Në takimin dy ditor të mbajtur fillimisht në Budapest dhe më pas në Vjenë, 46 ministrat e Arsimit të vendeve që aderojnë në Procesin e Bolonjës, kanë diskutuar mbi përparësitë e këtij procesi.
Në këtë takim Ministri Shqiptar i Arsimit dhe Shkencës, Z. Tafaj vlerësoi se arsimi parauniversitar dhe ai i lartë në Shqipëri në këto vite ka pësuar reforma të thella.
“Në këto vite është rritur ndjeshëm numri i studentëve, është zgjeruar arsimi privat cilësor, janë shpallur strategji afatgjata për rritjen e investimit total, publik dhe privat, është shtrirë internet në çdo shkollë e universitet dhe janë hartuar strategjitë e arsimit të lartë e kërkimit shkencor, teknologjisë e inovacionit sipas tendencave europiane”-tha Tafaj.
Ministri Tafaj, cilësoi se Shqipëria ka bërë përpjekje serioze dhe sistematike për reformimin e kurrikulës dhe strukturës së studimeve të Arsimit të Lartë në përputhje më parimet e Procesit të Bolonjës dhe Universitetet shqiptare kanë një bashkëpunim intensiv me rajonin e më gjërë, në kuadër të programeve të BE-së.
“Mobiliteti i studentëve zhvillohet kryesisht në kuadër të programit TEMPUS dhe Erasmus Mundus, por ai është i pamjaftueshëm. Regjimi i vizave është një pengese nganjëherë serioze për mobilitetin e studentëve dhe pedagogëve. Ky është një argument më shumë për liberalizimin e vizave aq më tepër që Shqipëria ka bërë një progres evident në përmbushjen e kritereve të kërkuara”-u shpreh Tafaj.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në sfidën kryesore afatgjatë, atë të rritjes së cilësisë në arsimin shqiptar, Z. Tafaj, vlerësoi se objektivi kryesor në Arsimin e Lartë është arritja e standardeve europiane jo vetëm në akses por edhe në cilësinë e studimeve.
Në fjalën e tij Ministri Shqiptar i Arsimit dhe Shkencës, duke përshëndetur aderimin e Kazakistanit si vendi i 47 i Procesit të Bolonjës, kërkoi gjithashtu edhe pranimin e Kosovës në të.
“ Republika e Kosovës ka ndërtuar politikat e Arsmit të Lartë mbështetur në principet e Bolonjës. Sa kohë Ministri i Arsimit të Kosovës nuk do të ftohet në këtë tavolinë, studentët dhe profesorët e këtij vendi të pavarur do ta lexojnë këtë mesazh si barrierë për mobilitetin e tyre dhe bashkëpunimin me homologët në Europë. Ne mendojmë se duhet gjetur rruga më adeguate për ti krijuar Republikës së Kosovës dhe vendeve të tjera aspiruese mundësinë e aderimit në Procesin e Bolonjës”-përfundoi Tafaj.
Shqipëria dhe Belgjika do të jenë në 6 muajt e ardhshëm bashkëkryesuese të Procesit të Bolonjës. Në përfundim Ministri i Arsimit dhe Shkencës, siguroi homologët e tij se Qeveria e Shqipërisë është e vendosur të mbështesë me përparësi zhvillimin e shpejtë të arsmit të lartë, duke i u përmbajtur politikave europiane të arsimit të lartë dhe principeve të Procesit të Bolonjës.
Takimi Ministror i Budapestit dhe Vjenës i zhvilluar më datat 11 dhe 12 mars, pati si temë “Ndërtimin e shoqërisë globale të dijes” dhe shkëmbimin e përvojës së vendeve në Arsimin e Lartë.
Në Vjenë Ministri i Arsimit dhe Shkençës, Z. Myqerem Tafaj, u takua me shumë homologë të tij të Austrisë, Hungarisë, Kroacisë, Lituanisë, Slovenisë, Kanadasë, Çekisë, Rumanisë, Bullgarisë, Serbisë, Kinës, Japonisë, Brazilit, Izraelit, si dhe me komisaren e BE-së për arsimin e Drejtorët e Arsimit të Lartë të Këshillit të Europës e UNESCO-s.
Në vizitën e tij dy ditore në Austri, Ministri Tafaj u takua edhe me studentët shqiptarë që studiojnë në Universitetet austriake. Duke ju përgjigjur shqetësimeve të studentëve për mundësitë e kthimit dhe integrimit të tyre në stafet akademike shqiptare, Ministri i Arsimit dhe Shkencës Z. Myqerem Tafaj, u shpreh, se institucioni që ai drejton do të bëjë të mundur një transparencë të plotë të të gjitha procedurave të rektorateve në procesin e rekrutimit të të diplomuarve në stafet e tyre.
Procesi i Bolonjës ka nisur 10 vite më parë, ndërsa Shqipëria ka aderuar në Kartën e Bolonjës në vitin 2003.
| Tiranë | 14 | °C | |
| Prishtinë | 13 | °C | |
| Ulqin | 14 | °C | |
| Shkup | 13 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.52 | 142.14 |
| USD | 106.95 | 111.35 |
| GPB | 168.71 | 175.65 |
| CHF | 113.60 | 118.27 |