Basha: Pėrkrahje tė plotė pėr projektet e pushtetit vendor

Basha: Pėrkrahje tė plotė pėr projektet e pushtetit vendor

Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha priti në takim një përfaqësi të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.
Në takim u diskutua mbi procesin e decentralizimit të pushtetit vendor bazuar edhe në parimet e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, si dhe mbi masat e marra nga qeveria për vijueshmërinë dhe suksesin e këtij procesi.
Duke theksuar se arritjet e katë viteve që shkuan në kuadrin e reformave decentralizuese janë shumë inkurajuese, Ministri Basha siguroi përfaqësuesit e Shoqatës së Bashkive se Ministria e Brendshme, ashtu si deri më tani, do të jetë zëri i autoriteteve vendore në qeverisjen qendrore për të vijuar reformat decentralizuese, të cilat kanë qenë dhe mbeten prioritet i qeverisë Berisha.
-Ka pasur një vullnet të qartë nga ana e qeverisë, përkthyer jo vetëm në akte legjislative, rregullatore, por edhe në atë që është më e prekshme për qytetarët, një decentralizim real kompetencash dhe një decentralizim real financiar të padëshmuar më parë, por edhe nga ana tjetër kemi gjetur një gatishmëri dhe një kapacitet me të vërtetë të nivelit europian nga ju si partnerët tanë, për të absorbuar gjithë këtë proces, mbinormal për nga shpejtësia, të decentralizimit, për ta kthyer atë në një leverdi të prekshme për qytetarët,- u shpreh Ministri Basha.
Basha renditi disa nga arritjet në kuadrin e decentralizimit të qeverisjes vendore, si uljen e nivelit të taksës për biznesin e vogël, trefishimin e fondeve qeveritare në harkun e tre vjetëve si fonde lokale e rajonale, programin kombëtar për investime lokale ku përfitojnë 100% e njësive vendore, lejimin e disbursimit 12-15 herë të fondeve për investime në njësitë vendore, ngritjen e institucioneve të konsultimit permanent, krijimin dhe funksionimin e Grupit të Punës për Decentralizimin, transferimin e autoritetit fiskal për taksën e biznesit të vogël dhe disa taksave të tjera tek pushteti vendor, aprovimin e kuadrit ligjor të huamarrjes lokale, transferimin e pronave publike te pushtetit vendor etj.
Ministri Basha shprehu vlerësim për faktin që pushteti lokal në tërësi i është përgjigjur me kujdes këtyre masave të ndërmarra nga qeveria dhe i ka përkthyer në avantazhe të prekshme për qyetarët, por nga ana tjetër solli në vëmendje faktin se ka pasur përpjekje për instrumentalizim të organeve të pushtetit vendor për qëllime politike, të cilat kanë çuar në keqpërdorim të kompetencave dhe avantazheve nga disa njësi vendore.
-Si Ministër i Brendshëm kam vërejtjet e mia për përdorimin diskrecional të këtyre fondeve nga disa bashki, të cilat fatkeqësisht nuk janë kthyer në vepra për qytetarët, por janë kthyer në fryrje administrate, tre-katër  deri pesëfishim të policisë bashkiake etj.
Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha siguroi përfaqësuesit e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë se të gjitha projektet që kanë nisur do të vazhdojnë dhe të gjitha projektet e tjera, të përparësuara nga organet e pushtetit vendor si të nevojshme për cilësinë e jetës së qytetarëve, do të gjejnë përkrahje të plotë financiare në të gjitha skemat e financimit që kontrollon qeveria apo fondet e zhvillimit që qeveria ka vënë në efiçencë.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek