për qëllim kryesor: paraqitjen e reformave të qeverisë para tyre, tërheqjen e mendimit dhe sugjerimeve të tyre, njohjen e qytetarëve shqiptarë me veprimtarinë intensive të maxhorancës, e cila kurrë, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, nuk ka qëndruar e ngujuar në kuti. Tjetër është kutia, tjetër janë reformat, të cilat këto muaj kanë ecur më shpejtë se kurrë, në çdo fushë. Është e domosdoshme të zhvillojmë dialog dhe debat me qytetarët shqiptarë të të gjithë spektrit politik. Është e domosdoshme t’i njohim ata një për një me rezultatet konkrete, me përpjekjet për liberalizimin e vizave dhe suksesin e këtyre rezultateve.

Çdo qytetar shqiptar ka interes madhor në këtë proces dhe ndaj duhet të dijë se çfarë ka bërë qeveria për kontrollin e integruar të kufijve dhe çfarë nënkupton kjo; se çfarë ka bërë qeveria për luftën me sukses të krimit të organizuar dhe se cilat janë hapat e reja; cilat janë përpjekjet e mëdha  dhe të suksesshme të qeverisë në luftën kundër korrupsionit. Ju e dini që unë nuk i besoj Exit Pollet, sepse e majta në traditën e saj më të keqe ka manipulimin e tyre. E ka mani, e ka sëmundje këtë. Unë dua t’ju them se nga diseksioni që i është bërë njërit prej këtyre Polleve majtiste, i cili në vitin 2005 na nxirrte neve 14 pikë pas Partisë Socialiste, rezulton se korrupsioni në shëndetësi ishte përgjegjës kryesor për përqindjen e lartë që rezultonte.

Gjatë këtyre muajve ka ndodhur një reformë e thellë, e suksesshme dhe shumë e mirëpritur nga qytetarët, duke vendosur çmimet e referencës për vizitë. Kjo ka sjellë reduktim dramatik të parapagimit. Një Poll paraprak tregon se rënia është rreth 70 për qind, sepse për fat të keq parapagimi në shëndetësi ishte një nga praktikat më korruptive dhe kjo tani është asgjësuar. Ministri i Shëndetësisë dhe task forca për reformën në shëndetësi po përpunojnë praktika të reja. Siç janë vendosur këto praktika në rendin e vizitave, do të vendosen praktika të reja për procedurat dhe operacionet, në mënyrë që të zhduket parapagimi dhe ryshfeti në sistemin tonë shëndetësor.

Sërish në kuadrin e luftë kundër korrupsionit, arritje shumë të mëdha janë shënuar dhe po shënohen në praktikat e trajtimit të automjeteve. Brenda këtij muaji, në mbarë vendin, do të jenë të dixhitalizuara provimet për patentat. Një praktikë tërësisht e re dixhitale dhe jashtë korrupsionit do të instalohet së shpejti për regjistrimin e automjeteve. Ne po marrim një nga një çdo procedurë në raport me korrupsionin për ta nxjerrë jashtë tij, por reformën më të rëndësishme anti korrupsion e bëtë ju të nderuar deputetë me miratimin e ligjit për transportin e zyrtarëve publikë. Ajo reformë ka kaluar si pa u ndjerë, por ajo është një reformë historike. Po të kemi parasysh se janë thjeshtuar mbi 2700 vetura dhe shoferë personalë, ku secili prej tyre kushtonte me shpenzimet vjetore më shumë se një ministër.

Pra, lufta kundër korrupsionit ka një fuqizim të ndjeshëm nga organet e prokurorisë, policisë kriminale dhe gjykatave. Kjo është periudha e parë në historinë tonë që penalizohen gjykatës, prokurorë dhe zyrtarë të lartë. Asgjë nuk mund të pengojë vullnetin tonë të hekurt në luftën kundër korrupsionit. Reforma të thella e të gjithanshme janë në proces e sipër  kundër informaliteti. Lufta kundër informalitetit është luftë kundër korrupsionit, është luftë për lirinë e tregut. Me sistemin e ri on-line të tatimeve, me vendosjen me shpejtësi të kasave fiskale më moderne, me shtrirjen e TVSH –së ose me uljen e pragut në 5 milionë pa ndryshuar statusi, si dhe një seri masash të tjera i kanë dhënë dhe i japin informalitetit përgjigjen e merituar.

Këto ditë unë pata misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe zoti Bode doli në konferencë për shtyp me ta. Informova delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar se ne çdo vit do të jemi më të ashpër se vetë politika e FMN-së. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ne i kemi marrë këto vendime, sepse, së pari, ne i realizojmë plotësisht objektivat më madhore dhe në këtë politikë shtrënguese. Së dyti, në raportin e shpenzimeve publike dhe investimeve ne duhet ti japim përparësi nxitjes së investimeve dhe politikat ekonomike rigoroze. Natyrisht, ju rrisni rroga dhe pensione, ato nuk preken. Janë mesazhi më i shkëlqyer që i dërgohet biznesit. Biznesi ka treguar dhe po tregon një mbështetje të madhe dhe simpati për Shqipërinë. Ju i keni parë si të gjithë parashikuesit Shqipërinë e nxjerrin në krye për vitin 2010-të. Ndaj dhe ne kemi vendosur që të qëndrojmë në një linjë ashpërsie lidhur me shpenzimet publike në mënyrë që biznesi të ketë garancitë më maksimale për stabilitetin makroekonomik të vendit. Dy reforma po ecin shumë mirë dhe janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Reforma e inspektorateve, për këtë reformë qeveria ka punuar për më shumë se një vit e gjysme me ekspertët më të mirë të Evropës e të botës dhe tani po shkon drejt finalizimit të saj. Sistemi i inspektorateve të vendit do të jetë një sistem modern, transparent, on-line. Do të jetë një sistem tërësisht tjetër. Reformë e thellë dhe e gjithanshme po ecën në drejtim të investimeve private. Ai biznes pësoi një tjetër transformim shumë të madh. Në Shqipëri krijohet Agjencia Kombëtare e Investimeve Private me një bord vendimarrësish më kryesore. Është shqyrtuar legjislacioni i zonave, i cili na rezulton se është shumë i mirë, por në rast se do të ketë nevojë për përmirësime të mëtejshme ato do të bëhen.

E kam theksuar dhe e theksoj sërish se Shqipëria ka rritjen më të madhe të eksporteve. Këto dy muaj nuk ka vend tjetër të ketë rritje sa Shqipëria në eksportet e saj. Natyrisht në këtë rritje eksportesh, të cilat janë në vlerë mbi dyfishi i dy muajve të parë të vitit 2009, një peshë specifike, por jo kryesore, zë edhe energjia. Çdo ditë po eksportohet mbi 10 milionë kilovat/orë. Shqipëria nuk ka pasur ndonjëherë një eksport të tillë. Ne vërtetë patëm përmbytje, e cila ishte e dhimbshme, por ndërkohë prodhimi i energjisë ka njohur shifra të paimagjinueshme, mbi 700 milionë kilovat/orë në muaj, sepse agregatët kanë qenë të gjithë rindërtuar, të ristrukturuar, të vendosur në komandat më moderne.

Kam kënaqësi të informoj se politika e ndjekur nga qeveria për partneritetin publik, privat dhe koncesionet ka filluar të japë rezultate bindëse.

 Zonja dhe zotërinj deputetë,

Sot në Shqipëri, në të cilën deri 2 vjet më parë, që prej 30 vitesh, nuk kishte ndërtuar qoftë edhe një hidrocentral, janë në ndërtim e sipër 35 hidrocentrale. Me gjithë krizën financiare botërore javën që kaloi ne bëmë një shqyrtim dhe ministria e Ekonomisë do t’i paraqesë ato një nga një para mediave, por kjo përbën një arritje të jashtëzakonshme. Fuqia e tyre e instaluar është rreth 800 Megawat dhe gradualisht po shkohet drejt dyfishimit të kapaciteteve prodhuese në energji. Kjo nuk është as 1/3 e asaj që ne do të vëmë në shfrytëzim dhe potencialeve që kemi. Pra në 35 kanë filluar punimet. Kjo është një shifër shumë e lartë. Natyrisht, janë licencuar shumë më tepër, por 35 është një numër jashtëzakonisht mbresëlënëse dhe shpresëlënëse. Qeveria nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë e ngujuar në kuti, por do të jetë në punë. Mazhoranca është punë, prandaj duhet të dalim në një dialog intensiv me qytetarët shqiptarë, t’i njohim ata me të gjithë projektet. Asnjë nga projektet e mëdha nuk është cenuar.

Dua t’ju informoj se pritet që shumë shpejt të përfundojë projekti i rrugës së Arbrit. Më saktë ka përfunduar projekti përveç tunelit. Për tunelin ka dalë një problem serioz. Në kuotën 810 m, ku ishte parashikuar ndërtimi i tij, struktura gjeologjike është e papërshtatshme. I kam kërkuar ministrit të Transporteve që këto ditë të shqyrtojë mundësitë, pasi mundësia për në kuotën 930 m është e garantuar, por po të jetë e mundur të shohim në kuotën 700 m, 680 m, 650 m, e cila mund ta zgjasë tunelin, por ruan shpejtësitë. Sidoqoftë, në rast se strukturat gjeologjike pas studimit më serioz të këtij mali që duhet të shpohet nuk do  të lejojnë nën kuotën 830 m, duke zbritur qoftë edhe tek 700 m apo 650 m, do të detyrohemi  që tuneli të hapet, sepse  strukturat lejojnë në kuotën 920 m. Ka përfunduar dhe ne do ta paraqesim së shpejti në qytetin e Elbasanit të gjithë projektin e autostradës Tiranë - Elbasan dhe tunelin e jugut. Ka përfunduar projekti i Boshtit të Jugut dhe është në përfundim e sipër. Pra, maxhoranca ka punuar me intensitet të madh dhe u qëndron plotësisht projekteve, ndonëse ka vendosur të zbatojë politikat rigorozë në shpenzimet publike, në mënyrë që të kryesojë përsëri në rritjen ekonomike dhe të mbetemi tërheqës për bizneset.

Parlamenti këtë periudhë ka miratuar ligje më shumë se kurrë në historinë e tij për të njëjtën periudhë kohe dhe ligje të një rëndësie shumë të madhe. Uroj dhe dëshiroj, me sinqeritet, që në diskutimin e nisur sot në Komisionin e Ligjeve të predominojë shpirti i kompromisit dhe të procedohet me vendimet e duhura, në përputhje të plotë me Kushtetutën, me ligjet e vendit, por edhe në kompromis me opozitës, të cilës ne i kemi premtuar. Duhet të informoni çdo qytetar, sepse çdo shqiptare dhe shqiptar duhet ta dijë se në rast se opozita ka listuar një seri kërkesash, mazhoranca ka listuar një seri ofertash dhe kompromisesh të ndershme. Disa prej tyre janë të paprecedentë në historinë e Evropës. Asnjë prej atyre që merr përsipër të lexojnë legjislacione nuk do të gjejë kurrë një komision pakicë dhe shumicë, siç jemi në të vendosur të ngremë komisionin e opozitës. Nuk ekziston një maxhorancë që ti thotë opozitës hartoji të gjitha amendamentet dhe unë t’i votojë me kushtin e vetëm që të kenë një ekspertizë ndërkombëtare; ekziston një maxhorancë që ti thotë opozitës dërgo të gjitha provat në prokurori dhe ne nuk pretendojmë asnjë afat, ndonëse në zgjedhje ka një afat. Afatet janë përcaktuese për stabilitetin e zgjedhjeve dhe stabiliteti i zgjedhjeve është stabiliteti i vendit dhe i demokracisë, por ne tregojmë gjerësinë më të madhe.   

Unë numërova disa, por janë një seri ofertash dinjitoze që ne i kemi bërë opozitën me qëllimin më të mirë për ti mundësuar asaj një pozicion dhe një qëndrim të ri. Megjithatë, ishte pozitive fillimi i seancës së sotme, të cilën unë e ndoqa me interes. Mazhoranca fillon këtë javë dialogun me qytetarët shqiptarët. Ne duhet të  shkojmë në çdo skaj të këtij vendi dhe të njohim me reformat, me rezultatet, me arritjet, me mosarritjet. Në tërësi ne duhet të bëjmë një dialog të hapur me qytetarët shqiptarë, me të rinjtë, me të moshuarit, me pensionistët. Është shumë e rëndësishme që të takohemi me pensionistët, sepse askush nuk ka bërë atë që kemi bërë ne për pensionistët. Ne nuk jemi udhëhequr kurrë nga asnjë lloj problemi elektoral në qëndrimin tonë ndaj tyre. I ftoj edhe anëtarët e Partisë Komuniste që janë pension që të shohin dhe të gjejnë një qeveri që i ka rritur pensionet më shumë se qeveria dhe mazhoranca jonë. Shihni çpo ndodh në vendet e tjera.  Politika jonë është konstante, persistente, njerëzore, politikë e zemrës së dhimbsur. Unë ju falënderoj ju që nda ndoqët dhe në mënyrë të veçantë falënderoj zonjat deputete, të cilat ndodhen këtu midis nesh, ndonëse mund edhe të mos ishin sot në këtë sallë, sepse mund të ishin duke festuar.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek