Greqia mbėshtet liberalizimin e vizave pėr qytetarėt shqiptarė.

Greqia mbėshtet liberalizimin e vizave pėr qytetarėt shqiptarė.

Greqia shpreh mbështetjen e plotë për heqjen sa më shpejt të regjimit të vizave me Bashkimin Europian për qytetarët shqiptarë.
Këtë mbështetje e deklaroi Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit të Greqisë Z. Mihalis Krisohoidhis, i cili u prit në vizitë zyrtare nga Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha.
-Shqipëria ka bërë hapa vendimtarë në procesin e plotësimit të kushteve për liberalizimin e vizave dhe shpresoj që shumë shpejt Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë së Bashkimit Europian të marrë një vendim pozitiv. Ne e mbështesim plotësisht kërkesën e Shqipërisë për heqjen e regjimit të vizave duke respektuar kushtet ligjore të BE përmes kontrolleve të rrepta në mënyrë që duke hapur kufijtë të kufizojmë veprimtarinë e të gjitha rrjeteve kriminale që përdorin këto pengesa për të shfrytëzuar njerëzit fatkeqë,- u shpreh Ministri Krisohoidhis.
Ministri Basha falënderoi homologun grek Krisohoidhis për mbështetjen që Greqia po jep për procesin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë, e po ashtu për vendimet e ndërmarra nga qeveria greke për lehtësimin e lëvizjes së emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe për ligjin mbi dhënien e nështetësisë.
-Ky proces që garanton lëvizjen e lirë të qytetarëve, respekton dinjitetin e qytetarëve tanë por edhe përmirëson ndjeshëm parametrat e lëvizjes së lirë duke reduktuar hapësirat për aktivitet kriminal ndërkufitar,-tha Basha.
Në takimin dypalësh, Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit të Greqisë Z. Mihalis Krisohoidhis premtoi se do të lobojë edhe me homologët e tjerë të vendeve të BE për të marrë sa më shpejt vendimin për liberalizimin e vizave për Shqipërinë.
Ministri Basha informoi Ministrin Krisohoidhis për arritjet e Shqipërisë në fushën e sigurisë së dokumentave, në fushën e sigurisë së kufijve dhe në luftën kundër kriminalitetit.
Basha dhe Krisohoidhis diskutuan gjerësisht për lehtësimin e pajisjes me dokumenta të emigrantëve shqiptarë në Greqi, bashkëpunimin dypalësh në luftë kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin ndërkufitar, shkëmbimin e informacionit dhe trajnimet e përbashkëta.
Në takim u ra dakort që strukturat policore të krijojnë një database të dhënash për personat në kërkim në të dy vendet, si dhe për hartimin e një programi bashkëpunimi në fushën e trajnimeve.
Takimi u mbyll me nënshkrimin e protokollit të bashkëpunimit për zbatimin e marrëveshjes dypalëshe në fushat që mbulojnë Ministria e Brendshme e Shqipërisë dhe Ministria e Mbrojtjes së Qytetarit të Greqisë.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek