Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta e filloi vizitën e tij zyrtare në Serbi me homazhe pranë varrit të ish Kryeministrit serb Zoran Xhinxhiç. Këto homazhe përkojnë me 7 vjetorin e vrasjes së z. Xhinxhiç.
Gjatë homazheve, z. Meta u shoqërua nga bashkëshortja e të ndjerit, znj. Ruzhica Xhinxhiç dhe bashkëshortja e tij, znj. Monika Kryemadhi.
Pas homazheve, z. Meta dha një prononcim për mediat:
“Ishte një obligim i imi, t’a nisja këtë vizitë zyrtare në Beograd, duke bërë homazhe dhe duke nderuar kujtimin e Kryeministrit të ndjerë Zoran Xhinxhiç, pikërisht këtu në banesën e tij të fundit.
Z. Xhinxhiç, pa asnjë diskutim që mbetet një frymëzim jo vetëm për demokratët dhe forcat progresiste e pro evropiane në Serbi, por në të gjithë rajonin tonë, pasi falë vizionit të tij, falë kuarajos së tij të jashtëzakonshme, Serbia është në një stad të ri të integrimit evropian dhe të gjithë proçesit të integrimit në komunitetin ndërkombëtar.
Falë këtij vizioni dhe kurajoje, edhe marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë përparuar, ndoshta jo aq sa do dëshironin shumë si unë. Por shpreh besimin se akoma më shumë, këto marrëdhënie do të shënojnë progres dhe do të jenë solide, sepse marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë shumë të rëndësishme për perspektivën e rajonit tonë, për përshpejtimin e integrimit të tij evropian, dhe janë shumë të rëndësishme për një pajtim të sinqertë, solid dhe afatgjatë midis shqiptarëve dhe serbëve, por edhe midis shqiptarëve dhe gjithë sllavëve në rajon, si një domosdoshmëri për të garantuar një të ardhme të përbashkët për të gjithë qytetarët e rajonit tonë, pavarësisht përkatësive etnike.
Ne kemi përgjegjësi të madhe për të ardhmen tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Ndjehem shumë i nderuar që znj. Ruzhica Xhinxhiç, pavarësisht angazhimeve shumë të mëdha, pasi kjo periudhë përkon edhe me 7 vjetorin e vrasjes së Kryeministrit të ndjerë Xhinxhiç, na nderoi duke u bashkuar në këtë homazh. Besoj se brenda këtij viti ne do të organizojmë një aktivitet të rëndësishëm me Fondacionin Xhinxhiç që ajo drejton, në Shqipëri por edhe këtu në Serbi.
Eshtë e rëndësishme të theksoj edhe një herë se kurajoja e këtij politikani të jashtëzakonshëm, për të cilën ai pagoi një çmim jashtëzakonisht të rëndë, do të mbetet gjithmonë një frymëzim jo vetëm për të gjithë forcat prograsiste këtu, por edhe për të gjithë rajonin.”
Në fund të homazheve, z. Meta e falenderoi znj. Xhinxhiç për prezencën e saj dhe e ftoi atë për një vizitë në Shqipëri.
ShtypiDites