Historianët bien dakord se qytetërimi botëror ka filluar 5000 vjet më
parë në brigjet e Tigrit dhe Eufratit. Në tokën pjellore midis dy
lumenjve për fat të mirë nuk u zhvilluan vetëm kulturat bujqësore dhe
ndërtimet e para moderne të njeriut, por u kultivua dhe shpirti
njerëzor. Në Mesopotaminë e lashtë u hodhën themelet e pothuajse gjithë
dijes njerëzore duke filluar nga shkrimi, letërsia, ligjet, filozofia,
astronomia, matematika e mjekësia. Të gjitha qytetërimet e mëvonshme që
u zhvilluan i detyrohen zhvillimit kulturor të Mesopotamisë, por nëse
marrim në konsideratë teorinë e progresit, na duhet të pranojmë që këta
të fundit u përsosën më tej.
Ndër qytetërimet e mëvonshme shquan qytetërimi antik grek, trashëgimia
e të cilit është një nga faktorët bashkues të Europës së sotme.
Pikërisht në këtë adhurim të vetive dhe cilësive të qytetërimit grek i
ka rrënjët dhe mendimi europian i Rilindjes dhe Iluminizmit gjatë së
cilit u konceptua dhe artikulua ideja e Europës së Bashkuar. Aq e
vërtetë ishte kjo sa një pjesë e madhe e elitës europiane të këtyre
epokave deklaronte me krenari “se ne të gjithë jemi grekë” duke pasur
parasysh jo përkatësinë etnike, por trashëgiminë kulturore. Ky vlerësim
dhe influencë e jashtëzakonshme në historinë politike dhe shoqërore të
kontinentit nuk i dedikohet vetëm ekzistencës dhe zhvillimit të tij
brenda territorit europian, por karakterit tejet humanist të tij.
Në një analizë të thjeshtë krahasuese midis dy qytetërimeve bie në sy
se qytetërimi grek mishëron në detaje njeriun dhe qenien njerëzore në
dallim nga qytetërimi mesapotamas që mishëron më tepër anën racionale
të kësaj natyre dhe imagjinatën zomorfiste të tij. Ky tipar nuk është
qartësisht i dallueshëm vetëm në mitologji dhe skulpturë, por dhe në
një aspekt të jetës së përditshme siç është hartimi i ligjeve.
Trashëgimia ligjore që na vjen nga Mesopotamia e që njihet si Kodi i
Hamurabit, është pa dyshim shumë i rëndësishme për të kuptuar nivelin e
shoqërisë dhe të së drejtës në Babiloninë e lashtë. Kodi ka kohë që
është shënuar në analet e së drejtës si dëshmia e parë dhe më e plotë e
njeriut për të pasur një ligj të unifikuar, por gjithsesi nuk ka
shkëlqimin dhe influencën që pati në qytetërimin e mëvonshëm europian e
drejta e qytet-shtetit të Athinës. Në mënyrë paradoksale edhe pse në
qytetërimin grek nuk ekzistonte shkencë e mirëfilltë ligjore, madje as
kishte fjalë të veçantë për të shënuar “ligjin” si koncept abstrakt,
shoqëria e Athinës së lashtë ishte shoqëria e parë njerëzore që u bazua
në vendimmarrjen gjithëpërfshirëse të qytetarëve të vet duke krijuar
kështu novacione të rëndësishme konstitucionale në zhvillimin e
demokracisë. Ligjet e vjetra të shoqërive njerëzore përveçse
racionalitetit të tyre për të rregulluar marrëdhëniet njerëzore fituan
tashmë sensibilitetin dhe interpretimin për të pasqyruar më drejt
sofistikimin e njeriut dhe kompleksitetin e këtyre marrëdhënieve.
I gjithë ky hap cilësor në historinë e së drejtës erdhi si rezultat i
ndikimit të filozofisë antike greke, e cila tashmë nuk konstatonte dhe
pasqyronte vetëm universin, natyrën njerëzore dhe fenomenet si
filozofia e Mesopotamisë, por përpiqej t’u jepte shpjegim pyetjeve
rreth ekzistencës dhe të zhvillonte një kulturë interpretimi të ligjeve
që qeverisnin poliset. Soloni, Platoni e Aristoteli janë tre emra që
shënojnë këtë kulturë të gjerë gjithëpërfshirëse që nëpërmjet
refleksionit të thellë të natyrës njerëzore ia doli mbanë të shpjegojë
veçoritë metafizike, natyrore e hyjnore në raport me njeriun, ecurinë
si dhe efektet e prodhuara prej tij, duke filluar nga qeverisja, tipi i
regjimit të ndërtuar, marrëveshja sociale e duke përfunduar te lufta
dhe pasojat e saj. Gjithsesi, nuk ishte e lehtë që në lumin e fjalëve
që tashmë reflektonin dhe shpjegonin një ligj apo qëllim të mirë, të
arrije të dalloje thelbin nga anësorja dhe akoma më tepër kur kishte
udhëheqës të sinqertë që mendonin vërtet për prosperitetin e vendit apo
kur kishte oratorë të zellshëm që e zotëronin shumë mirë artin e të
folurit dhe që mund të ndërtonin strategji të veçanta për të fituar
pushtet politik. Kjo lloj strategjie e panjohur për qytetërimin e
Mesopotamisë dhe e identifikuar si demagogji nga Platoni bazohej në
evokimin e ndjenjave, emocioneve, frikërave dhe pritshmërisë së
publikut nëpërmjet retorikës për të trajtuar çdolloj debati publik që
zhvillohej në vend dhe për të përfituar prej tyre monopol politik.
Raportet e qytetërimit modern shqiptar me trashëgiminë kulturore të
qytetërimeve botërore janë sa të vjetra dhe komplekse dhe po aq të
vështira për t’u identifikuar. Duke qenë se nga vendndodhja gjeografike
kemi qenë shumë afër me qytetërimin grek është e natyrshme që të kemi
shkëmbyer e marrë me të, por për shkak të mungesës së dokumentacionit
të mjaftueshëm për momentin ne vetëm mund të spekulojmë për masën,
natyrën e këtyre shkëmbimeve dhe impaktin në popullsinë shqiptare.
Kolonitë antike greke në brigjet e Adriatikut natyrisht që shërbyen si
pikë takimi kulturash, por fati i mëvonshëm i Gadishullit Ballkanik i
përcaktuar nga valët e gjata të pushtimeve nuk lejoi që Rilindja dhe
Iluminizmi të lulëzonin ashtu si në Europë. Qytetërimi modern ballkanas
dhe mes tij dhe qytetërimi shqiptar i rifitoi vlerat e çmuara të
qytetërimit të lashtë pas fitores mbi totalitarizmat.
Shqipëria, duke pasur si synim të saj besimin e fortë politik për t’u
integruar në Europë qysh në fillimet e viteve ‘90 të shekullit të
kaluar ka përqafuar sistemin e demokracisë - një nga shtyllat e Europës
së bashkuar. Kështu teorikisht, qytetërimi modern shqiptar i ka bërë të
veta vlerat e demokracisë, por në realitet vërehet se ky është një
perceptim i gabuar. Sot më shumë se kurrë gjeneratat e viteve 60’,70’ e
80’ që shpresonin në vitet ‘90 se Shqipëria do integrohej shpejt në
NATO dhe B.E janë të zhgënjyera me hapat e breshkës që kanë ndërmarrë
qeveritë e pas viteve ‘90 për të arritur këto synime madhore të
shqiptarëve. Për më tepër ngjarje të vonuara siç ishte hyrja në NATO
evokohen si histori suksesi duke dëshmuar dhe njëherë lojën e gjatë
politike të integrimit të Shqipërisë në funksion të fitoreve të vockla
elektorale, riciklimit të imazhit, akuzave të ndërsjella se një palë
politike e dëshiron integrimin e tjetra e pengon. Me një përqasje të
vogël kritike mund të kuptohet lehtë se qytetërimi modern shqiptar nga
gjithë ngrehina e vjetër e qytetërimit grek ka përfituar demagogjinë
duke përvetësuar kështu dhe të ardhmen e vendit të vet. Justifikimet e
klasës politike shqiptare se duke ardhur nga një vend me traditë të
vagullt demokratike dhe hapat do ishin patjetër të vegjël, bien poshtë
kur shikon vende dikur të prapambetura të Azisë që kur kanë zbatuar
drejt demokracinë kanë bërë më shumë progres ekonomik dhe politik se
Shqipëria. Mungesa e një sistemi transparent drejtësie dhe “kolera” e
zakonshme e zgjedhjeve të kontestuara janë dy faktorë që tregojnë se
klasa politike shqiptare gjysmë e formuar në vitet e revolucionit kinez
kulturor në Shqipëri dhe gjysma në korridoret bizantine të pushtetit të
pas viteve 90’ nuk është e aftë të dialogojë dhe t’u japë zgjidhjeve
problemeve madhore të vendit. Dashur pa dashur ajo është bërë një
varrmihëse e qytetërimit modern shqiptar, duke instaluar në vend
kulturën e gënjeshtrës dhe demagogjisë ku gjërat e pavërteta mund të
shpallen si të vërteta, ku ëndrra mund të zhbëjë realitetin dhe
zhgjëndrra mund të kalohet për të vërtetë. Platoni në veprën e vet
“Republika” i shpall poetët si njerëzit më të padëshirueshëm për
qytet-shtetin e tij imagjinar, pasi ata me imagjinatën e tyre dhe
pasqyrimin që i bënin realitetit në poezi mund të korruptonin qytetarët
e tjerë. Nëse ndjekim logjikën e Platonit, por duke e shtrirë në
hapësirë dhe kohërat e sotme me qëllim që të mbrojmë qytetarët e së
ardhmes së Shqipërisë na duhet t’i bëjmë vetes një pyetje retorike. Si
do të jetë qytetërimi modern shqiptar i së nesërmes i udhëhequr nga
klasa e tanishme politike?
ShtypiDites